Muzika dhe vallëzimi bashkojnë 400 artistë nga tetë vende të botës në Durrës
Emocionet dhe traditat popullore të artistëve nga tetë vende të botës janë bashkuar në Durrës në Festivalin e Muzikës dhe Valleve, ngjarje kulturore e cila do të mbush me tinguj dhe ngjyra sheshin “Liria” përgjatë gjithë këtij sezoni veror.

Grupi i artistëve nga Ukraina në paraqitjen e tyre të parë në festival. Foto: Media Amfora
Amfiteatri antik ishte skena e hapjes së Festivalit të Këngëve dhe Valleve, që çeli siparin mbrëmjen e 19 qershorit në qytetin e Durrësit. Ngjarja kulturore e kthyer tashmë në një traditë këtë vit ka bërë bashkë 400 artistë pjesëmarrës.
“Këtë vit kemi pjesëmarrës artistë nga Ukraina, Polonia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Turqia dhe Serbia, si dhe vendin mikpritës Shqipëria”, tha në hapje të ceremonisë Zoran Strezovski, President i “World Festival Association”, që mbështet këtë sipërmarrje.
Ky është edicioni i 32 – të i këtij aktiviteti që është kthyer tashmë në një traditë, pasi bënë bashkë vlerat më të mira folkloristike të vendeve pjesëmarrëse dhe shërben si një urë bashkëpunimi mes artistëve të rinjë.
Për presidentin e festivalit pjesëmarrja me artistë është rritur nga viti në vit, ndërsa këtë vit synohet që të zhvillohet edhe në një qytet tjetër shqiptar.
“Festivali e ka nisur rrugëtimin në Durrës që në viti 2016. Çdo vit kemi më shumë pjesëmarrës që sjellin kulturën e tyre dhe njohin atë shqiptare. Këtë vit kemi vendosur të sjellim edhe një edicion tjetër në Sarandë, në muajin tetor”, tha presidenti Zoran Strezovski .
Vetë artistët pjesëmarrës e kanë cilësuar Shqipërinë vend të veçantë dhe mbresëlënës dhe Durrësin si një qytet mjaftë mikpritës.
Hapja e festivalit tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të apasionuar pas folkut dhe traditave, ndërsa është ndjekur me mjaft interes dhe nga turistët që ndodhen në këtë sezon veror në qytet.
Ngjarja më e rëndësishme artistike rinore e këtij sezoni do të vazhdojë çdo natë, ku grupet pjesëmarrëse do të paraqesin larmishmërinë e muzikës, valleve edhe kostumeve popullore të vendeve nga vijnë.