Miratimi i Komisionit për Dezinformimin, “cenon lirinë e medias nën petkun e hetimeve për dezinformimin”

Socialistët votuan të enjten ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për Dezinformimin, që ngjalli shqetësime të shumta për përdorimin si një mjet censure ndaj mediave të lira. Këshilli Shqiptar i Medias u shpreh kundër ngritjes së komisionit, duke e cilësuar si  mjet për kufizimin e mediave nën petkun e hetimeve për dezinformimin.

Konferenca e Kryetarëve miratoi të enjten me votat e shumicës ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin sipas një kërkese të bërë nga grupi parlamentar socialist. 

Opozita mbajti qëndrim të kundërt dhe u shpreh kundër këtij komisioni, çka bëri që vendimi të miratohet vetëm me votat e përfaqësuesve socialistë. Ky hap ka ngritur alarmin tek organizatat e medias, të cilat e shohin me dyshim këtë komision, si një kërcënim për të kufizuar lirinë e medias në vend.

Me anë të një deklarate për shtyp, Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) u shpreh se Komisioni nuk e ka aspak të qartë dhe të fokusuar objektin e hetimit të vet, çka lë hapësirë për abuzime në dëm të lirë së medias. 

“Është e pakuptueshme sesi Parlamenti shqiptar që nuk ka bërë asnjë hap, e nuk ka treguar asnjë vullnet për të përmirësuar situatën e informimit mediatik, del i shqetësuar për të kundërtën, atë të dizinformimit”, argumentoi Këshilli Shqiptar i Medias. 

Për KSHM-në ky është një komision që ende pa u ngritur ka përcaktuar kohëzgjatjen e punës së tij, 1 vit, në lidhje me një subjekt që nuk e njeh akoma dhe lë shumë dyshime që objektivi i punës së tij do të jetë kontrolli i mediave gjatë kësaj periudhe dhe jo i dizinformimit sipas Këshillit.

Në deklartë KSHM-ja theksoi se ky komision po ngrihet jo për të hetuar diçka që “ka ndodhur”, por për të hetuar diçka që “do të ndodhë” përgjatë një viti që nga momenti i krijimit, çka krijon dyshime të forta që mund të përdoret për të cenuar lirinë e medias, nën petkun e hetimeve për dezinformimin.

“Shqipëria ka probleme shumë më të mëdha që cenojnë lirinë e medias, e që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, si për shembull lidhjet okulte të politikanëve, partive e qeveritarëve me pronarët e medias…”, u shpreh KSHM-ja.

“…mungesa e transparencës së fondeve shtetërore që shkojnë drejt mediave, mos aplikimi i ligjit për të drejtën për informim, etj. Dezinformimi, për nga rëndësia që ka në publikun shqiptar mund të zgjidhet pasi të zgjidhen këto probleme madhore”, shtoi deklarata. 

Komisioni u ngrit pas kërkesës së deputetëve socialistë, Bledar Çuçi, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Damian Gjiknuri, Klevis Xhoxhi dhe Petro Koçi.

Përmes tij synohet të adresohen problematikat që kanë të bëjnë me përmbajtje të shpërndara në platforma sociale të karakterit dezinformues, kryesisht nga ndërhyrjet e huaja apo financimet e huaja. Gjithashtu do të propozohen edhe ndryshime ligjore për këto problematika.  

Por sipas Këshillit Shqiptar të Medias, që përfaqëson një pjesë të mediave në internet vendase, çfarëdo aksioni në fushën e medias kërkon një qasje jo partiake dhe jo politike.

“Çfarëdo aksioni në fushën e medias kërkon një paanshmëri, që qartësisht ekipi i këtij komisioni që ka votuar paketën famëkeqe antishpifje, e që ishte gati ta votonte për së dyti, nuk e gëzon”, vuri në dukje deklarata e KSHM-së. 

Ajo i kërkoi Parlamentit që të mos e miratojë ngritjen e komisionit dhe evidentoi se dezinformimi në Shqipëri shfaqet kryesisht në formën e propagandës, e cila vjen në masën dërrmuese nga qeveria, Bashkia e Tiranës si edhe nga partitë politike, çka e bën të pamundur që ky Komision sipas KSHM-së të hetojë ndershmërisht vetveten, partinë e vet, apo qeverinë e vet.

Këtë jave në Shqipëri u rikthyen drejtuesit e Organizatës “Reporterët pa Kufij”, që u mblodhën me gazetarët vendas për të analizuar vështirësitë e punës së reporterëve, lirinë e medias dhe të drejtën e informimit. Konferenca theksoi rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe përdorimin efikas të së drejtës për informim në forcimin e demokracisë.