Ura shekullore e Subashit mbi Lumin Drino, “porta” e Labovës së Madhe dhe të Vogël
Ura e Subashit gjendet pranë rrugës Gjirokastër-Tepelenë dhe ruan ende këmbët e saj shekullore. Përmes një konstruksioni metalik mbi të kalon rruga drejt Labovës së Madhe dhe të Vogël, duke sjellë në vëmendje nevojën për mirëmbajtjen e urës.

Pamje e përgjithshme e Urës së Subashit, mbi Lumin Drino. Foto: Media Amfora
Në krahun e djathtë të rrugës që lidh Gjirokastrën me Tepelenën ndodhet Ura e Subashit, Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1977.
Ajo ngrihet gati 7 metra mbi Lumin Drino dhe vetëm 200 metra larg rrugës kombëtare. Prej së largu dominon kontruksioni metalik që lidh dy anët e lumit dhe një tub furnizimi me ujë që e shoqëron përgjatë gjithë gjatësisë.
Por ura ruan ende “këmbët” e saj të gurta, të ndërtuara aty së paku që prej periudhës mesjetare. Ajo mundëson vijimin e rrugës automobilistike për në Labovën e Madhe dhe të Vogël, një zonë e pasur për nga trashëgimia kulturore dhe monumentet.

Harkun e madh qendror që ngrihej mbi lumë, rreth 27 metra i gjatë, ura e ka humbur shumë kohë më parë në ujërat e Lumit Drino.
“Në gjendjen e sotme kjo urë ruhet mjaft e dëmtuar”, shkruhet në të dhënat për gjendjen e monumentit, përgatitur nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

“Ruhen vetëm pjesët e ndërtuara mbi tokë në hyrje dhe dalje të urës, ndërsa pjesa qendrore mbi ujë është e rrëzuar”, vijon shpjegimi rreth gjendjes së urës.
Ura e Subashit është përmendur herët nga studiuesit dhe udhëtarët e kohës, pasi ajo lidhte fshatrat e skajit verilindor të Luginës së Dropullit.

Ajo përmendet që në vitin 1830 nga Hujks, që rrëfen për vendndodhjen e saj, 11 milje nga Gjirokastra dhe nga Tepelena.
Ura në bregun lindor ka pesë kampata, dy me harqe me majë mbi shtratin e lumit dhe tri më të vogla, me harqe rrethore të mbivendosur mbi harqet e ulëta. Ato kanë shërbyer si porta shkarkimi në periudhën e vërshimeve të dimrit.
Sfidat kryesore me të cilat përballet monumenti janë rrezikimi i pjesëve të mbetura në tokë, ndërsa vegjetacioni e mbulon në shumicën e pjesëve të saj.

Ndërhyrja e fundit restauruese që rezulton t’i jetë bërë monumentit daton që nga viti 1973. Në raportin për gjendjen e monumentit, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore përveç nevojës për pastrimin nga gjelbërimi evidenton edhe ndërhyrjet teknike që duhen.
Disa prej meremetimeve lidhen me konsolidimin e muraturës, restaurimin e pjesës metalike të urës, si lyerja dhe plotësimi me elementë, restaurimi dhe plotësimi i dyshemesë.
Bazuar në stilin e ndërtimit të urës, elementëve arkitektonikë të pranishëm në themelet e saj dhe format e harqeve, kanë çuar shpesh studiuesit drejt hipotezave se më herët aty mund të ketë ekzistuar një urë antike.