Mbrojtja e burimeve, Gjykata Kushtetuese njeh të drejtën e gazetarit Qyno
Gjykata Kushtetuese çmoi se e drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit është një nga kushtet e lirisë së medias. Ajo pranoi kërkesën e gazetarit Elton Qyno dhe shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Posaçme, asaj të Lartë dhe kërkoi që të asgjësohen të dhënat kompjuterike të sekuestruara edhe “pa arsyetuar urgjencën”.

Gazetari i "Ora News", Elton Qyno, gjatë një interviste në televizion. Burimi: "Screenshot" nga video
Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi të marrë në unanimitet vendosi të cilësojë si antikushtetuese të gjitha veprimet që janë kryer nga prokurorët e SPAK, gjyqtarët dhe oficerët e BKH-së, në lidhje me çështjen ndaj gazetarit të Ora News TV, Elton Qyno.
Më 22 prill, gjykata arriti në përfundimin se gazetari legjitimohet dhe ka shteruar mjetet juridike në dispozicion vetëm për kundërshtimin e vendimit që ka lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, që është kundërshtuar prej tij deri në Gjykatën e Lartë.
“E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias. Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë”, argumenton Gjykata Kushtetuese.
Sipas gjykatës, e drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut.
Në lidhje me këtë vendim që u shpërnda mbrëmjen e së martës, gazetari Elton Qyno u shpreh se ka fituar betejën dhe se kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë për të.
“Ishte dhe vijon të jetë për mua, një periudhë jo e mirë që më hoqi totalisht vëmendjen time nga krijimtaria profesionale, pasi i gjithë fokusimi u përqendrua në kalvarin ligjor të seancave gjyqësore, ku më duhet të mbroj veten dhe profesionin, me një palë jo të lehtë për ta kundërshtuar”, u shpreh Qyno në një postim në rrjetet e tij sociale.
Në trajtimin e themelit të çështjes, gjykata argumentoi se është ndalur në analizën e pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes të garantuar nga Neni 22 i Kushtetutës dhe Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, KEDNJ-së, duke arritur në përfundimin se liria e shprehjes përfshin ndër të tjera edhe lirinë e shtypit.
Vendimet gjyqësore të Gjykatave të Posaçme dhe Gjykatës së Lartë, që kanë kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të gazetarit, çmohen se kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së tij.
Duke u shprehur për vendimin e gjykatës, gazetari theksoi se përveç raportimit të drejtë dhe profesional, s’ka kryer asnjë krim tjetër, ndaj drejtësia u vendos në vend.
“Nëse quhet krim, për një gazetar kronike se jep një mendim kritik apo sjell në publik detaje dhe fakte të vërteta nga dosjet hetimore, që ka në gjykim SPAK apo qoftë dhe prokurori të tjera, atëherë duhet ta pranojmë se jetojmë në kohën e Koçi Xoxes dhe jo në kohën, kur trumbetohet liria e shprehjes dhe aderimi në BE”, u shpreh Qyno.
Ndërhyrja në lirinë e shprehjes në këtë rast vlerësohet se nuk është proporcionale sipas Gjykatës Kushtetuese dhe se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjeti i fundit, si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim. Po ashtu, çmohet se gjykatat nuk kanë arsyetuar në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të Qynos.
Bazuar në këto arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të dhjetorit të vitit 2023, për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, si edhe vendimet e gjykatave më të larta që e kanë lënë në fuqi.
Gjithashtu është është pranuar kërkesa e Qynos për asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e mësipërme të shfuqizuara.
Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor 2023 për rrjedhje informacioni në media të materialeve nga një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, ndërsa pas një kontrolli në shtëpinë e tij dhe në zyrë, Prokuroria e Posaçme sekuestroi celularët dhe mjetet elektronike.
Gazetari Qyno e kundërshtoi vendimmarrjen si shkelje e të drejtave të tij si gazetar dhe vijoi betejën ligjore për disa muaj.
Pretendimi për cenimin e së drejtës për jetë private nuk është trajtuar, për sa kohë është gjetur shkelje në lirinë e shprehjes së Qynos, duke shfuqizuar vendimet e Gjykatave të Posaçme dhe Gjyaktës të Lartë.