Sulmet ndaj punonjësve të medias, gazetarët protestojnë përpara Kuvendit

Në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, reporterët protestuan sot në Tiranë, duke ngritur zërin kundër sulmeve me të cilat përballen punonjësit e medias. Ata u mblodhën përpara Kuvendit të Shqipërisë për të theksuar edhe sulmet që kanë si burim politikanët.

Të vendosur në rresht në dy grupe përballë njëri-tjetrit dhe me pankarta në duar, një grup gazetarësh në kryeqytet protestuan në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, që shënohet çdo vit më 3 maj.

Mëngjesin e të enjtes gazetarët u mblodhën në hyrjen e Kuvendit të Shqipërisë, duke protestuar për rastet e sulmeve fizike, verbale dhe presioneve të ndryshme.

Më 19 mars të këtij viti reporterja e “Syri TV”, Ambrozia Meta, u përball me cenimin fizik nga kryeministri Edi Rama, ndërsa refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të saj, fokusuar tek projekti ndërtimor për Ishullin e Sazanit.

Rasti i saj është një prej disa rasteve të raportuara gjatë këtij viti nga Media Amfora, ku gazetarët janë vendosur në qendër të shantazheve, dhunës dhe presioneve.

Protesta e sotme përpara Kuvendit bashkoi disa prej gazetarëve të mediave televizive dhe në internet në vendin tonë, të cilët raportojnë për zhvillimet politike dhe sociale.

Me pankarta ku ishin të shënuara të gjitha rastet e sulmeve ndaj punonjësve të medias, gazetarët kërkuan të drejtat e tyre për të punuar në një mjedis të denjë. Sipas tyre vetëm së fundmi janë regjistruar 30 raste sulmesh dhe kërcënimesh ndaj gazetarëve dhe operatorëve.

Ata apeluan për më shumë siguri në punën e tyre dhe për më shumë të drejta për sa i përket ushtrimit të profesionit. Ishin këto mesazhet kryesore që reporterët përcollën nëpërmjet protestës së tyre.

Përfaqësuesit e mazhorancës që morën pjesë në seancën plenare zgjodhën të mos e komentonin protestën, ndërsa përfaqësuesit e opozitës theksuan sulmet ndaj medias që sipas tyre kanë si burim qeverinë.

Gazetarët në vendin tonë po përballen edhe me sulme digjitale, ndërsa sulmet fizike dhe zbardhja e tyre nga prokuroria është në nivele shumë të ulëta, duke mos mundur të dërgojnë për gjykim autorët e këtyre ngjarjeve.