Skeptik por të vetëdijshëm, qytetarët vlerësojnë rolin e Organizatave të Shoqërisë Civile
Polarizimi i sferës publike në Shqipëri nga diskursi politik ka ndikuar edhe tek perceptimi i qytetarëve për Organizatat e Shoqërisë Civile. Kontributi i tyre vitet e fundit është shtuar ndjeshëm, duke rritur pikët e vlerësimit në sytë e publikut.
Polarizimi i shoqërisë shqiptare në çdo sferë të jetës ka prekur edhe atë që njihet si Shoqëria Civile dhe që identifikohet me grupime të ndryshme, komunitete dhe grupime shoqërore, formale ose informale, që angazhohen në jetën publike për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta shoqërore.
Çështje të shumta janë bërë publike përmes aktorëve të shoqërisë civile, teksa shumë kauza dhe nisma janë adresuar prej tyre në institucionet e niveleve të ndryshme. Deri në fund të vitit 2020 në Shqipëri sipas Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, rezultojnë të regjistruara 11.962 Organizata të Shoqërisë Civile dhe sipas “Indeksit të Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për vitin 2020” u regjistruan 175 organizata të reja.
“Nga eksperienca jonë Shoqërinë Civile e shikojnë me mosbesim, si të dobët, si një mundësi për tu pasuruar disa persona, për të thithur fonde, por nuk kanë edhe informacion mbi ndikimin apo të mirat e punës së Shoqërisë Civile”, analizon Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare, një Organizatë e Shoqërisë Civile.
Sipas aktivistëve klima e mosbesimit ose e perceptimit të qytetarëve tek Shoqëria Civile është e ngjashme edhe me institucionet e tjera, si ato publike ashtu edhe partitë politike.
“Kjo ka ardhur edhe për faj të vetë organizatave në 30 vite tranzicion, të cilat kanë treguar edhe pika të dobëta, shpesh herë kanë qenë edhe fiktive ose i kanë lënë përgjysmë kauzat e tyre dhe kjo ka thyer besimin e qytetarëve”, shtoi Xhemollari.
Megjithatë sipas raporteve duket se perceptimi i opinionit publik për Shoqërinë Civile është përmirësuar vitet e fundit, pavarësisht diskursit publik të politikës që ka tentuar ta minojë punën e saj kur ka qenë kritike dhe monitoruese.
Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) renditen në vendin e katërt si institucionet e brendshme më të besuara në vend, por besimi i publikut tek OSHC-të ka pësuar një rënie graduale sipas “Indeksit të Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për vitin 2020”.
“Sipas një sondazhi kombëtar të kryer në dhjetor 2020 nga IDM, gjithsej 52.6 përqind e të anketuarve u besojnë OSHC-ve, duke pësuar një rënie prej 3.7 përqind krahasuar me vitin e kaluar dhe 4.4 përqind më pak, krahasuar me vitin 2018”, gjeti raporti i përgatitur nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID.
Institucione mosbesuese
Organziatat e Shoqërisë Civile ofrojnë praktika të ndryshme, disa fokusohen në ofrimin e shërbimeve, të tjera kanë në fokus bashkëpunimin me institucionet, monitorojnë punën e tyre apo advokojnë për kauza të caktuara, që shpesh herë krijojnë një klimë të paqëndrueshme në raport me bashkëpunimin institucional.
“Ka institucione që janë shumë skeptike”, tregon Admirim Dafku, drejtor ekzekutiv i “Youth Activities Center”, fokusuar tek puna me të rinjtë në qytetin e Durrësit.
“Shpesh herë na shohin sikur po i luftojmë dhe po i nxjerrim gabimet që ato bëjnë në përditshmëri dhe mbase prandaj ndonjëherë nuk gjejmë mbështetje dhe bashkëpunim me institucionet”, shpjegon Dafku, për Median Amfora.
Përfaqësues të organizatave që kanë në fokus punën monitoruese të institucioneve tregojnë se ato shpesh herë duan edhe kohën e tyre për tu qartësuar për synimin e vërtetë të aktivistëve, për t’i zhveshur nga dyshimet apo skepticizmi për qëllime të mundshme politike.
Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare tregon se polarizimi politik i shoqërisë kur bëjnë publike shifra monitorimi i përball me akuza se anojnë kah njëra forcë politike apo tjetra dhe sipas tij mos besimi tek zëri real kritik në shoqëri, i përfshin OSHC-të në këtë perceptim.
“Kjo për sa i përket partive dhe diskursit publik. Për sa i përket institucioneve kam përshtypjen se duhet një farë kohe që të krijosh imazhin se t’i nuk je i njërës palë apo i palës tjetër dhe më pas sjellja vazhdon të jetë korrekte”, shpjegon Xhemollari.
Diskursi politik sipas raporteve ndikon në perceptimin që komuniteti krijon për punën e OSHC-ve, duke dyshuar se pas tyre fshihen interesa politike. Studimi i IDM-së, “Pjesëmarrja e Shoqërisë Civile në Vendimmarrjen në Shqipëri”, evidenton se politikanët dhe media përhapin narrativa negative për OSHC-të, të tilla si, “të kapura”, “të blera” apo “ndjekëse të parave”.
“Më të rëndësishmet janë fushatat e njollosjes, të cilat janë përpjekur të diskreditojnë dhe çlegjitimojnë rolin dhe punën e shoqërisë civile në vend”, evidenton studimi. Por klima jo miqësore me OSHC-të duket se transmetohet edhe përmes aktorëve të tjerë, si biznesi.
“Vijon të ketë mosbesim reciprok midis institucioneve publike dhe OSHC-ve. Kuptimi i kufizuar i rolit të OSHC-ve nga komuniteti i biznesit vijoi edhe gjatë vitit 2020”, gjeti “Indeksi i Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për vitin 2020”.
