8 Marsi ndryshe në Durrës: Marshim, thirrje dhe reflektim
Ndërsa qyteti bregdetar i Durrësit ishte i mbushur me lule sot më shumë se kurrë në sheshet dhe rrugët e tij, një pjesë e aktivisteve ndërmorën një marshim sensibilizues për të kërkuar respektimin e të drejtave të grave dhe reflektim ndaj dhunës me bazë gjinore.

Aktivistet kërkuan drejtësi përpara Gjykatës së Durrësit për viktimat e dhunës. Foto: Media Amfora
Aktivistet në Durrës treguan paraditen e këtij 8 Marsi se kjo nuk është një ditë feste, por një moment për të kërkuar më shumë të drejta për gratë e vajzat, përballë dhunës me bazë gjinore dhe pabarazive.
Marshimi i sotëm nisi përpara Gjykatës së Durrësit, ku vajza dhe gra aktiviste me parrulla në duar qëndruan përpara këtij institucioni, ku nisin edhe shumë sfida, që nga ndjekja e çështjeve për dhunën me bazë gjinore, e deri tek divorci.
“Në 2 muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar pranë Drejtorisë së Policisë Durrës 75 urdhëra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe 12 vepra penale për dhunën në familje”, deklaruan aktivistet e Shoqatës “Gender, Paqe e Siguri”.
“Sot është dita për të kërkuar respektim të të drejtave, hapësira të sigurta për gratë e vajzat, e barazi gjinore, kjo nuk është një festë, ndaj edhe ne sot jemi këtu”, u shpreh Bajana Çeveli, drejtuesja e shoqatës.

Përmes marshimit në rrugët e qytetit, thirrjeve me megafon dhe pankartave, ato theksuan paraditen e 8 marsit se kjo nuk është një ditë feste, duke përcjellë disa mesazhe.
“8 Marsi nuk është festë!”, “Në kujtim të grave të vrara!”, “Gratë kërkojnë të drejta sociale!”, ishin disa prej mesazheve që përcillnin pankartat e aktivisteve.