Verë dhe histori në Berat, festivali bashkoi 33 prodhues nga Shqipëria, Kosova dhe Kalabria 

33 prodhues verërash nga Shqipëria, Kosova dhe Kalabria, janë bërë pjesë e “Festivalit të verës”, që ndërthuri prodhimet dhe historinë e qytetit muze të Beratit në datat 13-15 tetor. Panairi promovoi qytetin dhe trashëgiminë e tij të pasur kulturore, nëpërmjet tre ditëve të mbushura me ngjarje artistike, kulturore dhe përmes degustimit të verës.

I njohur për prodhimin e verërave në Shqipëri, Berati numëron 12 kantina për prodhimin e saj dhe që janë vlerësuar për prodhimet e tyre në konkurse brenda dhe jashtë vendit.

Si pjesë e traditës së prodhimit të verës, qyteti historik mikpriti gjatë fundjavës që lamë pas një festival të mbushur plot me aktivitete kulturore, ture historike dhe degustim të prodhimeve të verës. 

“Aktiviteti, i cili këtë vit shënoi edicionin e tij të dytë, ka si qëllim promovimin e qytetit dhe të trashëgimisë së pasur të Beratit dhe në fokus ka aktivitetet kulturore. Ai u organizua këtë vit me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nëpërmjet programit PIUTD dhe Bashkisë së Beratit”, tha Silvi Merdani, drejtoreshë e Turizmit dhe Aktiviteteve pranë bashkisë së qytetit. 

Aktivitetet u hapën me panairin e verës, ku në shtëpizat e drunjta dhe në banakët e improvizuar në shesh me formën e fuçive të verës, ekspozuan prodhimet 33 kantina vere nga Shqipëria, Kosova dhe Kalabria, në Italinë fqinje. 

Qytetarë, vizitorë vendas dhe të huaj teksa vizitonin qytetin e mbrojtur nga UNESCO gjatë fundjavës shijuan verat më të mira të prodhuara nga kantinat më me emër. Ndërsa mbrëmja kaloi me një koncert në shesh me pjesëmarrjen e “Dj Vikchy”, Rea Nuhu dhe këngëtarja “Kida”.  

Dita e dytë përveç “Festivalit të verës” ofroi edhe turet e degustimit, të prodhimeve atyre që janë kthyer në marka të qytetit, siç janë reçeli, glikoja, fiqtë e thatë, vaji i ullirit dhe djathi. 

Aktivitetin e që forcon traditën e prodhimit të verës e vizitoi edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili në ditën e dytë të “Panairit të Verës” u ndal dhe bisedoi me autoritetet lokale dhe sipërmarrësit e pranishëm. 

Në koncertin e natës së dytë performuan në Bulevardin Republika deri në orët e para të mëngjesit “DJ Benito”, grupi Burn dhe këngëtari Ledri Vula.  

Dita e tretë e festivalit nisi me degustimin e verërave nga somelierët e njohur, si Darrel Joseph, kritik ndërkombëtar i verës, Celeste di Lizio, someliere dhe njohëse e mirë e fushës së hotelerisë dhe turizmit dhe Rudy Rinaldi, sommelier i njohur italian. 

Somelierët ndërkombëtarë që morrën pjesë në degustimin e prodhimit të verërave të kantinave pjesëmarrëse në panair ndanë edhe çmimet e festivalit, si edhe vizituan sitet historike të qytetit.  


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109