Lagjja Varosh dhe banesa e Familjes Nushi në Durrës
Banesa e Familjes Nushi përfaqëson një etapë të rëndësishme të tranzicionit urban e shoqëror të Durrësit në fund të shekullit XIX. Të ndërtuara përtej mureve rrethuese, ato dëshmojnë lindjen e borgjezisë qytetare, ndikimet perëndimore dhe shkëputjen graduale nga mënyra gjysmë rurale e jetesës. Ky monument banimi mbetet një shembull tipik i trashëgimisë kulturore dhe identitetit qytetar të Durrësit.

Foto nga porta hyrëse e banesës së Familjes Nushi. Foto: Media Amfora
Konteksti historik
Për rreth dy shekuj e gjysmë pas pushtimit osman, Durrësi qëndroi i strukur dhe i përgjumur brenda mureve bizantine dhe turke. Ai nuk ishte një qytet si dikur, por një qendër e vogël banimi me vetëm disa qindra banorë, jeta e të cilëve zvarritej në lagjen e vetme “Kala”. Pjesa e mbetur jashtw mureve nuk preferohej për banim, kryesisht për arsye sigurie, por edhe sepse nuk kishte kërkesa për të jetuar në Durrës. Kështu që e vetmja popullsi që jetonte në Durrës ishte strehuar brenda mureve të kalasë.
Rreth fundit të viteve 1700 duket se Durrësi filloi të zgjohej dhe të shkëputej nga muret e larta rrethuese që e kishin “zënë në kurth” për shumë kohë. Banorët në Durrës filluan të ndërtonin banesat e tyre jasht mureve rrethuese. Me sa duket kushtet e përgjithshme të sigurisë ishin përmirësuar, sulmet nga deti ishin diçka e së kaluarës dhe Durrësi ishte disi tërheqës tashmë. Mund të mendojmë se rritja natyrale e popullsisë shtoi kërkesën për tokë të ndërtueshme. Por nuk ishin vetëm banorët vendas që filluan të ndërtonin në veri të mureve turke, por shumë familje të ardhura nga kudo. Duke menduar për kushtet e këqija higjienike, për mungesën e ujit të pijshëm, për problemet që sillte këneta, së cilës banorët po i afroheshin me zgjerimin e qytezës, ata duhet të kenë patur arsye të forta për t’u vendosur aty.
Durrësi kishte një avantazh të jashtëzakonshëm, skelën, e cila ishte më e rëndësishmja në Ultësirën Perëndimore shqiptare. Prodhimet natyrore të Shqipërisë së Mesme dhe më gjerë, të destinuara për eksport dilnin prej Skelës së Durrësit. Për një varg kompleks faktorësh të lidhur mes tyre dhe të shtrirë përtej hapwsirës së Perandorisë Osmane (si Revolucioni Industrial, kërkesa në rritje për mallra bazike, përmirësimi i kushteve të jetesës, rritja e popullsisë evropiane etj., por edhe krijimi i një klase borgjeze qytetare në Shqipërinë osmane dhe këkesat e saj për mallra të përpunuara, konsolidimi i sistemit të çifligjeve dhe rritja e konkurrencës private), shkëmbimi i mallrave filloi të zgjerohej. Kështu që Durrësi filloi të ishte tërheqës për shërbimet tregtare dhe kjo ishte arsyeja kryesore që shumë tregtarë kapërcyen së bashku me familjet e tyre problemet natyrore e shoqërore dhe vendosën qw të jetonin në Durrës.
Konteksti urbanistik
Lagjja e re që po lindte u quajt “Lagjja e jashtme”, në raport me bërthamën brenda mureve rrethuese ose “varosh” (turqisht do të thotë “periferike” – “e jashtme”). Kjo lagje e re ishte edhe përfaqësuese e një klase të re shoqërore në formim e sipër dhe që rezultoi e shëndetshme për qytetin. Një pjesë e mirë e familjeve të shpërngulura e të vendosura në Durrës ishin nga dyert e mëdha qytetare të Beratit. Shtresëzimi i ri shoqëror do të ishte një vektor pozitiv. Territori që dikur kishte funksion bujqësor, tashmë po kthehej në një truall të ndërtueshëm. Raporti njeri-mjedis filloi të ndryshonte ndjeshëm në kurriz të natyrës. Rregullat e zhvillimit të ri urban duket se ishin të vulosura, jo nga autoritetet osmane, por nga trashëgimia. Vijat e para drejtuese të tesutit të ri urban që po thurej ishin tre apo katër rrugë që dilnin prej “Portës së Madhe” (sot Bashkia) dhe që orientoheshin me gjasë drejt portave të rrethimit bizantin, asokohe jashtw funksionit, por që ishin trashëguar si pika orientimi apo drejt bregut të detit në lindje, si edhe pikave të tjera në veri të qytezës.


