Shpresat për restaurimin e Urës së Bahçallëkut në Shkodër i merr lumi
Ura e Bahçallëkut humbi një pjesë të saj në nëntor të vitit 2022 pas vërshimit të lumenjve dhe rrezikon ekzistencën e saj pasi humbi 60 metra nga struktura. Por 2 vite nga ngjarja nuk ka më asnjë shpresë për shpëtimin e saj, në mungesë të projekteve dhe masave parandaluese.
“Ura e Bahçallëkut”, një vepër arti Monument Kulture i Kategorisë së Dytë mbi Lumin Drin në Shkodër edhe gjatë kësaj vere nuk do t’i nënshtrohet restaurimit, ndërsa në terren nuk janë kryer as punime për ndërtimin e një argjinature mbrojtëse sikurse u kërkua pas shembjes së pjesshme të urës me rreth 60 metra nga struktura.
Më 11 nëntor të vitit 2022 monumenti morri një goditje të rëndë si pasojë e reshjeve intensive të shiut, por edhe si pasojë e shkarkimeve në masë nga kaskada e HEC-eve mbi Lumin Drin.
Referuar gjendjes aktuale të urës sipas Drejtorins Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Shkodër, objekti është pjesërisht i shembur.
“Që nga viti 2022 ky objekt është pjesërisht i shembur, për shkak të reshjeve të dendura të shiut”, shpjegoi zyrtarisht DRTK Shkodër në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Pas raportimit të situatës së përmbytjeve të dy viteve më parë, DRTK Shkodër shpjegoi se nevojitej ndërtimi i një argjinature që do të mund të përfundohej vetëm përgjatë stinës së verës.
“Duhet ngritja e një sistemi argjinature me leje, duke filluar që në pikëtakimin e Drinit me Kirin. Një pjesë është ndërtuar, përforcimi i këmbëve ekzistuese gjatë verës, për t’i paraprirë dimrit”, shpjegoi në atë kohë Besara Podgorica, drejtoresha e DRTK Shkodër, e pyetur nga Amfora fill pas përmbytjes shkatërrimtare.
Ndërsa jemi në verën e dytë pas shkembjes së një pjese të “Urës së Bahçallëkut”, simbol në Shkodër, asnjë punim i këtij karakteri nuk ka nisur dhe monumenteti pak pak muajsh do të përballet sërish me rrezikun e dimrit agresiv.
Sipas DRTK Shkodër nga monumenti ruhen vetëm disa elemntë, ndërkohë që ura është përballur edhe me vjedhjen e stukturave të saj ndër vite.
“Ajo nuk përdoret më për shkak se në të ruhen vetëm disa elemente metalike, të cilat edhe ato përgjatë viteve janë vjedhur në një pjesë të mirë, ndërsa ato që kanë mbetur janë të ndryshkura”, shtoi DRTK Shkodër në përgjigjen e saj.
“Gjendja e saj aktuale është shumë e degraduar dhe e amortizuar”, analizoi më tej DRTK Shkodër.
Por nuk ka asnjë projekt restaurimi nga autoritetet e kulturës, duke e lënë monumentin në rënie të lirë pavarësisht vlerave që mbart.
DRTK Shkodër ka shpjeguar më herët për Amforën se për shkak të përmasave të dëmtimit, vendndodhjes së objektit, tipologjisë së tij, duhet një projekt hidro-inxhinierik, për të cilin DRTK Shkodër nuk ka mundësi hartimi dhe zbatimi.
E ndërtuar fillimisht prej guri në vitin 1768 nga vezirët Bushatllij, “Ura e Bahçallëkut” u dëmtua rëndë nga vërshimet e ujërave të Lumit Drin përgjatë viteve 1858-’59, që solli edhe nevojën për riparimin e saj. Më vonë ajo u dëmtua sërish nga vërshimet e ujërave në vitin 1880 dhe doli përfundimisht jashtë funksionit.
Ura u rindërtua më vonë duke shfrytëzuar themelet prej guri, por këtë radhë me konstruksion prej hekuri, ndërtuar nga inxhinierët austriakë në kuadër të punimeve sistemuese që ndërmori ushtria austriake në Shkodër në vitin 1914. Ajo është vepra e dytë inxhinierike prej hekuri e ndërtuar në Shqipëri, pas urës mbi Lumin Buna, që u ndërtua në vitin 1898.