Trafikoi fishekë dhe armë përmes Portit të Durrësit, arrestohet 55- vjeçari

Ndonëse gjuetia është e ndaluar në Shqipëri që prej vitit 2014 me moratorium, Policia Kufitare në Portin e Durrësit arrestoi një 55-vjeçar që tentoi të fuste 1000 fishekë dhe një armë gjahu, si edhe 20 mijë euro të padeklaruara.

Një 55-vjeçar nga Tirana u arrestua mesditën e së hënës në Portin e Durrësit, pasi tentoi të fuste në territorin shqiptar një sasi fishekësh gjahu, një armë gjahu, si dhe 20 mijë euro të padeklaruara.

“U arrestua në flagrancë Kujtim Aliaj, 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi tentoi të fuste nëpërmjet Portit të Durrësit 1000 fishekë gjahu, një armë gjahu dhe rreth 20.000 euro”, njoftoi policia vendore në një njoftim për shtyp.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, si rezultat i kontrolleve të shtuara në hyrje-dalje dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, evidentuan tentativën e 55-vjeçarit për trafikim të municionit dhe mosdeklarim të të hollave në kufi. Policia bëri me dije se ai kishte fshehur në automjetin me të cilin udhëtonte sasinë e fishekëve, armën dhe shumën prej 20 mijë eurosh, të ndara në disa prerje 50-çe.

“Gjatë kontrollit në kamionin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në kabinë municionet, armën dhe eurot, të cilat u sekuestruan si prova materiale, bashkë me kamionin, pasaportën dhe celularin e 55-vjeçarit”, theksoi policia në njoftim.

Si rezultat, 55-vjeçari u arrestua për veprat penale ‘Trafikimi i armëve dhe i municionit’ dhe ‘Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë’, ndërsa materialet procedurale iu referuan organit të akuzës për veprime të mëtejshme.

Ndonëse në Shqipëri është vendosur moratorium për ndalimin e gjuetisë që prej vitit 2014, rastet e trafikimit të armëve dhe municioneve të gjahut vijojnë të evidentohen.