Digjet xhamia në Shupenzë të Bulqizës, dyshohet për defekt në rrjetin elektrik 

Një objekt kulti u dogj mëngjesin e së premtes në fshatin Shupenzë të Bashkisë Bulqizë, ndërsa për fat të mirë nuk pati të lënduar. Xhamia u dogj totalisht, duke mbetur në këmbë vetëm muret dhe minarja, një ngjarje që ka trishtuar besimtarët në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Foto gjatë momentit të rënies së flakëve. "Screnshoot" nga video në Facebook e faqes: "Ketu mblidhen Dibranet"

Teka muaji i shenjtë i Ramazanit po shkon drejt fundit për besimtarët myslimanë, xhamia e fshatit Shupenzë u dogj pothuajse plotësisht mëngjesin e kësaj të premteje. 

Ngjarja e rëndë për besimtarët myslimanë, por edhe për të gjithë banorët e zonës ndodhi pak pas faljes së mëngjesit, duke nisur fillimisht në pjesën e sipërme.

Flakët dyshohet se u shfaqën në katin e dytë të xhamisë, aty ku kryen ritet fetare të grave dhe vajzave besimtare. Ishin banorët e fshatit ata të cilët sapo kanë parë flakët kanë kërkuar ndihmën e repartit të zjarrfikëses së Bulqizës.

Mësohet se deri në mbërritjen e forcave zjarrfikëse në vendngjarje, që më pas neutralizuan flakët, zjarri kishte përfshirë totalisht objektin, duke e shkrumbuar perimetrin e brendshëm.

Xhamisë dykatëshe që ndodhet në periferi të fshatit Shupenzë i kanë mbetur vetëm muret, ndërkohë që besimtarët e zonës tashmë nuk kanë një objekt për të kryer ritet e faljes.

Në vendngjarje ka shkuar edhe policia që ka nisur hetimet për të zbardhur motiviet e kësaj ngjarje, që sipas dyshimeve të para si shkak mendohet të ketë qenë një defekt në rrjetin elektrik.