Ndërhyrjet pa leje në Zonat e Mbrojtura, Ministria e Kulturës dështoi të hartonte planet e peizazhit
Kontrolli dhe kujdesi për Zonat e Mbrojtura në vend nga ndërhyrjet brenda tyre, duhej realizuar duke miratuar planet e peizazhit dhe masa të tjera, por Ministria e Kulturës nuk arriti ta përmbushte këtë rekomandim të KLSH-së.
Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi për Ministrisë e Kulturës që të propozonte dhe të hartonte planet kombëtare për Zonat e Mbrojtura, të cilin ministria nuk e ka përmbushur ende në kurriz të hapësirave me rëndësi të veçantë arkeologjike dhe historike.
“Ministria e Kulturës, për kontrollin e Zonave të Mbrojtura si dhe mbrojtjen nga çdo ndërhyrje pa leje brenda tyre, në kuadrin e planeve të veta sektoriale, sipas fushës së përgjegjësisë dhe në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe ministrinë përgjegjëse për zhvillimin e territorit…”, sugjeroi KLSH-ja.
“…të propozojë, hartojë dhe miratojë planet kombëtare të peizazhit, sidomos ato që përfshihen në UNESCO, si dhe të marrë masat për rekrutimin e stafit teknik të peizazhit…”, vijoi rekomandimi nga Auditimi i performancës me titull, “Mbrojtja dhe Administrimi i Monumenteve të Kulturës”, që u publikua në shtator 2022.
Qershori i vitit 2023 ishte përcaktuar për përmbushjen e rekomandimit, por megjithatë Ministria e Kulturës pranoi që nuk e kishte përmbushur këtë rekomandim, me argumentin se kërkonte ndryshime strukturore.
“Duke qenë se ky rekomandim kërkon ndryshime strukturore të Ministrisë së Kulturës, në kuadër të hartimit të planeve të peizazhit, MK ka filluar punën për përmbushjen e këtij rekomandimi”, u shpreh ministria në një përgjigje zyrtare.
Media Amfora gjatë vitit 2023 ka analizuar disa raste specifike se si Ministria e Kulturës dështoi që të realizonte disa nga rekomandimet e lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) nga auditimi i fundit.
Teksa ky fillim viti shënoi një ndryshim në mënyrën e funksionimit të Ministrisë së Kulturës në vendin tonë, institucioni me lidhje të drejtpërdrejtë në menaxhimin e një sërë drejtorish në nivel qendror dhe vendor.
Veç ndryshimit të kreut të kësaj ministrie, Elva Margariti, institucioni do të jetë i bashkuar me sektorin e ekonomisë dhe do t’i bashkohet dhe ai i inovacionit. Ky ndryshim është shoqëruar me reagime në opinionin publik, ndërsa ngrihen pikëpyetje rreth efikasitetit që do të ketë institucioni kyç i kulturës në vend.
Mungesa e respektimit të Zonave të Mbrojtura u ekspozua gjatë ndërtimit të portit të hidrokarbureve pranë Monumentit të Kulturës që njihet si “Muret e Portës”, i shpallur prej vitit 1948 si i tillë, të cilit kompania i cenoi Zonën e Mbrojtur përreth dhe e shkatërroi pjesërisht.
Monumenti “Muret e Portës” mendohet të jetë ndërtuar në shekullin V të Erës Sonë dhe që përkon me periudhën e sundimit të Perandorit Anastas. Ai nuk i shpëtoi shkatërrimit nga punimet e portit, situatë që u favorizua me heshtjen institucionale dhe punën e dobët të Prokurorisë së Durrësit, e cila teksa monumenti shkatërrohej, vazhdonte të “hetonte çështjen”.https://amfora.al/monumenti-antik-muret-e-portes-u-shkaterrua-gjate-hetimit-prokuroria-e-durresit-deshtoi-ne-mbylljen-e-ceshtjes/