Aksidentet rrugore, policia në Durrës sensibilizon nxënësit e shkollave përmes simulimit
Respektimi i rregullave bazë të qarkullimit rrugor dhe masat paraprake që duhen marrë për të shmangur aksidentet fatale, po u shpjegohen nxënësve të shkollave 9 vjeçare dhe të mesme, nga Policia e Durrësit, si pjesë e Programit të Fazës së Tretë të Forcimit të Policimit në Komunitet në Shqipëri.

Ekspertë të qarkllimir rrugor në Drejtorinë e Policisë Durrës së bashku me pjestarë të Programit të Fazës së Tretë të Forcimit të Policimit në Komunitet në Shqipëri, kanë qenë dy ditët e fundit në shkollat “Leonik Tomeo” dhe “Olsi Lasko”, ku kanë demonstruar para nxënësve se si ndodh një aksident, duke përdorur një mjet simulues.
Gjatë demonstrimit, nxënësit kishin mundësinë të shihnin në mënyrë të sigurt dhe të kuptojnë dinamikën e aksidenteve rrugore. Ky simulim i ndihmoi ata të kuptojnë rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe ndikimin që veprimet e pakujdesshme mund të kenë në sigurinë e të gjithëve në rrugë.
Një automjet në oborret e shkollave i vendosur mbi një mjet karrotrec tërhoqi vëmendjen e nxënësve, të cilët nëpërmjet një aksidenti simulues panë nga afër dinamikën e ngjarjes.
Ekspertët e qarkullimit rrugor vunë theksin tek rëndësia e përdorimit të rripit të sigurimit, respektimin e sinjalistikës rrugore dhe shmangien e përdorimit të telefonave gjatë drejtimit të automjetit.
Në shkollat 9-vjeçare “Abedin Dino”, “Bajram Curri”, në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli”, gjatë muajit prill aktivitetet edukative kishin për qëllim të ndërgjegjësonin nxënësit dhe të promovonin një kulturë më të sigurt dhe më të përgjegjshme të qarkullimit rrugor në komunitet.
Me nxënësit është diskutuar rëndësia e vëmendjes së shtuar kur ecet ose kalohet rruga, duke i bërë të qartë se siguria rrugore është përgjegjësi e të gjithëve.
Sipas programit nxënësit kanë mësuar rregullat bazë të trafikut, si ndalimi në semaforët e kuq, përdorimi i kalimeve për këmbësorët dhe respektimi i sinjalistikës rrugore. Nëse udhëtojnë me biçikletë ose motor, mbajtja e helmetave është thelbësore. Gjithashtu, janë mësuar se kur janë në makina, duhet të sigurojnë gjithmonë që të përdorin rripat e sigurimit.