Metamorfoza e kalasë mesjetare të Peqinit

Një kala mesjetare gjendet pranë qendrës së qytetit modern të Peqinit, në Shqipërinë e Mesme. Mendohet se u ndërtua në shekullin XV dhe përgjatë viteve ka pasur të paktën 4 faza ndërhyrjesh që e kanë transformuar fortifikimin.

Kalaja e Peqinit gjendet pranë qendrës së qytetit modern, sa që duket si pjesë e ansamblit të planit urbanistik të zhvilluar gjatë viteve të komunizmit, duke e rrethuar kalanë me një lagje plot me pallate që ngjasojnë si fotokopje të njëra-tjetrës.

Muret e kalasë qëndrojnë në këmbë deri në lartësinë 4.5 metra, ndërsa 3 kullat më të ruajtura i kanë çatitë e zhveshura. Pa asnjë tabelë dhe sinjalistikë informuese në këmbë, kalaja ruan brenda perimetrit një fushë të blertë, nga ku dallohen linjat e fortifikimit.

Pamja nga ajri e Kalasë së Peqinit. Foto: Media Amfora

Ajo ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë dhe në tri qoshet e saj është ngritur nga një kullë. Kalaja ka dy hyrje dhe shumë ambiente të tjera, të cilat janë shembur dhe shtuar sipas nevojave ndër shekuj.

Ismail Salliu, me origjinë nga Peqini, ka studiuar vite më parë historinë e vendlindjes dhe ka evidentuar në një libër kërkimor të dhëna për fortifikimin që gjendet në qendër të zonës urbane.

Nga kullat sot shihen lagjet e Peqinit. Foto: Media Amfora

“…mund të themi se edhe kalaja e Peqinit është themeluar në të njëjtën kohë me atë të Prezës, në shekullin XV, në periudhën pas vitit 1431-1432”, shpjegon studiuesi në librin e tij, pasi analizon faktet dhe shembujt e ndërtimeve të ngjashme. 

Ashtu si në shumë raste të tjera, kalaja mendohet se ka përdorur themelet e një ndërtimi të mëparshëm të periudhës antike. Në të janë identifikuar së paku 4 faza ndërhyrjesh, të cilat e kanë transformuar sipas nevojave të kohës.

Strukturat brenda Kalasë së Peqinit. Foto: Media Amfora

“Forma më e vjetër e kalasë ka qenë katërkëndëshe këndrejtë, me nga një kullë të rrumbullakët në të katër qoshet dhe një kullë në formë katërkëndëshi këndrejtë”, shkruan studiuesi Ismail Salliu në librin e tij, të publikuar në vitin 2005.

“Periudhës së dytë të ndërtimit i përket shtimi i disa ambienteve dhe portës së vogël të hapur në kullën katërkëndëshe. Mbi to është ndërtuar edhe një xhami e vogël pa minare, kryesisht për të kryer rite fetare ushtarakët që jetonin në kala”, shkruan Salliu.

Pjesë e shkallëve që lidhet me kullat. Foto: Media Amfora

Kalaja që gjendet pranë Lumit Shkumbin sipas të dhënave të subjekteve private në sektorin e restaurimeve, ndërhyrjen e fundit e ka pasur përmes një projekti të Ministrisë së Kulturës në vitin 2008, që ka mbështetur punimet për pastrimin dhe restaurimin e Monumentit të Kulutrës të Kategorisë së Parë. 

Nga teknika e ndërtimit disa nga kullat e kalasë janë të ngjashme me ato në Kalanë e Beratit, Shkodrës dhe Tepelenës. Gjatë periudhës së tretë të ndërtimit, u ridimensionuan kullat nga të rrumbullakta në poligonale, duke ndërtuar frëngji dhe u shtuan elementët ushtarakë në vitin 1770. 

Pjesë nga kulla vrojtuese në Kalanë e Peqinit. Foto: Media Amfora

Kalaja u vendos në shërbim gjatë luftërave midis dy pashallëqeve të mëdha, Bushatllinjve të Shkodrës dhe të sundimtarëve të Beratit. Në vitin 1775 njerëzit e Ahmet Kurt Pashës së Beratit pas shumë përpjekjeve e morën në kontroll kalanë dhe krahinën përreth.