U tret në ujë bashkë me afresket, Kisha e Gjon Pagëzorit është kthyer në gërmadhë
Zbulimi në vitin 2006 dhe shpallja dy vite më pas monument kulture, nuk e shpëtoi nga rrënimi Kishën e Shën Gjon Pagëzorit në Fushë-Krujë. E gjendur nën nivelin e tokës, monumenti përmbytet shpesh dhe autoritetet e kulturës nuk kanë asnjë plan restaurimi për kishën që ja treti uji afresket.
Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Tiranë e inspektuan për herë të fundit Kishën e Shën Gjon Pagëzorit në fshatin Derven gjatë verës së këtij viti, por ai që duhej të ishte një monument mesjetar është kthyer në një gërmadhë.
Kisha e Shën Gjon Pagëzorit u zbulua rastësisht në vitin 2006 në fshatin e Fushë-Krujës, teksa po ndërtohej kisha e re katolike. Shumicën e ditëve me shi të dendur ajo qendron e përmbytur nga uji sepse ndodhet nën nivelin e detit.
“Monumenti shfaq problematika të vazhdueshme për shkak të pozitës gjeografike (vendndodhja fushë) duke krijuar probleme hidroteknike”, shpjegoi DRTK Tiranë në një përgjigje për Median Amfora.
“Duke qenë se rrënojat e kishës ndodhen në nivelin -4 m nën tokë, uji infiltrohet nga nëntoka, duke krijuar përmbytje në periudhën e dimrit dhe të pranverës”, shtoi përgjigja.
Por teksa situata përsëritet vit pas viti, institucionet e kulturës po ashtu përsërisin të njëjtin refren, duke lejuar shkatërrimin total të një monumenti kulture të kategorisë së parë, i cili duhej të kishte nivelin më të lartë të mbrojtjes për nga statusi që gëzon.
Kisha e Shën Gjon Pagëzorit u shpall monument kulture 2 vite pas zbulimit dhe në vitin 2008 mori statusin e mbrojtjes për shkak të vlerave që paraqiste, duke dëshmuar për një kishë mesjetare të kuruar me piktura murale (afreske).
Kisha mendohet se është ndërtuar rreth shekujve XIII-XIV të Erës Sonë dhe në muret e saj paraqiteshin në afreske shenjtorët Shën Pali, Shën Pjetri, Shën Gjon Pagëzoi, si edhe lajmërimi i Ëngjëllit Gabriel për Virgjëreshën Mari.
Por afresket mbeten të fiksuara në memorien e arkeologëve që e zbuluan dhe në fotot e vitit 2006, pasi tashmë afresket janë thërrmuar dhe kanë humbur imazhet që ruanin, si pasojë e gërryerjeve nga ujërat që përmbytin monumentin çdo vit. Uji ka shkatërruar plotësisht edhe një strehë prej druri që ishte ndërtuar herët për ta mbrojtur monumentin nga kushtet atmosferike.
Sot kisha duket e shkatërruar sikur të jetë goditur me predha ajrore, një situatë e nxitur edhe nga bimësia që e ka mbuluar tërësisht monumentin. Ajo gjendet përbri kishës katolike moderne, që u ndërtua duke e ruajtur monumentin e mëparshëm, por megjithatë sot është dëmtuar tërësisht.
“Ka qenë gjithmonë problematike si monument (rrënojë) për mirëmbajtje”, shpjegoi Drejtoria e Kulturës Tiranë për vështirësinë e mirëmbajtjes dhe të vizitës në monument.
Pavarësisht shkatërrimit të afeskeve, duket se edhe për të ruajtur muret e mbetura të monumentit nuk ka asnjë projekt konkret nga institucionet e kulturës.
“Institucioni jonë nuk disponon asnjë projekt restaurimi për këtë monument”, shpjegoi DRTK Tiranë në përgjigjen zyrtare.