Durrësi gjatë Mesjetës së Hershme

Historical Atlas - William R Shepherd

Ka një periudhë në historinë europiane e cila mbetet ende, pjesërisht apo në disa raste plotësisht, e veshur nga mjegulla e misterit edhe sot e kësaj dite. Bëhet fjalë për atë periudhë e cila shkon nga rënia e perandorisë romake në vitin 479 deri në vendosjen përfundimtare të Perandorisë së Shenjtë Romake nën Ottonin I në vitin 962, pra për rreth 486 vite. Brenda kësaj periudhe të mjegullt dhe jo plotësisht të njohur gjendet një periudhë tjetër edhe me e panjohur të cilën poeti i madh Francesko Petrarka do ta quante “Epoka e Errët” (angl. dark age) e cila shkon nga vdekja e perandorit Justinian në viti 565 deri në vitin 800 me kurorëzimin e Karlit të Madh si perandor i romakëve, pra zgjatet në 235 vite.

Kjo është periudha e legjendave. Historia europiane, mes këtyre viteve është një kaleidoskop ku reflektohen ngjyra asimetrike dhe kaotike popujsh gjithmon në lëvizje me efekte katastrofike për ekonominë dhe demografinë. Gotët, vandalët, anglezët, sanksonët, frankët, hunët, sllavët, lombardët, avarët, sarmantët, bullgarët, etj, lëviznin lartë e poshtë nëpër kontinent dukë fagocituar çdo gjë të ndërtuar nga perandoria romake dhe duke lënë pas vetëm gjak dhe hi. Tokat mbetën djerr, qytetet u rrënuan, qytetarët merreshin skllevër, librat digjeshin, pasuritë nisën të shterrojnë, ushqimet të mungonin dhe produktet bazë të mos prodhoheshin më. Shumë kush iu kthye fshatit, veçanërisht zonave të thella, larg rrugëve kryesore nga ku mund të sulmoheshin, plaçkiteshin, robëroheshin apo vriteshin me lehtësi nga barbarët. Familjet dhe komunitetet e vogla izoloheshin nëpër zona të thella dhe të egra malore. Uria dhe shpata dhjetoi ushtrinë dhe popullësinë. Qytetet u zbrazën masivisht. Shumë popuj si keltët dhe thrakët u zhdukën. Të tjerë si ilirët u rrudhën ose u shpërbën në atë masë sa nuk përbënin më asnjë popullësi kompakte, ose të paktën humbën gjurmët si të tilla. Një kronist i krishterë i kohës  shkruan se “çdo gjë e mbetur ishte tym, hi dhe gjak“. Kjo pra ishte periudha e njohur dikur si Epoka e Errët. 

Të pakët ishin autorët të cilët në këtë periudhë mundën të shkruanin diçka vërtetë të vlefshme apo të kopjonin tekste të vjetra të periudhavë më të hershme. Kështu dija dhe kujtesa nisën të humbasin. Dorëshkrimet të cilat mbijetuan ndodheshin vetëm nëpër manastire dhe ruheshin nga murgjit. Ata pak autorë të cilët kishin vendosur të shkruanin e bënin këtë ose për çështje teologjike, ose për çështje filozofike dhe shumë pak syresh për të treguar historinë e ndonjë territori, shteti, qytet apo populli të veçantë. 

*          

Nuk ka shumë njoftime historike apo arkivore nga Iliria e Jugut, mes shekujve 4 dhe 10-të të erës sonë. Ajo që dimë është se i gjithë territori që dikur njihej si Iliri ishte pushtuar nga avarët, sarmantët, sllavët dhe bullgarët. Popullësia ilire ishte strehuar në thellësinë e maleve për t’i shpëtuar gjakderdhjes ose ishte strehuar nëpër kala të frotifikuara. Sidoqoftë shumë pak prej këtyre fortifikimeve arritën të mbijetonin deri në shekullin e 8 apo të 9-të. I vetmi vendbanim në Ilirinë e Jugut që ende mund të quhej qytet në plot kuptimin e fjalës ishte Durrësi, asokohe i njohur si Dyrrakion.

Por arkeolog dhe historian të ndryshëm, për shkak të burimeve të shkruara dhe materialit të varfër arkeologjik, shpesh kane vënë në dyshim edhe vetë ekzistencën e Durrësit si një qytet gjatë kësaj periudhe. Për disa ai ishte kthyer në një fshat të madh. Për të tjerë ai ishte vetëm një grumbull vendbanimesh të rastësishme të shkëputura nga njëra tjetra të cilat formonini fshatra të vegjël brenda qytetit të vjetër. Për të tjerë madje ai kishte pushuar së ekzistuari. 

*          

Mbi një vulë plumbi, të gjetur së fundmi, e cila daton me shumë gjasë nga gjysma e shekullit të 8-të,[1] pra mes viteve 720-760, lexojmë një titull shumë interesant të një personazhi misterioz, i cili duhet të ketë jetuar në qytet gjatë këtyre viteve. Ai quhet “dukë i milicisë urbane të Dyrrachionit”. Një numër i madh përfundimesh mund të nxirren nga përmbajtja konçize e vulës.

Së pari, qyteti vazhdonte të kishte një jetë urbane, pavarёsisht bindjes së disa historianëve se ai ishte kthyer në një fshat, apo me keq akoma, se këtu nuk banonte më askush. Prania e një milicie urbane jo vetëm tregon ekzistencën e jetës civile dhe shoqërore, por edhe një shkallë komplekse të organizimit nga ana e tyre.

Së dyti, personazhi ynё mban titullin dukë. Gjithsesi, nuk e dimë sa real ishte ky titull. Ka të ngjarë që ai të ishte thjesht një dukё “i vetëshpallur”, i cili, për të legjitimuar lidershipin e tij, të ketë përdorur një titull bizantin të rangut të lartë. Sidoqoftë, kjo tregon ekzistencën e shtresëzimit social dhe praninë në qytet të një parie. Kjo pari, e cila shkruan greqisht dhe mban tituj bizantin, duhet të ketë qenë në njëfarë mënyre e lidhur me Kostandinopojën.

Së treti, milicia urbane në mesjetën e hershme ishte një ushtri joprofesioniste e cila ushtronte detyra kryesisht mbrojtëse në rast të një sulmi të brendshëm apo të jashtëm. Pjestarët e saj ishin kryesisht anëtarë të fisnikërisë vendase, luftëtarё të spikatur apo edhe qytetarë të angazhuar, me njëfarë mirëqënie, të cilët mund t’i lejonin vetes armatimin e nevojshëm për t’u përballur me rrezikun. Zakonisht ata ishin 50-100 anëtarë, aq sa të siguronin rendin dhe sigurinë e përgjithshme brenda mureve të qytetit dhe në territoret menjëherë jashtë tij.

Së katërti, ekzistenca e një milicie konfirmon tërthorazi mungesёn e trupave perandorake në qytet. Dyrrahut i ishte lënë autonomi për t’u vetëqeverisur, si në kuptimin ushtarak, ashtu edhe në atë politik. 

Së pesti, prania e një vetorganizimi të tillë na tregon një qytet të gjallë qё luftonte jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për njëfarë mirëqënie relative. Dyrrahu nuk ishte vetëm qendra fetare e një peshkopate, por edhe një qendër e rëndësishme politike e drejtuar nga një elitë fisnikësh vendas, të cilët ishin organizuar në mënyrë hierarkike. 

Marrë nga Prigent, Vivien. “Notes sur l’évolution de l’administration byzantine en Adriatique (VIIIe-IXe siècle)”. Tek Mélanges de l’École française de Rome. Moyen-Age, tome 120, n°2. 2008. Les destinées de l’Illyricum méridional pendant le haut Moyen Âge; f. 403.

*

Mesjeta e Hershme nuk ishte një periudhë e mirë për asnjë vend të europës. Nuk kishte pse të ishte e tillë as për Durrësin dhe as për atë pjesë të Ilirisë së Jugut, e cila më pas do të njihej si Arbëri. Nga qendra e Perandorisë Romake, Adriatiku u kthye në periferinë e perandorive të mëdha si ajo bizantine dhe karolinge. Marxhinalizimit politik i ishte shtuar edhe tronditja e thellë raporteve demografike dhe shpërbërja e ekonomisë. Ishte krejt e pritshme njëfarë rrudhje e jetës urbane në Durrës. Por kjo rrudhje urbane nuk mund të ishte kurrë një zhdukje urbane. Investimet e perandorit Herakli në vitin 630, njoftimet e arkipeshkvinjëve të krishterë në vitet 691, 787 dhe 826, kërkesat zyrtare të papëve Adriani I dhe Nikolla I për rikthimin e Durrësit nën adminitrimin e Romës, respektivisht në vitet 772 dhe 861 si dhe kthimi i qytetit në kryeqëndrën e një Theme rreth vitit 810 na dëshmojnë qartë se Durrësi (Dyrrakioni) jo vetëm që kishte një jetë urbane por edhe se ai ishte një pjesë e rëndësishme e perandorisë Bizantine.

________

Kjo përmbajtje është përgjegjësi e autorit të cituar në shkrim dhe jo e redaksisë sonë. Artikulli është publikuar në kategorinë “Blog”, një hapësirë mendimi e pavarur nga redaksia e Medias Amfora. Ne synojmë të nxisim profesionistët, dashamirësit e trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm, të kontribuojnë me shkrime dhe mendime mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës, duke krijuar vlerë në informimin e publikut.  Krijoni profilin tuaj dhe postoni artikuj në faqen e Medias Amfora. Për më shumë ndiqni videon udhëzuese duke klikuar KËTU. Për çdo sugjerim, kritikë apo ankesë mbi këtë përmbajtje, ju lutemi na shkruani në emailin: ankesa@amfora.al

Foto në krye: Historical Atlas, William R. Shepherd.

[1] Një analizë epigrafike e vulës ka nxjerrё përfundimin se ajo, me shumё gjasё, duhet t’i përkasë periudhës mes viteve 720 dhe 760 e.s., duke anuar mё shumё nё vitet e vona të kësaj kronologjie, pra mes viteve 750-760 e.s. – Prigent, Vivien. “Notes sur l’évolution de l’administration byzantine en Adriatique (VIIIe-IXe siècle)”. Tek Mélanges de l’École française de Rome. Moyen-Age, tome 120, n°2. 2008. Les destinées de l’Illyricum méridional pendant le haut Moyen Âge; f. 403.