Një murale për ringritjen pas tërmetit, vepra artistike simbol i vullnetarizmit në Durrës
Në qytetin e Durrësit ka përfunduar një muarale e cila dekoron fasadën e një pallati të rindërtuar pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Vepra e artit është fryt i idesë për vullnetarizmin e të rinjve dhe bashkëpunimin në komunitet për ringritjen pas tërmetit.
Realizimi i një vepre arti të konceptuar si murale me reliev shërben si një pikë takimi e individëve të ndryshëm, por që i bashkon dëshira për të qenë vullnetar.
“Është konceptuar si bashkimi midis njerëzve dhe ngjyrat që ata paraqesin sjellin harmoni, e shprehet me gjallëri”, komentoi për Median Amfora autori i saj, Lysjen Koçi.
“Kompozimi aty i jep goxha ngjyrë e gjallëri ndërtesës dhe qëndron këndshëm, pa cënuar arkitekturën apo fasadën e saj”, shtoi artisti.
Vepra e artit përfaqëson logon e nismës “Jamvullnetar.al”, që përbën një platformë komunitare në internet për ndërveprimin e vullnetarëve dhe organizatave në qytetin e Durrësit. Ajo synon të nxisë ndjenjën e vullnetarizmit dhe të përkatësisë tek komuniteti në Durrës.
“Vizibiliteti në atë pjesë të qytetit është më i madh dhe efektin kryesor e ka tek banorët që jetojnë aty dhe rreth e përqark, duke dërguar një mesazh për ringritjen, bashkëpunimin, bashkë ndërtimin e të ndërveprojnë me njëri-tjetrin”, analizon artisti Koçi.
I ndërtuar në vitet’ 80, pallati nr. 14 përbri Bulevardit Dyrrah ishte një nga ndërtesat kolektive që u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe u shpall i pabanueshëm nga Instituti i Ndërtimit, i cili rekomandoi shembjen dhe rindërtimin e tij.
Ndërsa muralja e quajtur “Unë jam vullnetar” synon të nxisë komunitetin e Durrësit të reflektojë mbi 2 vite pas tërmetit të nëntorit dhe të rrisi ndërgjegjësimin për bashkëpunimin në komunitet.
Vepra e artit u realizua përmes Qendrës Durrësi Aktiv, në kuadër të “Reagimit të Mbrojtjes Sociale ndaj Tërmeteve (ESPR)”, një projekt i zbatuar nga PNUD Shqipëri dhe i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë.
“Teknika lidhet me materialet e ndërtimit dhe zakonisht nuk mendohet se mund të prodhohen forma apo të bëhet art me to”, rrëfeu artisti Lysjen Koçi për Median Amfora.
“Në këtë rast si material qendror për format ka shërbyer polisteroli termik [që përdoret për termoizolimin e fasadave të godinave]”, përfundoi Koçi shpjegimin mbi përdorimin e materialeve ndërtimore që gjithashtu përfaqësojnë procesin e rindërtimit në Durrës pas tërmetit të nëntorit 2019.
Ky shkrim synon njohjen me angazhimin e të rinjve dhe reagimin pas fatkeqësive natyrore. Ai u përgatit me mbështetjen e Qendrës Durrësi Aktiv, në kuadër të projektit “Angazhimi i vullnetarëve të rinj në aktivizimin e komunitetit dhe reagimit ndaj fatkeqësive”, si pjesë e programit të “Reagimit të Mbrojtjes Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP Albania dhe i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë. Mendimet dhe opinionet e shprehura në artikull i përkasin autorit dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e donatorit.
Foto në krye: Muralja e quajtur “Unë jam vullnetar” në pallatin përbri Bulevardit Dyrrah, Durrës. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora.