E shtruar me mozaik dhe me një varr monumental, veçantitë e Bazilikës së Shën Mëhillit
Bazilika e Shën Mëhillit gjendet në fshatin Arapaj të Durrësit dhe është më e madhja e zbuluar deri më sot në vendin tonë. E ndërtuar në fillimin e shekullit VI, në qendër të saj gjendet një mozaik unik për nga përmasat dhe motivet që paraqet. Megjithatë monumenti është izoluar në qendër të një lagjeje urbane dhe ka nevojë për më shumë vëmendje.
Në një prej rrugëve më të frekuentuara që lidh jugun e Shqipërisë me rajonin qendror dhe më tej me veriun, në fshatin Arapaj gjendet një prej thesareve arkeologjike me karakter kulti.
Në një rrugë që gjarpëron midis lagjes të ndërtuar dendur paas viteve’ 90 dhe vetëm 6 kilometra larg qytetit të Durrësit, në faqen perëndimore të një kodre ndodhet Bazilika e “Shën Mëhillit”.
Ajo doli në dritë gjatë fushatave arkeologjike të viteve’ 80 dhe ka përmasat 65 metra me 28 metra, që e bën atë bazilikën më të madhe të zbuluar deri më sot në vendin tonë.
Bazilika e Shën Mëhillit në zemër të dyshemesë së saj është e shtruar me mozaik polikrom dhe paraqet figura antropomorfe, zoomorfe, shoqëruar me dekor bimor dhe gjeometrik.
Motivet e zgjedhura të mozaikut, kombinuar me figurat dhe teknika e punimit e klasifikojnë këtë vepër arti si unike për periudhën bizantine të shekullin VI, që përkon me kohën e sundimit të Perandorit Justinian.
Bazilika e Shën Mëhillit përcaktohet si një ndërtim kulti i fillimit të shekullit VI, që përkon me kohën e Perandorit Bizantin Justiniani I (527-565).
Monumenti nga ana arkitektonike formon një bazilikë tre nefshe dhe me tre absida. Ai vijon me dy anekse anësore në veri dhe jug, si edhe me oborrin brendshëm me kolonada (atriumin).
E veçanta e monumentit është edhe një varr monumental (martirium), që gjendet ngjitur me nefin jugor dhe përbën një kat nëntokësor që lart ka dyshemenë e shtruar me mozaik. Faza e parë e ndërtimit të bazilikës caktohet në shekullin V të Erës Sonë, ndërsa faza e dytë përfshihet si e ndërtuar në shekujt XII-XIV.
“Bazilika e Shën Mëhillit” u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë me vendimin numër 8, të vitit 1987. Por pavarësisht statusit të mbrojtjes, zona rreth bazilikës nuk i shpëtoi ndërtimeve të dendura. Paradoksalisht të vetmit “ciceronë” që mund të japin ndonjë shpjegim për monumentin janë banorët e zonës.
Ata presin çdo vizitor dhe tregojnë se pavarësisht interesit të turistëve, mirëmbajtja për monumentin është e vakët. Kur media Amfora e vizitoi monumentin ai ishte “pushtuar” nga shkurret dhe bimët e çfarëdoshme.
Sipërfaqja e mozaikut vijon të jetë e mbuluar dhe që prej vitit 2018 një strukturë druri e është vendosur mbi të, me qëllim ruajtjen nga dëmtimet si pasojë e agjentëve atmosferikë. Ai ka një sipërfaqe 54 metra katrorë dhe ndodhet në aneksin jugor të bazilikës, nga zemra e të cilit dallohen banesat e ndërtuara në të gjitha anët.