Po t’i referohemi hartës së realizuar nga arkeologët francezë Heuzey dhe Daumet në vitin 1861, duket qartazi kjo dukuri. Arkeologët francezë na kanë mundësuar luksin e dokumentimit perfekt të një fenomeni urbanistik në zhvillim e sipër. Aty duken rrugët që dalin prej “Portës së Madhe”, buzë së cilave kishte filluar ndërtimi i shtëpive. Terreni midis këtyre damarëve të rinj ishte ende i paplotësuar me ndërtime në 1861-in. Ndërtimet ishin grupuar kryesisht në zonën afër mureve turke, aty nga kishte filluar batica urbane, ndërsa më në veri dukeshin ende parcelat e rrethuara, me karakter bujqësor. Duket sikur materiali gjenetik i Durrësit qytet ishte ruajtur në lagjen “Kala” dhe filloi të nxirrte filiza të rinj sapo “klima” filloi të përmirësohej. Pikërisht në këtë hapwsirë u ndërtua banesa të cilën do të trajtojmë, si përfaqësuese e një dukurie urbane, por edhe si treguese e ndryshimeve të reja shoqërore që po përjetonte Durrësi i fundit të viteve 1800, ndryshime të cilat u reflektuan në konceptimin arkitektonik të banesave.
Pak histori
Për vitin e ndërtimin të banesës nuk kemi të dhëna të sakta. Në rilevimet e vitit 1861 banesa në fjalë nuk duket, trualli është bosh, pra duhet të jetë ndërtuar më vonë. Dihet që ajo është ndërtuar në fundin e shekullit XIX, nga një tregtar i kamur i quajtur Konstandin Mima, mbase me origjinë të hershme sefardike. Ai së bashku me dy vëllezërit e tij ndërtuan tre banesa të mëdhaja ngjitur me njëra-tjetrën. Përballë banesave të tyre, në krahun tjetër të rrugës, nga perëndimi, ata kishin një territor të rrethuar me mure, me funksion bujqësor dhe blegtoral (mbanin bagëtinë), tregues ky që banorët qytetas ende nuk ishin shkëputur nga ekonomia natyrore, por edhe dëshmi e një faze tranzitore të lagjes “Varosh”. Nga gojëdhënat njoftohemi se ndërtuesi ishte një farë “Usta Marku” (pra mjeshtër) i shkolluar në Itali apo në Francë.
Në vitin 1901 për shkak të problemeve financiare Konstandin Mima ja shet shtëpinë një tjetër tregtari të quajtur Jani Nushi, me të cilin kishin lidhje familjare (bashkëshortet ishin kushërira të para), i ardhur nga Kalaja e Beratit dhe i arsimuar në Shkollën Tregtare të Konstandinopolit (Stambollit), i cili duket të ketë kryer disa punime përmybllëse të ndërtesës. Në vitin 1914, pas sulmeve të rebelëve dhe vorbullës së Kryengritjes Fshatare të Shqipërisë së Mesme, Familja Nushi largohet për në Korfuz për arsye sigurie, duke ja lënë për ruajtje shtëpinë një kujdestari. Në vitin 1916 ushtria austro-hungareze shtiu në dorë banesën dhe e shndërroi në një bazë ushtarake me karakter spitalor. Familja Nushi u rikthye pas fuftës, në vitin 1919, duke e gjetur shtëpinë të bastisur. Familja banoi aty në mënyrë të pandërprerë deri në vitin 2000, kur banesa për shkak të amortizimit, fatkeqësisht u braktis përgjithmonë.

