Tubi përmes monumentit antik në Durrës, Ujësjellësi e zhvendos pas 28 viteve
Tubi për furnizimin me ujë të pijshëm që e përshkonte përmes Forumin Rrethor në Durrës, është zhvendosur nga Ujësjellësi pas 28 vitesh. Amfora ka raportuar më herët se si ai dëmtonte peizazhin dhe po degradonte strukturat arkeologjike.
Një tub plastik i dalë boje, i vendosur mbi disa mbajtëse metalike, përshkonte përmes Forumin Rrethor në Durrës që prej vitit 1996 dhe lidhte unazën e rrjetit të ujësjellësit për furnizimin me ujë të lagjes numër 11.
Prej 28 vitesh ai fiksohej në çdo foto të vizitorëve dhe ishte kthyer në një kontrast të fortë me elementët antik. Amfora raportoi më herët për situatën dhe Ujësjellësi i Durrësit shpjegoi se do të ndërhynte në një plan afatmesëm.
Megjithatë së fundmi situata u përmbys në favor të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës sh.a. e zhvendosi përfundimisht tubin nga monumenti i shekujve V-VI të Erës Sonë.
“Fillimisht u krye inspektimi i tubit ekzistues, i cili edhe pse nuk kishte rrjedhje, u vendos që të hiqet nga ai vend pasi kalonte mes për mes monumentit të kulturës”, shpjegoi në një përgjigje zyrtare Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve.
Ujësjellësi i Durrësit ndërhyri me punime në trotuarin aty pranë dhe e zhvendosi tubin nën të, duke liruar hapësirën në Monumentin e Kulturës të Kategorisë së Parë, i njohur si “Shesh-Tregu Bizantin” apo edhe si “Forumi Bizantin”.
“Punimet përfshinë gërmime dhe hapje të kanalit në pjesën perëndimore të monumentit, tek rruga e këmbësorëve, prerje dhe heqje e tubacionit të vjetër PVC, vendosje e tubacionit të ri PE 110 mm, së bashku me rakorderitë përkatëse”, sqaroi Ujësjellësi i Durrësit.
Më 23 shtator të vitit 2023 Amfora e trajtoi problematikën e këtij tubi, i cili përveç dëmtimit të peizazhit, rrezikonte edhe monumentin sepse rridhte ujë herë pas herë në disa pika përgjatë tij.
Ndërsa arkeologët kishin apeluar ndër vite për këtë ndërhyrje, pasi tubi pengonte ekspeditat kërkimore dhe gjithashtu rrezikonte dëmtimin e monumentit sa herë që rridhte ujë në sipërfaqen e tij.