Abuzimet me fondet e IPARD, Rama paralajmëron korrigjime për administrimin e tyre
Kryeministri Edi Rama njoftoi gjatë një vizite në Kroaci për korrigjime në skemën e administrimit të fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë, i njohur si “Programi IPARD”. Ai kërkoi ekspertizën e Kroacisë për të realizuar procesin, që vjen pas dyshimeve të Komisionit Evropian për abuzime me fondet në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama foli për herë të parë në Kroaci, 2 muaj pasi Komisioni Evropian vendosi të pezullojë lëvrimin e granteve për bujqësinë shqiptare, pas dyshimeve se fondet e saj të “Programit IPARD” ishin përfituar përmes korrupsionit.
“Kemi kërkuar mbështetje direkte për procesin e negociatave dhe duam të përfitojmë sa më shumë mbështetje për turizmin, sigurinë kibernetike, ndihmën aktive në funksion të punësimit, si edhe për të trajtuar në mënyrë specifike raste…”, tregoi Rama sot në Kroaci.
“…siç është rasti që ne kemi aktualisht lidhur me disa korrektime të domosdoshme që duhet të bëjmë në fushën e administrimit të fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë sepse një rast të ngjashëm ka pasur edhe Kroacia jo para shumë kohësh dhe na intereson shumë të mësojmë për adresimin struktural që qeveria kroate ka bërë në këtë drejtim”, shtoi ai gjatë konferencës së përbashkët me homologun kroat, Andrej Plenković.
Në vitin 2018 Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Shqipëri, u akreditua për Programin IPARD II, për të shpërndarë grante përmes buxhetit me vlerë 94.6 milionë euro, prej të cilave 71 milionë euro janë kontribut nga Komisioni Evropian dhe 23.6 milionë euro janë kontribut kombëtar nga shteti shqiptar.
Ndërsa më 19 korrik zyra e BE-së në Tiranë konfirmoi për herë të parë dyshimet për korrupsion me fondet e saj për bujqësinë shqiptare. OLAF i dorëzoi Komisionit Evropian disa gjetje, të cilat e kanë detyruar Komisionin që të ndërpresë përkohësisht lëvrimin e granteve, deri në vlerësimin e raportit përfundimtar të hetimit të OLAF.
Ish-ministrja e bujqësisë, Frida Krifca, e drejtoi Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në periudhën korrik 2017–shtator 2021, kohë kur u emërua ministre e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Hetimi i BE-së është fokusuar në periudhën që ajo e drejtonte AZHBR-në, që përkon me fazën e dytë të programit, në vitet 2014-2020.
Media Amfora zbuloi në një investigim të mëparshëm se Programi IPARD u kthye në një “klub ekskluziv” për kompanitë e mëdha dhe ato të lidhura me politikën dhe krimin. Subjekte të hapura rishtazi dhe të tjerë pa eksperiencë në bujqësi, u ekspozuan në disa raste, duke krijuar skema familjare përfitimi apo duke mashtruar për destinacionin e investimeve.
Më 12 shtator përfaqësues të “Nismës Thurje” depozituan në SPAK një kallëzim penal për zyrtarët e Agjencisë për Bujqësinë (AZHBR) dhe për ish-ministren e bujqësisë Frida Krifca, me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën dhe janë korruptuar. Kjo është hera e dytë që zyrtarisht Programi IPARD shkon në SPAK, i cili herën e parë shpalli moskompetencën.