Arkitektura
Banesa zhvillohet në dy kate dhe një papafingo të shfrytëzueshme. Në pjesën e përmbrapme zhvillohet një oborr dhe në pjesën e pasme një kopsht. Secili kat është i organizuar në një sallon tepër të madh, e të gjatë, i cili përshkon ndërtesën si një aks lindje-perëndim dhe nga gjashtë dhoma dhe një tualet.
Kati përdhe
Siç është dëshmuar në disa raste nga provat arkeologjike, ndërtuesit kanë shfrytëzuar muraturat antike të mbijetuara mbi sipërfaqe si themele apo edhe si kufinj parcelash për pronat e tyre të reja. Planimetria e banesës dhe orientimi i saj lindje-perëndim janë shumë të ngjashme me atë të një bazilike me tre navata, mbase një frymëzim nga ndonjë rrënojë ose thjesht një rastësi.
Porta kryesore e banesave ka patur gjithmonë një vëmendje të veçantë dhe ngarkesë simbolike. Në banesën në fjalë porta është trajtuar estetikisht duke imponuar qëndrueshmëri e madhështi. Jo më kot ndërtuesi ka shfrytëzuar edhe centimetrin e fundit për të arritur lartësinë maksimale të saj. Dhe duket që së bashku me proporcionin dhe kornizën e dyfishtë ia ka arritur qëllimit për të ndërtuar një “derë të madhe”. Në pamje të parë kjo portë të lë shijen e një stili bizantin. Oborri është i shtruar me pllaka mermeri, identike në material, ngjyrë dhe përmasa me ato të termave romake të shekullit I të Erës Sonë, të ricikluara si material ndërtimor. Do të ndalemi për një moment tek avllia e oborrit, e cila ka dy faza ndërtimore. Gjatë trazirave të vitit 1914 keqbërësit qëlluan me pushkë dhe thyen xhamat e dritareve të katit të sipërm, kështu
Familja Nushi u detyrua të merrte masa, duke ngritur avllinë në lartësi. Në të dyja faqet e brendshme anësore të avllisë, ndodhen dy kamare, shenja konvencionale që dëshmojnë se muratura e avllisë i përket pronës nga ana e kamareve. Kjo me siguri aplikohej për të shmangur mosmarrëveshje të mundshme midis kufitarëve, duke qenë se muret e trasha zinin një sipërfaqe të konsiderueshme. Ky është një tjetër fakt interesant i harruar tashmë, mbi mënyrën e të menduarit dhe të ndërtuarit. Kati përdhe përbëhet nga një sallon i madh përshkues i të gjithë planimetrisë dhe që të nxjerr tek kopshti i pasëm. Ky sallon quhej “hajat” edhe pse nuk ishte mirëfilltazi një i tillë, dhe ishte e shtruar me pllaka të mëdhaja prej mermeri gri, me shumë gjasë antike dhe të ricikluara dhe me pllaka qeramike. Në fund të këtij “hajati” dilej për në “bahçen e madhe”, duke zbritur disa këmbë shkallë, bazamakët e së cilës duken elemente arkitektonike të ripërdorura. Ky kopsht kishte një pus, i cili me anë të një sistemi ujëmbledhës ushqehej edhe nga ujërat e shiut që vinin nga çatia. Me sa duket uji i pijshëm ekonomizohej në Durrësin e fundit të 1800-ës. Shkallët kryesore që ngjiteshin për në katin e sipërm janë në të djathtë të portës hyrëse. Rampa e shkallëve ka formë të kombinuar, harkore dhe të drejtë. Ajo është trajtuar me një tambur tepër të rrallë druri dhe me parmakë të punuar.
Kati i parë
Sapo ngjitesh në katin e sipërm gjendesh në një sallon gjigand me gjatësi gati 16 metra dhe gjerësi gati 4 metra. Ky ambient duket se ishte ideuar gjithashtu për të treguar fuqinë ekonomike të poseduesit. Edhe pse pronarët i përkisnin besimit ortodoks dhe orientimi i tyre kulturor ishte nga bota greke dhe italiane, ata nuk mund t’i shpëtonin turqizmave, e kjo vërehet në shumë emërtime elementësh, si për shembull “divanhane” (vendi i divaneve), emër me të cilin emërtohej ky sallon gjigand.