Për Admirim Dafkun, perceptimi ndryshon kur të rinjtë dhe aktorët e tjerë përfshihen në angazhime të OSHC-ve. “Ka paragjykime dhe nuk ka një besueshmëri tek organizatat kur e shohin nga jashtë, por e kundërta ndodh në momentin që ato angazhohen tek organizatat”, tregon ai.
“Shoqëria Civile”, një koncept i vagullt
Rigels Xhemollarit ndonjëherë i ndërrojnë temën e bisedës kur nis t’i shpjegojë qytetarëve punën që bën.
“Kjo është evidente kur i thua se unë punoj në një organizatë, nuk e kuptojnë punën që t’i bën. Unë jam hasur shpesh me njerëz të cilëve kur i them punoj në një organizatë, nuk e dinë domethënë dhe ndërrojnë bisedën”, rrëfen ai.
“Pra është problem për tu kuptuar së pari, pastaj për ta njohur punën e Shoqërisë Civile dhe për tu përfshirë”, shton aktivisti Xhemollari.
Mungesa e shpërndarjes gjeografike të organizatave me një kontribut të gjerë dhe qendërzimi në kryeqytet evidentohet edhe nga raportet në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë.
“Kështu, sipas të dhënave është vënë re që OSHC-të lokale janë të papërfaqësuara ose shumë pak të përfaqësuara, kjo lidhur edhe më vështirësitë që ato hasin për tu përfshirë, e për tu bërë pjesë e mekanizmave të tilla”, evidentoi studimi, “Përfshirja e shoqërisë civile në procesin e integrimit europian”.
“KKIE [Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian në Kuvendin e Shqipërisë] ka në përbërje të tij 15 organizata të shoqërisë civile si anëtare, por asnjëra prej tyre nuk vjen nga ndonjë rajon tjetër, pra të gjitha ato e kanë qendrën e tyre në Tiranë”, evidentoi studimi i përgatitur në vitin
2020 nga Lëvizja Europiane në Shqipëri.
“Kanë një mungesë informacioni ose një lloj skepticizmi se do shkojnë të angazhohen, por çfarë përfitojnë aty, i duket humbje kohe”, rrëfen Admirim Dafku, për paqartësitë e të rinjve që angazhohen me “Youth Activities Center” në Durrës.
Arritje dhe nevoja për mediatizim
“Gjatë dekadës së fundit ka pasur organizata të cilat kanë bërë një punë shumë të mirë, ku kanë propozuar një legjislacion të cilin ne sot si organizata e përdorim dhe grupeve vurnerabël ju ka shërbyer, siç është Ligji për të Drejtën e Informimit, që ka ardhur nga Shoqëria Civile apo Ligji për Vullnetarizimin”, evidenton Rigels Xhemollari.
Teksa aktivizmi mjedisor nga ana tjetër duket se po shënon arritje më konkrete, referuar edhe vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila urdhëroi pezullimin e koncesionit të dy HEC-eve në Parkun Kombëtar Lugina e Valbonës, në korrik të këtij viti, fill 5 vjet pas një kërkese për masë sigurie nga një grup banorësh nga Valbona dhe Shoqata “Toka”.
“Në anën pozitive, OSHC-të publikuan një numër në rritje investigimesh dhe studimesh, të cilat u bënë pjesë e diskursit publik. Hapja e kanaleve të reja televizive në vend, rezultoi në një rritje të lehtë të interesit të mediave për të mbuluar punën e OSHC-ve”, gjeti Indeksi i Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për vitin 2020″.
“Në anën negative, media publike sërish nuk ofroi hapësirë të mjaftueshme për të mbuluar çështjet e trajtuara nga OSHC-të gjatë vitit 2020”, evidentoi raporti, duke shkruar edhe se, “Sektori [OSHC-të] duhet të përmirësojë standardet e punës së vet në mënyrë që të përmirësojë në mënyrë efektive imazhin publik dhe të rrisë besimin e publikut në punën e tij”.
Prezantimi për opinionin publik i gjetjeve të punës së OSHC-ve përmes mediave renditet si një pikë e rëndësishme nga aktivistët.
“Kam shumë dëshirë që t’i jap edhe hapësirë të rinjve që të promovojnë veten dhe nismat që ata kanë, në mënyrë që të kenë një ndikim sa më të madh në komunitet, që të sjelli edhe një rezultat”, evidenton Admirim Dafku për nevojën e daljeve mediatike.
“Ne na ka rezultuar se të gjitha produktet tona, që kemi nxjerrë në publik, kanë qenë të dëshiruara nga mediat, qoftë televizione apo portale të ndryshme edhe për faktin se ne përdorim edhe një gjuhë komunikimi e cila është më e kuptueshme edhe për gazetarët”, shpjegon Rigels Xhemollari.
“E shoh problemin tek organizatat spese vetë ato e shikojnë trajtimin e një çështjeje si nismë të organizatës, të izoluar, në kuadër të një projekti, të një donatori dhe nuk e shohin si një mision publik”, përfundon ai për qasjen që duhet të ndryshojë nga ana e OSHC-ve.
_________
Ky shkrim synon njohjen me peizazhin e Organizatave të Shoqërisë Civile në Shqipëri, situatës aktuale, sfidave dhe arritjeve për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe institucioneve shtetërore. Shkrimi u përgatit me mbështetjen e “Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në kuadër të “Ditës Kombëtare e Aktivizmit”, që organizohet çdo datë 22 tetor.
Foto në krye: Qytetarët dhe Organizatat e Shoqërisë Civile duke protestuar përpara Kuvendit të Shqipërisë kundër importit të mbetjeve urbane, në nëntor 2016. Foto: Geri Emiri