Reporterët pa Kufij rikthehen në Shqipëri për lirinë e medias dhe të drejtën e informimit
Drejtuesit e Organizatës “Reporterët pa Kufij” dhe gazetarët vendas u mblodhën në Tiranë për të analizuar vështirësitë e punës së reporterëve, lirinë e medias dhe të drejtën e informimit. Konferenca theksoi rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe përdorimin efikas të së drejtës për informim në forcimin e demokracisë.
Organizata “Reporterët pa Kufij” dhe gazetarët shqiptarë u mblodhën të mërkurën në Tiranë për të diskutuar për lirinë e medias dhe raportin me të drejtën për të informuar publikun.
Presioni politik, raporti i pronarëve të mediave kryesore me interesat e biznesit dhe politikën, së bashku me transparencën për pronësinë dhe censurën ndaj gazetarëve ishin kryefjala e takimit që vijoi me dyer të mbylluar për të analizuar situatën e Shqipërisë.
Në tryezën e diskutimit me gazetarët shqiptarë, përfaqësuesi i Organizatës “Reporterët pa Kufij” (RSF), Antoine Bernard, theksoi se vendi ynë nuk ka asnjë përmirësim domethënës për lirinë e shtypit që prej vitit 2022, kur ekspertët e RSF-së ishin në Tiranë.
“Shqipëria mbetet e fundit në Ballkanin Perëndimor, në raportin botëror të Reporterëve pa Kufij për lirinë e shtypit, e renditur e 96-ta, nga 180 vende në vitin 2023”, theksoi Antoine Bernard.
“Media në opinionin tonë mbetet e pambrojtur nga politika dhe presioni ekonomik, si edhe siguria e gazetarëve është në rrezik”, shtoi Bernard.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, tregoi se kërcënimet, frikësimet e përsëritura dhe dhuna ndaj gazetarëve nuk duhet të ekzistojnë në një vend demokratik.
“Në Raportin e Progresit të vitit 2023 për Shqipërinë, ne theksuam disa shqetësime, ndërthurjet midis interesave të mediave, biznesit, politikës, e cila është një situatë e papërshtatshme”, tregoi Gonzato.
“Po ashtu përqendrimi i lartë i pronësisë së mediave, i cili dëmton cilësinë dhe pavarësinë e gazetarisë”, shtoi Gonzato para gazetarëve dhe ekspertëve të medias.
Sipas rekomandimeve të BE-së për Shqipërinë është kërkuar të përmirësohen kushtet e tregut të punës për gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave, të cilat përbëjnë një çështje thelbësore për tregun mediatik vendas.
Gjatë diskutimit u theksuan edhe ngjarjet që e kanë shënjuar vitin 2023, që nga intimidimi i gazetarëve investigativë, ndërhyrje në pavarësinë e linjës editoriale nga pronarët e medias dhe biznese private me interesa ekonomike, sekuestrimi i paligjshëm i pajisjeve të punës, deri në sulme fizike ndaj gazetarëve dhe vrasja e rojes së sigurisë në Televizionin “Top Channel”.
Në tryezën e rrumbullakët u bënë bashkë Organizata Reporterët pa Kufij, Forumi për Informacion dhe Demokraci, në bashkëpunim me Këshillin Shqiptar të Medias, të cilët diskutuan edhe për rregullime ligjore që forcojnë demokracinë dhe përpjekjet për liri të shtypit dhe të drejtën e informimit në Shqipëri.
RFS së bashku me organizatat mediatike do të dalin me rekomandime konkrete pas konferencës. Ata shpjeguan se ka pasur përmirësime të pakta për klimën mediatike në vend dhe theksuan se 11 media shqiptare i janë bashkuar Nismës “JTI” (“Journalism Trust Initiative”), krahas 1 mijë e 400 media të tjera nga 85 shtete, një përparim cilësor sipas tyre për vetërregullimin e mediave vendase.
“Të gjitha këto, në këto kohë sfiduese për demokracitë dhe mediat, kur shohim sulmin rus mbi Ukrainën dhe përpjekjet për ta çrrënjosur gazetarinë brenda Rusisë, ne kuptojmë se pse Shqipëria është një vend strategjik për të drejtën e informimit në Europë”, përfundoi Antoine Bernard.