Në rënie të lirë drejt shembjes, banesa beratase e Aishe Kamenikut me rrisk të lartë

Një kompleks banimi Monument Kulture i Kategorisë së Parë në Berat, pësoi dëmtime të reja përgjatë dimrit. “Banesa e Aishe Kamenikut” ndodhet në gjendje tepër të rënduar dhe me rrisk të lartë, por megjithatë nuk ka asnjë plan për restaurimin e saj.

Në lagjen “Murat Çelepi” të qytetit të Beratit, i mbrojtur nga UNESCO, gjendet një banesë njëkatëshe, me një arkitekturë mjaft të veçantë dhe ku ende spikasin dritaret e gdhendura në dru dhe bardhësia e mureve.

Por ajo po kalon ditët e saj më të vështira, pasi dimri që lamë pas e rrënoi përsëri dhe pas shembjes dy vite më parë të një ambienti të saj, ndërtimi shekullor gati u përgjysmua. Ajo është pronë e Familjes Kameniku, e cila pavarësisht dëshirës për ta mirëmbajtur nuk ja ka dalë ta restaurojë me fondet e saj.

Ky ndërtim ka Statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1961, i vlerësuar për karakteristikat arkitektonike që ajo dhe mbart është në inventarin e monumenteve të kulturës të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat (DRTK).

Trashëgimtari i banesës, Gëzim Kameniku, thotë se e kanë ngritur çështjen e rrezikut të banesës shumë herë pranë DRTK-së Berat, përpara se prej saj të niste shembja e disa prej ambienteve. 

Dy vite më parë nga banesa u shemb një pjesë e saj e rëndësishme e saj dhe muajt e fundit gjendja është rënduar edhe më shumë. 

“Një hapësirë mes dhomave, u shemb. Gati dy vite më parë”, tregoi ai. “Shkova dhe u thash tek drejtoria. Erdhi vetë drejtori, dy punonjës, e panë, por asgjë nuk u bë sepse nuk kishin fonde”, shtoi burri.

“Banesa e Aishe Kamenikut” është pjesë e një kompleksi banimi, që ndahet së bashku me një familjar tjetër, “Skënder Kameniku” dhe sipas të dhënave zyrtare të dyja gëzojnë statusin Monument Kulture të Kategorisë së Parë.

“Banesa e Aishe Kamenikut”. Foto: Media Amfora

“Faza e parë e banesës ka qenë me çardak në të gjithë ballin e saj dhe gjatë rikonstruksionit të kryer në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, çardaku është mbyllur dhe është kthyer në një banesë të mbyllur’’, tha DRTK Berat, në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.

Sipas trashëgimtarit të familjes, djalit të Aishe Kamenikut, banesa ka 6 dhoma dhe në pjesën e poshte ka një qilar, që e bën tepër të vështirë për familjen mirëmbajtjen e saj. 

“Çdo vit banesa ka nevoja për mirëmbajtje. Çdo vit mundohemi t’i riparojmë diçka, por jo gjithmonë ja dalim”, rrëfeu burri për Median Amfora. 

Vitet e fundit shtëpia ka nisur të shfaqi probleme më të rënduara dhe kërkesat e familjarëve për ndërhyrje nuk morën zgjidhje në mungesë të fondeve. 

“Kam shkuar tek drejtoria e Beratit, por më kanë thënë që nuk kanë fonde”, kujtoi Gëzim Kameniku.

Megjithëse monument kulutre i dorës së parë, banesa ka pësuar dëmtime në disa pjesë të saj përgjatë dimrit të këtij viti.

“Aktualisht banesa është në gjëndje të lartë risku dhe është pasqyruar në relacionet e kryera ndër vite për monumentet në Qarkun Berat, të raportuara në institucionet përkatëse”, sqaroi DRTK Berat për gjendjen e banesës.

Por kontrolli i fundit i banesës është kryer disa vite më parë dhe kohët e fundit gjendja e strukturës së saj është përkeqësuar ndjeshëm, duke ekspozuar ndaj kushteve atmosferike ambientet kryesore.

“Në vitin 2017 është kryer një inspektim në terren nga specialistët dhe ku u konstatua gjendja kritike e banesës dhe është raportuar si objekt me gjëndje të lartë risku”, shtoi përgjigja e DRTK Berat. 

“Ndërhyrjet që kërkonte ky objekt nuk mund të realizoheshin me fondin e DRTK Berat”, shpjegoi institucioni vendor për trashëgiminë kulturore. “Aktualisht nuk kemi një projekt për restaurimin e këtij objekti”, shtoi DRTK Berat.

“Banesa e Skënder Kamenikut”. Foto: Media Amfora

Në “Banesën e Aishe Kamenikut” spikasin elementët e gurit dhe të drurit në shumë prej pjesëve. Por edhe pse objekti është në rrezik, ai prej vitesh nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrje, duke sjellë pjesërisht dëmtimin e tij.  

“Banesa është kategorizuar në listën e objekteve në gjendje të lartë risku dhe për këtë arsye nuk janë kryer ndërhyrje mirëmbajtje pasi objekti kërkon një studim për gjendjen e elementëve konstruktiv dhe gjendjen statike të objektit dhe më pas hartimin e një projekti të detajuar për  rikonstruksionin, restaurimin dhe konservimin e këtij monumenti”, analizoi DRTK Berat.

Vetë autoriteti vendor për trashëgiminë kulturore nuk gjeti në rekordet e tij të dhëna për ndonjë restaurim të kësaj banese dhe ndërhyrja aty është e pamundur për fondet që disponohen për restaurime.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109