Organizatat e medias kundërshtojnë kufizimet e reja për gazetarët në Kuvend

Një rrjet organizatash për lirinë e medias i dërguan një letër të hapur Kryetarit të Kuvendit, ku kundërshtojnë propozimet për ndalimin e filmimeve të pavarura dhe kufizimin e qasjes së gazetarëve vetëm në hapësirën e kufizuar për median, duke paralajmëruar se masat rrezikojnë transparencën dhe lirinë e shtypit.

Televizionet gjatë ndjekjes së një aktiviteti në kryeqytet. Foto: Media Amfora

Rrjeti SafeJournalists, Media Freedom Rapid Response (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizata shqiptare për lirinë e  medias, të premten bënë publike një letër të hapur drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku e cilësojnë si një hap pas, për transparencën dhe lirinë e shtypit propozimin për të ndaluar filmimet e pavarura dhe për të kufizuar qasjen e gazetarëve vetëm në një zonë të posaçme për deklarata në kuvend.

“Këto propozime, sipas raportimeve të gazetarëve, parashikojnë heqjen e filmimeve të pavarura në sallën plenare dhe zëvendësimin e tyre plotësisht me një transmetim zyrtar të vetëm, si dhe kufizimin e të gjitha ndërveprimeve midis deputetëve dhe medias në një hapësirë të vetme të përcaktuar si ‘zonë e posaçme për deklarata’”, shkruhej në letrën e rrjtetit të organizatave.

Sipas letrës nëse zbatohen një gjë e tillë do të eliminonte praktikisht kontaktin e drejtpërdrejtë dhe spontan mes gazetarëve dhe përfaqësuesve të zgjedhur dhe do ta bënte llogaridhënien vullnetare.

“Kufizime të tilla do t’ia hiqnin publikut një nga hapësirat e fundit për të mbajtur përgjegjës deputetët dhe ministrat. Ndërkohë që mbrojtja e komunikimeve private të deputetëve është një

shqetësim legjitim, ajo nuk mund të shërbejë si pretekst për heqjen e kamerave të pavarura nga salla plenare apo për ndalimin e gazetarëve që t’u afrohen deputetëve në hapësirat e Kuvendit”, shpjegohej më tej në letër.

Këto kufizime për qasjen e gazetarëve në Kuvend kanë ardhur nga propozimet e shumicës parlamentare në këtë legjislaturë, e cila u hap pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe ka nisur diskutimet për rregullat e reja të medias brenda institucionit. 

Rrjeti i organizatave e kanë ngritur shqetësimin për rregullat e reja të akreditimit të medias nga Kuvendi edhe në vitin 2021, të cilat tashmë kufizuan edhe lirinë e lëvizjes së gazetarëve brenda Kuvendit

dhe rritën varësinë nga transmetimet zyrtare. Sipas organizatave që prej asaj kohe janë dokumentuar raste të përsëritura pengesash dhe një model i kufizimit të askesit. 

Është konteksti i përgjithshëm mediatik në Shqipëri që e bën edhe më shqetësues këtë propozim, sipas organizatave.

“Përfaqësuesit e qeverisë dhe deputetët e shumicës rrallë mbajnë konferenca për shtyp apo marrin pjesë në debate televizive të pavarura, duke u mbështetur më shumë te komunikimi i kuruar përmes rrjeteve sociale apo materialeve audiovizive të parapërgatitura nga Agjencia për Media dhe Informim. Vonesat, refuzimet dhe centralizimi tashmë pengojnë qasjen në informacionin publik. Kuvendi ka qenë për këtë arsye hapësira e fundit institucionale ku gazetarët mund të pyesnin drejtpërdrejt dhe spontanisht përfaqësuesit politikë”, shpjegohej më tej në letër.

Organizatat kërkuan që Parlamenti të zhvillojë një proces konsultues me gazetarët dhe organizatat e medias për rishikimin e sistemit të akreditimit. Sipas tyre Akreditimi të përputhet me Strategjinë e Kuvendit 2025-2030 dhe angazhimet e Nismës “Parlamenti i Hapur”.

“Të përafroni akreditimin me angazhimet ekzistuese, përfshirë Strategjinë e Kuvendit 2025-2030 dhe zotimet e Nismës ‘Parlamenti i Hapur…”, kërkohej në letër.

Organizatat kërkuan gjithashtu garantimin e filmimeve të pavarura dhe hapjes institucionale, moskufizimin e qasjes vetëm në ‘doorstep’, zhvillimin e konferencave të rregullta për shtyp me deputetë e ministra, vendosjen e protokolleve të qarta për Gardën e Republikës, krijimin e një mekanizmi të pavarur apelimi për akreditimin si dhe riafirmimin e angazhimeve të Shqipërisë ndaj BE-së.

“Hapja parlamentare dhe liria e medias janë elemente themelore të “Klasterit 1” (Grupi tematik) në negociatat e anëtarësimit. Zbatimi i këtyre standardeve do të tregojë angazhimin e Kuvendit ndaj transparencës dhe llogaridhënies, ndërsa masat kufizuese do të dëmtonin besueshmërinë demokratike brenda dhe jashtë vendit”, shkruhej në letërën e firmosur nga 32 organizata pjesë e rrjeteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Mali i Zi si edhe nga organizata ndërkombëtare.

Grupet nënshkruese, përfshirë edhe Median Amfora, nënvizuan se respektimi i lirisë së medias në Kuvend është një test kyç për demokracinë shqiptare dhe për rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.

 Nënshkrues:

Rrjeti SafeJournalists

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë-Hercegovinës

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave e Malit të Zi

Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias (Media Freedom Rapid Response)

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)

Free Press Unlimited (FPU)

ARTICLE 19 Europe

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)

Osservatorio Ballkani Kaukazi Transeuropa (OBCT)

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)

Reporterët pa Kufij (RSF)

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri

Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AJA)

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)

Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)

Gratë Shqiptare në Audiovizual (AËA)

Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGMP)

Res Publica

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)

Amfora

Faktoje

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH)

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)

Civil Rights Defender, Shqipëri

Citizens.al

Rrjeti i Raportimit të Diversitetit