Degradimi i zbulimit arkeologjik tek Gjergj Kastrioti, përmbytjet po rrezikojnë gjetjet
Zbulimi arkeologjik i strukturave të një vile luksoze, i të paktën 5 mozaikëve dhe i gjetjeve të rëndësishme për Durrësin, po degradohen nga përmbytjet e ujërave të shirave. Autoritet nuk kanë marrë masa për drenimin e sitit, duke i lënë të përmbytua sa herë bien shira të rrëmbyeshëm.

Siti arkeologjik i përmbytur nga ujërat e shiut. Foto: Media Amfora
Shirat e furishëm në javët e fundit në qytetin bregdetar të Durrësit përmbytën edhe zbulimet arkeologjike të jashtëzakonshme në territorin e gjimnazit të shembur për tu rindërtuar, “Gjergj Kastrioti”.
Institucionet e kulturës dhe autoritetet nuk kanë parashikuar një plan për drenimin e sitit arkeologjik, me qëllim ruajtjen e strukturave të zbuluara, përfshirë 5 mozaikët. Një situatë që më herët në Durrës është përsëritur në kantieret për ndërtimin e pallateve dhe që ka pasur rezultat shkatërrimin e zbulimeve nga kushtet atmosferike përgjatë dimrit.
Insitutiti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) shpjegoi për Amforën se janë marrë masa për konservimin e zbulimeve arkeologjike, një proces teknik që i ruan zbulimet nga dëmtimet sipërfaqësore dhe nga kushtet normale të motit, por jo nga shirat e dendur dhe që përmbytin kantierin.
“Në lidhje me masat mbrojtëse për gjetjet ‘in situ’ sqarojmë se nga ana e subjektit të licencuar në arkeologji janë marrë masat paraprake (‘backfill i stit’), përdorimi i gjeotekstilit për mbulimin e strukturave”, shpjegoi IKTK, pa treguar se si ishte planifikuar drenimi i kantierit nga ujërat e shiut.

Gërmimet që nisën fillimisht për të rindërtuar pas tërmetit gjimnazin historik të Durrësit, “Gjergj Kastrioti”, zbuluan një strukturë arkeologjike unike për Shqipërinë dhe që sipas arkeologut që drejtoi gërmimin, Luan Përzhita, ai përbëhet nga 16 dhoma, e të paktën 4 pishina.
E zbukuruar me 5 mozaikë, ajo mund të ketë qenë një vilë e madhe luksoze, por ndoshta edhe një tempull. Megjithatë ky zbulim arkeologjik që ishte një mundësi e re që Durrësi të ketë një pol të ri arkeologjik, po degradohet me shpejtësi nga dëmtimet e strukturave si pasojë e ujit që shpërbën strukturat me përbërje balte dhe ato deliakte, si mozaikët.
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), miratoi vitin e kaluar raportin e gërmimit arkeologjik, për t’i hapur rrugën konservimit të gjetjeve.
“Në mbledhjen e datës 25.10.2024 (KKTKM), ka shqyrtuar dhe ka miratuar me vendim Nr. 425 Raportin e Gërmimit arkeologjik të shpëtimit, hartuar nga individi i licencuar në arkeologji Luan Përzhita, në kuadër të projektit ‘Rindërtimi i gjimnazit Gjergj Kastrioti’, Durrës”, sqaroi Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Nga njëra anë është kërkuar që të deklarohet interesi kulturor për këto zbulime me rëndësi, e nga ana tjetër nuk duket të jetë menduar se si do të menaxhohen reshjet e shiut në kantier, që mund të ishte realizuar përmes krijimit të një sistemi drenimi dhe pompave mbështetëse për nxjerrjen e ujit nga siti.
“Bazuar në rezultatet e gërmimit arkeologjik, si dhe raportin e hartuar nga Luan Përzhita, IKTK të fillojë procedurën për deklarimin e interesit kulturor për sitin arkeologjik të zbuluar në kuadër të projektit: ‘Rindërtimi i gjimnazit Gjergj Kastrioti’, sqaroi IKTK për vendimin e këshillit shkencor.
Sipas IKTK subjekti i licencuar aktualisht po kryen procesin e konservimit të gjetjeve arkeologjike dhe më pas këto objekte do të depozitohen pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Por kjo është caktuar për objektet që mund të zhvendosen, ndërsa për strukturat e palëvizshme, pritet që ato t’i nënshtrohen procesit të konservimit – nga ana tjetër reshjet e shiut po punojnë më shpejt për rrënimin përfundimtar të tyre.
Fati i gjimnazit që do të rindërtohej me fondet e Bashkimit Evropian, në kuadër të programit “EU4Schools” dhe zbatuar nga UNDP, ka mbetur i paqartë deri në marrjen e një vendimi nëse zbulimet arkoelogjike do të integrohen në ndërtimin e ri apo nëse ai do të kthehet në një sit arkeologjik, duke e ndërtuar gjimnazin diku tjetër.
“Lidhur me ndërtimin e mundshëm të shkollës ju informojmë se pranë Sekretarisë Teknike të KKTKM-së, aktualisht nuk ka një projekt në shqyrtim”, përfundoi sqarimin Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.