Turistja sllovake humbi jetën në plazhin e Golemit, rasti i dytë për këtë sezon veror

Një turiste nga Sllovakia ka humbur jetën në plazhin e Golemit, duke shënuar rastin e dytë të ngjarjeve aksidentale të cilat përfundojnë me viktima në Durrës, ndërsa siguria në plazhe ka ende problematika. 

Një 79 vjeçare nga Sllovakia që kishte ardhur me pushime në vendin tonë ka humbur jetën. Policia Vendore e Durrësit tha se guaja është mbytur aksidentalish duke u larë në det.

“Rreth orës 19:30, te Shkëmbi i Kavajës, duke u larë në det, është mbytur aksidentalisht shtetasja M. R., 79 vjeçe, banuese në Sllovaki”, tha Policia e Durrësit në një njoftim për shtyp të shpërndarë të martën. 

Sipas informacionit grupi hetimor po kryen hetimet për sqarimin edhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe shkakut të mbytjes.

Ky është rasti i dytë i ngjarjeve aksidentale brenda muajit qershor që u marrin jetën pushuesve në plazhet e Durrësit. Në datën 12 një burrë 73 vjeçar nga Kavaja humbi jetën në plazhin e Qerretit pasi pësoi arrest kardiak në momentetin kur u fut në det për tu larë.

Këto ngjarje nxjerrin në pah problematikën me sigurinë në plazhe, ku rojet bregdetare dhe shërbimi që ofrohet në kullat e vrojtimit apo masa të tjera të nevojshme ende nuk plotësojnë kushtet në shumë hapësira private e publike.