Goditen tentakulat e krimit të organizuar në Durrës

Autoritetet e drejtësisë italiane dhe shqiptare pas një hetimi 5-vjeçar kanë goditur një nga organizatat kriminale më të rrezikshme në vend, me bazë në Durrës dhe me 3 nëndegë për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në kërkim u shpall edhe Elvis Doçi, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, së bashku me mbi 40 të dyshuar të tjerë.

Forcat Speciale gjatë aksionit në Durrës. Foto: Media Amfora

Forcat Speciale të Policisë së Shtetit zbarkuan herët në rrugët e qytetit të Durrësit dhe të Vlorës, duke u gjendur në dyert e eksponentëve më të rëndësishëm të krimit të organizuar në qytetet bregdetare, në përmbyllje të një hetimi 5 vjeçar të SPAK-ut dhe Antimafias italiane.

“I është dhënë një goditje një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave”, tha kreu i SPAK-ut, Altin Dumani në konferencën për shtyp, duke shtuar se, “U godit një prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend”.

Skema e plotë e veprimtarisë kriminale sipas Dumanit mësohet se është zbardhur përmes dekriptimit të komunikimeve në platformën “Sky ECC”. 

Sipas prokurorit të çështjes, Vladimir Mara, disa prej drejtuesve të kësaj organizate kriminale janë arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Ajo e kishte qendrën në qytetin e Durrësit dhe operonte me 3 nëndegë. 

Autoritetet dokumentuan 30 transaksione të dërgimit të parave nga Italia drejt Shqipërisë me vlerë rreth 5 milionë euro, kryesisht përmes linjave të autobuzëve. Ndërsa pasuritë dhe vlerat “cash” të sekuestruara kapin vlerën e rreth 7 milionë eurove. 

Autoritetet zbarkuan në Durrës, ku sekuestruan 3 restorante dhe një bar-kafe, të vendosura kryesisht në lagjen numër një, 6 shoqëri dhe një stacion televiziv privat në Vlorë, që saktësisht rezulton një rrjet televiziv kabllor.

Në rrjetën e hetimit ra edhe Ervis Doçi, që dyshohet si një nga personat më me ndikim dhe që mban nofkën “Visi i Pojës”, për shkak të lidhjeve familjare me “Pojën”, emri i të cilit është Xhevdet Troplini, i skeduar herët në trafikun e drogërave të forta.

Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për administratorin e një agjencie udhëtimi në Fier, një avokat në Durrës dhe për 2 ish-punonjës policie. Hetimi i autoriteteve identifikoi edhe nofkat me të cilat ato njiheshin jo vetëm brenda grupit kriminal, por edhe në qytetin e Durrësit. 

Gjatë operacionit të përbashkët është bërë e mundur të ekzekutohen në total 40 masa sigurimi, ndërsa të tjerët nuk janë arritur të arrestohen. Sipas konferencës për shtyp Gjykata e Posaçme ka lëshuar 29 masa sigurimi “arrest me burg” në Shqipëri, ndërsa në Itali janë lëshuar gjithashtu 22 masa sigurie ndaj anëtarëve të tjerë të organizatës.  

Në një konferencë për mediat mesditën e 21 majit, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, bëri të ditur rezultatet e operacionit të koduar “Ura”, në prani të Kryeprokurori të Barit, Roberto Rossi, Drejtorit të Antimafias italiane, Gjeneral Michele Carbone dhe përfaqësuesi i “Eurojust” për Italinë, Gianluca Forlani.