Hartimi i planit të emergjencave, Ministria e Kulturës shkeli afatin e rekomandimit të KLSH-së
Monumentet e kulturës kryesisht gjatë stinës së dimrit përballen me dukuritë natyrore, duke u vënë në rrezik të humbjes së identitetit. Raporti i KLSH-së i publikuar në shtator 2022 la si rekomandim për Ministrinë e Kulturës hartimin e një plani emergjencash civile për monumentet në rast fatkeqësish, i cili duhej të hartohej deri në qershor të këtij viti, të cilin ministria ende nuk e ka hartuar.
Monumente të rëndësishme kulture si “Xhamia e Plumbit” apo “Ura e Bahçallëkut” në Shkodër, përballen çdo vit me përmbytjet si pasojë e vëshimit të lumenjve Drin dhe Kir.
Përmbytjet janë rreziku më i madh me të cilat përballen monumentet e kulturës vitet e fundit, veçanërisht ato në veri të vendit. Ndërsa nuk mbeten pas edhe rreziqet që vijnë nga shkarja e dherave apo erozioni, siç është rasti i Kepit të Rodonit, Kalasë së Skënderbeut atje dhe Ura e Zogut mbi Lumin Mat, që rrezikohet nga gërryerja e shtratit për marrjen e inerteve.
Më herët tërmeti fatal i 26 nëntorit të vitit 2019 shkaktoi dëmtime të monumenteve të kulturës, 55 prej të cilave u dëmtuan në të gjithë vendin si pasojë e lëkundjeve sizmike. Vetëm në qytetin e Durrësit, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit u dëmtuan 8 monumente kulture, 4 prej të cilave u klasifikuan si “objekte me risk të lartë”.
Në një Auditim të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), publikuar gjatë shtatorit të vitit 2022 u theksua ndër të tjera në rekomandimet për Ministrisë së Kulturës, mungesa e planit të emergjencave në rast fatkeqësish natyrore.
Auditimi i Performancës me titull, “Mbrojtja dhe Administrimi i Monumenteve të Kulturës”, rekomandoi se, “Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me institucionet e varësisë, të hartojë planin e emergjencave civile, për të zvogëluar pasojat negative të diktuara në raste fatkeqësish natyrore dhe luftërash, duke garantuar mbrojtjen e monumenteve të kulturës”.
Media Amfora pyeti Ministrinë e Kulturës rreth përmbushjes së këtij rekomandimi, e cila u përgjigj se ishte ende në fazën e hartimit të planit, teksa ky rekomandim duhej të ishte përmbushur këtë verë.
“Përsa i përket Planit të Emergjencave Civile ju bëjmë me dije se ky Plan është duke u përgatitur nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me institucionet e varësisë”, shpjegoi përgjigja zyrtare.
Por sipas raportit përfundimtar të auditimit të performancës, me titull “Mbrojtja dhe Administrimi i Monumenteve të Kulturës”, Ministria e Kulturës kishte afat për realizimin e Planit të Emergjencave deri në qershor të vitit 2023.
Teksa ministria ende nuk e ka përmbushur rekomandimin e KLSH-së, bëri me dije se ka hartuar dhe është miratuar një Vendim i Këshillit të Ministrave që në vitin 2022, me në fokus marrjen e masave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Me bashkëpropozim të Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, është hartuar dhe miratuar VKM nr. 420, datë 15.6.2022, “Për marrjen e masave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në rastet e fatkeqësive natyrore dhe konflikteve të armatosura”, shpjegoi zyrtarisht ministria.
Me nisjen e stinës së vjeshtës masat në terren për monumenter e rriskuara nga përmbytjet dhe agjentët atmosferikë ende nuk kanë përfunduar, si në rastin e punimeve për rehabilitimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, të cilat janë në gjysmën e progresit të punës.
Media Amfora ka raportuar në vijimësi jo vetëm për dëmtimet e monumenteve gjatë fatkeqësive natyrore, por edhe rreziqet me të cilat ato përballen si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Ndërsa Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, si institucione me lidhje direkte në mirëmbajtjen e monumenteve në terren, gjenden në vështirësi financiare përballë situatave të krijuara, ndërsa ministra përgjegjëse nuk ja ka dalë t’i paraprijë rrezikut përmes planifikimit të masave për të ndërhyrë.
Kepi i Rodonit dhe Kalaja e Skënderbeut, janë dy potenciale të mëdha turistike që vuajnë nga problemet mjedisore, që lidhen me erozionin dhe mbetjet urbane. Media Amfora përmes “Gazetarisë së Zgjidhjeve” ka identifikuar më herët disa masa konkrete për këto dy monumente natyrore dhe kulturore, me qëllim konservimin e tyre.
Zgjidhje të ngjashme mjedisore janë identifikuar nga Media Amfora dhe Qendra “EDEN” për shpëtimin e “Urës së Zogut”, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, që përfaqëson një vepër inxhinierike unike për Shqipërinë e viteve ’20 dhe që shënoi bashkimin rrugor të veriut të vendit me zonat e tjera.