“Ushtari italian që pikturoi nonën”, perla e harruar e Colluras

Arti është një fuqi fisnike që i bashkon gjithmonë njerëzit! Historia e solli që një ushtar i ri siçilian të shkëlqente me artin e tij edhe në Durrës, ku ai që do të bëhej një piktor i njohur më pas, Lorenzo Collura, e përjetësoi veprën e tij në qytetin bregdetar përmes një portreti që realizoi për Familjen Nushi.

Lorenzo Collura ishte ishte një piktor italian që lindi në vitin 1920 në Grotte, Siçili dhe nga aty u transferua në Torino, ku mori formimin artistik. Më pas ai u përfshi në ushtri gjatë Luftës së Dytë Botërore në frontin italo-grek dhe përjetoi një odise nëpër Greqi dhe Shqipëri. 

Gjatë qëndrimit në Greqi pati fatin të njihte nga afër antikitetin helen dhe artin bizantin. Pas tërheqjes së ushtrisë italiane nga ky front, ai përfundoi në Shkodër, ku qëndroi për disa vite, e më pas në Durrës. 

Në Shqipëri ai u përdor nga regjimi i sapo instaluar komunist, si specialist në organizime kulturore. Pas riatdhesimit të tij në vitin 1947 u vendos në Palermo, ku mori pjesë në ekspozita të shumta artistike të nivelit rajonal dhe kombëtar. 

Collura drejtoi për 2 dekada Galerinë e Artit Modern në Palermo, të cilën e rijetëzoi me shumë përpjekje.

Ai la gjurmë të thella si një personalitet shumëdimensional, organizator kulturor, publicist, studiues dhe kritik arti, deri sa ndërroi jetë në vitin 1989. Sot në vendlindje po ngrihet një muze në nderim të tij.

*Foto e Lorenzo Colluras. Burimi: Familja

Gjatë qëndrimit të Colluras në Shkodër dhe Durrës, ambienti qytetar i këtyre dy djepeve të qytetërimit ishte një terren fertil për të zhvilluar art sepse ai nuk zhvillohet dokudo, përndryshe nuk do të jepte fryte. “Piktori-ushtar” la në këto 2 qytete tablo të ndryshme, peizazhe, piktura religjioze si dhe portrete. 

Gjatë qëndrimit në Shkodër dhe në Durrës, Collura vendosi lidhje me artistë e qytetarë artdashës, por edhe me disa familje. Një nga këto ishte edhe Famija Nushi në Durrës, e njohur për kontributin e saj të vazhdueshëm në jetën kulturore të qytetit. 

Shumë anëtarë të Familjes Nushi ishin të apasioniar dhe të talentuar të pikturonin. Shtëpia e vjetër e familjes tonë ishte plot me piktura vaji e akuareli dhe vepra arti kryesisht të autorëve impresionistë italianë.  

Nuk i dimë me saktësi rrethanat e kontakteve fillestare, por nga tradita familjare kemi mësuar se ai u bë mik i familjes. Në kohën e qëndrimit të tij në Durrës në vitet ’46-’47, ishte vetëm 26-27 vjeç. 

Në familjen tonë ai kujtohet si, “ushtari italian që pikturoi nonën”. Përveç kësaj atmosfere dashamirëse ndaj artit, Collura zbuloi një personazh tërheqës dhe frymëzues. Ishte Eleni Nushi (1873­-1960), nëna e djemve me të cilët ai u miqësua, së cilës ai i realizoi një portret brilant.

Subjekti: Eleni Nushi Autori: Lorenzo Collura Viti: 1946 Teknika: Vaj mbi pëlhurë Përmasat: 51 x 39 cm *Portreti botohet për herë të parë

Subjekti: Eleni Nushi  

Autori: Lorenzo Collura   

Viti: 1946

Teknika: Vaj mbi pëlhurë

Përmasat: 51 x 39 cm

*Foto e portretit po publikohet për herë të parë

Subjekti i portretit, Eleni Nushi, në kohën e realizimit të pikturës, pra në vitin 1946 ishte në moshën 73 vjeçare. Ajo që të bie në sy menjëherë është drita dhe gjallëria e jetës në fytyrën e kësaj zonje të moshuar, me flokë të tërhequr e të lidhura nga pas, si për të shtuar edhe më shumë shkëlqimin e një bukurie natyrale e të pa sforcuar. 

Busti është pakëz i kthyer nga e djathta, element i cili i jep akoma më shumë gjallëri, mbase për të balancuar thjeshtësinë kompozicionale. Shikimi i zonjës dëfton dinjitet, një jetë të gjatë të jetuar intensivisht dhe shëndetshëm.

Portreti është realizuar me teknikën e vajit mbi pëlhurë dhe ka përmasa 51 x 39 cm.
Në pjesën e poshtme autori ka shënuar, “L.Collura 46”, pra Lorenzo Collura, viti 1946

Kjo pikturë emeton fisnikëri, dritë dhe një kthjelltësi të jashtëzakonshme! Artisti i ka përjetuar këto cilësi të karakterit të kësaj zonje të moshuar dhe i ka pasqyruar me një mjeshtëri të rrallë. Eleni shquhej për inteligjencën e saj të veçantë, sa që në vegjëli, ati i saj Leonidha Kolea, e merrte në kuvendet e burrave ku ajo përfshihej në dhënien e mendimeve të zgjuara.

Familja Kolea ishte një prej familjeve ortodokse më të ngritura kulturalisht të Beratit dhe me influencë në zhvillimet politike e shoqërore të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, me personalitete të tilla si Dhimitër Kolea, Sotir Kolea dhe të tjerë.

Veshja edhe pse nuk ka ngarkesa dekorative të le të kuptosh se personazhi i përket një epoke të hershme. Ngjyra jeshile, dominante në tablo, mbase nuk është rastësi. Përveç se një ngjyrë qetësuese, qetësi që autori e ndjente në ajrin mikpritës, por edhe përfaqësuese e jetës, bollëkut dhe dashurisë së pakushtëzuar, cilësi të frymëzuara nga kjo nënë e moshuar, mund të lidhet edhe me ngjyrat ushtarake, mbase një mënyrë e autorit për t’u kujtuar si i tillë.

Durrësi i vitit 1941. Foto: Dr. Pierluigi Zamperin

Megjithëse është thjesht një portret, pa ndonjë kompozim të komplikuar, harmonia e ngjyrave të ngjall një forcë të madhe tërheqëse. Kjo pikturë është një dritare që të ngjall kureshtje dhe të mban lidhur, sikur të duash të flasësh me personazhin! 

Prandaj duhet t’i jemi mirënjohës këtij artisti të talentuar italian që rrezatoi deri në Durrës, duke lënë këtu trashëgim gjurmë të krijimtarisë së tij.

Mikel Nushi

Mikel Nushi është pinjoll i një familje të hershme qytetare të Durrësit. Ai është diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës e më pas në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Përveç profesionit të arkitektit ai është angazhuar edhe në misionet arkeologjike në qytet, në cilësinë e skicografit. Gjithashtu është angazhuar edhe në fushën e arteve figurative.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *