Organizatat për lirinë e medias në mbështetje të aktivistes Flutura Kusari

Flutura Kusari, aktiviste për lirinë e medias në Kosovë, ka nisur një betejë ligjore kundër Mentor Llugaliut, mbështetës i Vetëvendosjes, për ngacmime dhe fyerje online që kanë zgjatur 3 vjet. Organizatat ndërkombëtare e mbështetën aktivisten, duke kërkuar hetim të shpejtë dhe të plotë të rastit.

Flutura Kusari, këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), nisi një përballje ligjore ndaj Mentor Llugaliut pas ngacmimeve të vijueshme online ndaj saj, të nxitura nga puna në monitorimin e zgjedhjes së bordit të Radio Televizionit të Kosovës, ku Llugaliu kandidoi për t’u bërë anëtar. 

Organizatat për lirinë e medias, pjesë e Media Freedom Rapid Response dhe Platformës së Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve, dolën në mbështetje të Kusarit dhe betejës ligjore të nisur prej saj. Me anë të një letre mbështetëse të publikuar të premten, organizatat kërkuan hetim të shpejtë dhe të plotë të rastit.

“I bëjmë thirrje Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të ndërmarrë dhe garantojë hetim të shpejtë, të paanshëm dhe të plotë të këtij rasti,” thuhet në letrën e firmosur nga 13 organizata në mbështetje të medias.

Organizatat thanë se do ta monitorojnë nga afër rastin, duke dalë kundër ngacmimit online që po përsëritet së fundmi dhe në mbrojtje të fjalës së lirë.  

“Si një rast thelbësor në luftën kundër ngacmimit online ndaj mbrojtësve të fjalës së lirë, sidomos atyre gra, ne organizatat ndërkombëtare që e kemi nënshkruar këtë letër do të monitorojmë nga afër këtë rast. Shpresojmë që kallëzimi penal do të çojë në një rezultat që do të shënojë një hap të rëndësishëm në luftën kundër abuzimit online të grave,”  thuhej në deklaratë.

Ngacmimet nëpërmjet profileve publike në rrjete sociale të Llugaliut kanë nisur që në vitin 2021, kohë në të cilën Flutura Kusari, në emër të ECPMF-së, kishte monitoruar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Transmetuesit Publik të Kosovës, RTK, nga Kuvendi i Kosovës, duke mbështetur dhe avokuar për përzgjedhjen e anëtarëve të pavarur politikisht.

Kusari me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se ka vendosur që të bëjë kallzimin, pasi pjesë e targetimeve nga Llugaliu janë bërë dhe familjarë të saj.

 “Për tre vite kam hezituar të ushtroj kallëzim penal, sepse vepra penale e ngacmimit është e re dhe sepse jam frikësuar që kallëzimi penal do ta nxisë të pandehurin Llugaliu që të më ngacmojë edhe më shumë. Kam vendosur të filloj procedurën penale kundër tij, pasi ai filloi të targetojë nënën dhe bashkëshortin tim. Ata nuk duhet të pagujnë çmim për aktivizmin tim,” shkroi Kusari në një postim të premten në profilin e saj në Facebook.

 Llugaliu, i cili njihet si mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet në Kosovë, kandidonte për anëtar bordi në atë kohë, por kandidatura e tij nuk fitoi. Por, edhe pse Kusari nuk e ka përmendur ndonjëherë të paditurin Llugaliu me emër, në bazë të postimeve të tij, ai e fajëson atë për dështimin e tij që të bëhej anëtar i bordit.

Për oganizatat në mbrojtje të lirisë së medias shumë nga postimet e Llugaliut janë poshtëruese dhe nxitëse, duke e targetuar vazhdimisht Kusarin dhe duke e akuzuar për ndikim në vendime politike dhe se postimet janë të  shoqëruara me gjuhë denigruese ndaj saj, duke shkaktuar shqetësim të thellë për këshilltaren dhe familjen e saj.