Nga kjo kuptojmë se funksioni i tij ishte jo vetëm shpërndarës, por edhe një sallon pritje. Në secilin krah të sallonit zhvillohen nga tre dhoma të mëdhaja dhe një tualet në njërën anë. Në të djathtë të shkallëve, gjendet dhoma e pritjes, “oda e madhe”. Funksionin e saj origjinal e kuptojmë lehtësisht nga afërsia me shkallën, nga përmasat (është dhoma më e madhe e banesës) dhe nga dekori i veçantë i aplikuar aty. Muret e kësaj dhome janë pikturuar me afreske. Dhoma e parë në të majtë të sallonit kishte tavanin më të veçantë të banesës, me një modul tetëkëndësh.

Kati i dytë (papafingo)
Kati i sipërm i banesës ishte një papafingo e shfrytëzueshme. Ajo arrihej përmes shkallëve që ndodheshin në ambientin e gatimit. Planimetria pothuajse katrore e shtëpisë detyronte që hapësira e shfrytëzueshme e papafingos të kishte planimetrinë në formë kryqi grek, pra me brinjë të barabarta. Papafingo emërtohej “mafil”, ndërsa dera hyrëse për në papafingo, në majë të shkallëve, emërtohej “katraf”, një term ky i çuditshëm. Një shpjegim të mundshëm mund ta gjejmë në fondin e gjuhës arabe, shumë terma të së cilës u huazuan nga osmanët, e më pas zunë vend në fjalorin e gjuhës shqipe. Një term i tillë do të thotë “vjelje”, “grumbullim”, e kjo përkon me faktin se papafingo përdorej edhe për depozitimin e ushqimeve.

Disa kuriozitete mbi teknologjinë dhe materialin ndërtimor
Një pjesë e materialeve ndërtimore të banesës duhet të jetë e importuar. Gjurma që kemi për këtë është vulosja e “pareteve” (mureve) të drunjta të papafingos, ku dallohet “TRIESTE”, por pa mundur të vjelim më shumë informacion. Një tjetër tregues mbi importimin e materialeve janë dorezat prej bronzi të dyerve, doreza identike me ato të dyerve të pallatit perandorak Dollmabahçe, në Stamboll.
Nuk e dimë nëse tullat janë prodhuar në vendin tonë apo janë të importuara. Tjegullat janë të tipit të thjeshtë, të lugëta dhe në pjesën e sipërme kanë të përvijuar me gisht, para pjekjes, një formë të ngjashme me germën “S”. Por edhe në këtë rast nuk kemi informacion as për origjinën e tyre dhe as për shpjegimin e simbolikës mbi to.
Konstruksioni i tarracës mbi oborr përbëhet nga shina dekovili mbi të cilat janë mbështetur qemere të shtrira prej tulle dhe mbi to janë shtruar pllaka qeramike silikate. Kjo teknikë e ndërtimit të soletave ishte shumë e përhapur në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Shpikja e udhës së hekurt i kishte bërë një favor të madh inxhinierisë së ndërtimit.

Një detaj tjetër interesant, një teknologji e harruar tashmë, është mënyra se si janë fiksuar menteshat e hekurta të grilave në korrnizat prej guri, në katin përdhe. Ato janë fiksuar në vrimën e korrnizës me plumb të shkrirë e të derdhur në vend. Kjo ishte një mënyrë e sigurtë dhe tepër rezistente. Një teknologji tjetër e harruar që vlen të përmendet është izolomi i xhamave të dritareve me stuko. Sipas gojëdhënës, rreth vitit 1919 filloi elektrifikimi i banesave civile në Durrës. Kësaj kohe duhet t’i përkasi sistemi elektrik i banesës, i cili është aplikuar mbi mure dhe jo brenda tyre.

