Krimi zgjedhor, SPAK procedon dy persona për blerje votash në Kukës 

Prokuroria e Posaçme njoftoi se kryeplaku i fshatit Lusen në Kukës dhe një tjetër person janë përfshirë në veprime aktive duke premtuar dhe ofruar shuma monetare për zgjedhësit në disa fshatra, për të votuar në favor të Partisë Socialdemokrate (PSD). Ata janë proceduar penalisht për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Prokuroria e Posaçme njoftoi se kryeplaku i fshatit Lusen në Kukës dhe një tjetër person janë përfshirë në veprime aktive duke premtuar dhe ofruar shuma monetare për zgjedhësit në disa fshatra, për të votuar në favor të Partisë Socialdemokrate (PSD). Ata janë proceduar penalisht për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

SPAK regjistroi më 13 maj procedim penal për “Korrupsion aktiv në zgjedhje” ndaj kryeplakut të fshatit Lusen në Kukës dhe një personi tjetër që akuzohen për blerje votash në favor të Partisë Socialdemokrate (PSD), e drejtuar nga Tom Doshi. 

Sipas SPAK hetimi filloi mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.

“Nga të dhënat e siguruara rezulton se një grup personash, përmes veprimeve aktive kanë premtuar dhe ofruar shuma monetare në Qarkun Kukës, duke kërkuar të votojnë për një subjekt të caktuar politik, pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 Majit 2025”, shkruhet në njoftim.  

Gjatë operacionit mbrëmjen e 10 majit, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit K.P., të cilit i janë gjetur me vete dhe sekuestruar rreth 205 mijë lekë dhe 525 euro, një aparat celular dhe një automjet i llojit “Mercedes Benz”. Ndërkohë është është shpallur në kërkim kryeplaku i fshatit Lusen në Kukës, me iniciale G.P.

“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit G.P. dhe K.P. janë përfshirë me veprime aktive, duke u premtuar dhe ofruar shuma monetare shtetasve votues në Njësinë Administrative Ujmisht, në fshatrat Lusen, Matranxhë, Bushtricë të rrethit Kukës, për të votuar në favor të subjektit politik  (PSD)”, u njoftua zyrtarisht. 

Personat akuzohen se kanë kryer elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në bashkëpunim”, citohet në njoftim dhe shtohet se po vijohen hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë penale personat, të cilët morën shumat monetare në këmbim të votave të tyre.