Në katin e sipërm, nga ana e brendshme e mureve, dallohen shufra metalike. Këto janë tiranta metalike të vendosura pas tërmetit të madh të dhjetorit 1926. Me sa duket, banesa edhe pse e re, kishte pësuar dëmtime. Tërmeti kishte goditur pikën e dobët të banesës, që ishte mungesa e lidhjes midis murit perimetral dhe mureve të brendshëm. Lëkundjet e fuqishme sizmike dhe pesha e madhe e çatisë kishin aktivizuar forcat horizontale, duke provokuar hapjen e mureve perimetrale në drejtimin e jashtëm. Me anë të kësaj teknike cikli jetësor i ndërtesës në Durrësin e tërmeteve u zgjat ndjeshëm.
Dekoret
Do të ndalemi në dy prej elementëve më të veçantë dekorativë të shtëpisë. Elementi i parë është tavani me kornizë tetëkëndëshe. Duke parë kontekstin historik e kulturor të ndërtimit të banesës, figura tetëkëndore justifikohet lehtë, pasi ky modul aplikohej gjerësisht në tavanet e periudhës osmane në Shqipëri. Por ndryshe nga rasti tipik, ku pjesa e brendshme e tetëkëndëshit dekorohej me një rrjetë kuadratike listelash, në rastin tonë listelat janë vendosur në trajtë rrezore, një rast tepër i rrallë, mbase unik. Ndoshta ndërtuesi apo porositësi kanë dashur ta zbatojnë këte perlë në dhomën me afreske, por përmasat drejtkëndore të dhomës së pritjes do të rrëzonin raportet e mrekullueshme të dizajnit të këtij tavani vërtet të rrallë. E veçanta tjetër qëndron në faktin se rozeta qendrore, edhe kjo tetëkëndore, është dekoruar me një rreth të plotë. Rrethi dhe rrezet të bëjnë të mendosh për simbolikën e diellit dhe rrezet e tij. Siç duket po përjetohej një thyerje në traditë, një fazë tranzitore.

Elementi i dytë është dallëndyshja. Përveçse në dhomën e pritjes, dallëndyshet i gjejmë edhe në fasadën kryesore, përmbi harkun e portës së taracës. Aty ndodhej një kompozim interesant, sot shumë pak i dallueshëm. Në qendër ishte një kokë luani, element i ricikluar, me gjasë një gargoil, objekt i marë në dorëzim nga autoritetet arkeologjike në periudhën e diktaturës. Në dy anët e luanit ishin të pikturuara dy dallandyshe, simetrike, secila me nga një pusullë në sqep, në të djathtën dallohet edhe sot “1901”, në të majtën dallohen shumë zbehtë disa rreshta në greqisht, por pa mundur të kuptojmë përmbajtjen.
Përfundime
Edhe pse e njëjta banesë, nga faza e përdorimit nga Familja Mima (para vitit 1901) në fazën e përdorimit nga Familja Nushi (pas 1901), vërejmë tendencën për shkëputje nga mënyra gjysmë rurale e jetesës në qytet. Territori me karakter blegtoral e bujqësor që Familja Mima kishte karshi shtëpisë, nuk ishte më i nevojshëm. Ekonomia po shkëputej nga vartësia prej burimeve direkte natyrore dhe po rritej nevoja për shërbime. Kopshtet urbane po tkurreshin ndjeshëm.
Ndërtimi i një banese vërtetë të madhe, në përmasa dhe dekore, tregon qartë për ekzistencën e një klase borgjeze në Durrësin e fundit të 1800-ës, që kishte guxuar të jetonte përtej mureve rrethuese. Kjo shtresë orientohej kryesisht drejt tregtisë dhe arsimimit në perëndim. Kontakti me perëndimin ndikoi dukshëm në mënyrën e jetesës, sidomos në popullsinë ortodokse që kishte një autonomi kulturore nga bota osmane. Kishte filluar të kuptohej se jetesa si në Evropë, ku familja ndan në mënyrë të barabartë dhe integrale hapwsirat e banimit, ishte më njerëzore dhe qytetare sesa organizimi hierarkik i ambienteve. Banesa nuk njihte më zonifikime gjinore dhe moshore. Selamllëku dhe haremi nuk ekzistonin më. Shtëpitë tashmë ishin larg stilit osman me çardak e hajat dhe ngjasonin me stilet e aplikuara në Itali, Austri dhe vende tw tjera. Druri nuk ishte më gjerësisht i pranishëm nëpër fasada. Pikturat murale me perspektiva nga Stambolli dhe me lule imagjinare e gjeometrike nuk kishin më vend. Afresket me dallëndyshe janë vërtet të veçanta, mbase unike dhe bëjnë kuptim në një banesë ortodoksësh, si inerci e traditave të hershme dekorative kristiane. Pranvera dukej se po afronte, dallëndyshet e tregonin.