Thethi në krizë: Aksioni i prishjeve përplas policinë me banorët 

Një aksion i nxitur nga kryeministri Edi Rama në kulmin e sezonit turistik për prishjen e një ndërtimi të paligjshëm në Theth, u zgjerua në disa pika, duke nxitur përplasjen me banorët e angazhuar në sektorin e turizmit, që prej vitesh kërkojnë njohjen e titujve të pronësisë dhe leje për strukturat akomoduese.

Pjesë nga video e shpërndarë në "Facebook" nga kryeministri Edi Rama pas nisjes së aksionit

Vendosja e të paktën 12 kabinave akomoduese për turistët në Theth, u bë publike nga kryeministri Edi Rama këtë të hënë, duke nxitur më pas një aksion të autoriteteve që zgjoi një konlikt lokal që po përplas banorët me autoritetet.

Aksioni i nisur për largimin e tyre u zgjerua beftas, duke zbuluar se vala e prishjeve do të kapte edhe objekte të tjera në Theth, që i gjeti të papërgatitur pronarët e tyre dhe turistët që kanë rezervuar kohë më parë qëndrimin në këto struktura.

Midis reshjeve të izoluara të shiut, banorët e fshatit në zemër të Alpeve Shqiptare bllokuan mëngjesin e të mërkurës urën që të çon në Fushë-Theth, duke u përplasur me policinë dhe duke kërkuar dialog, e transparencë për prishjet e nxitura nga deklaratat e kryeministrit Rama.

“Këtu bëhet një masakër në emër të shtetit, që me ul vlerën e turizmit të Thethit, që është turizëm i gjithë Shqipërisë”, u shpreh një prej banorëve të moshuar të zonës, duke apeluar që të mos penalizohen banorët që kanë ndërtuar në pronat e tyre dhe të mos pengohet sezoni turistik.

Në bilancin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), rezulton se janë prishur deri më tani 20 “vila” dhe 8 struktura me ” betoni/arme”, pa sqaruar statusin e tyre ligjor dhe vijimin e aksionit pas lejimit të këtyre ndërtimeve më herët.

Projekti “Eagle Villas Theth”, me disa kabina në formë kontejnerësh për akomodimin e turistëve u kthye edhe në një “mollë sherri” midis kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës, që sulmoi të hënën prokuroren, Elsa Gjeli, duke pretenduar se ajo kishte vendosur mosfillimin e çështjes penale për ndërtimin që sipas tij është pa leje.

“Si është e mundur, që pasi inspektorati përkatës dhe Policia e Shtetit konstatojnë një ndërhyrje brutale, mu në zemër të asaj mrekullie të maleve shqiptare dhe e përcjellin rastin, prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëhershëm personin”, pyeti Rama në një “video-selfie” në Facebook.

Ky qëndrim i Ramës u kundërshtua menjëherë nga Prokuroria e Shkodrës, që vuri në dukje se ishin institucionet në varësi të qeverisë, policia dhe Bashkia Shkodër, që e kishin referuar çështjen si kundërvajtje dhe jo si vepër penale.

“Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes është shprehur se kontejnerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosur mbi rrasa guri të prera”, deklaroi organi i akuzës për faktet e parashtruara, që shmangën hetimin për ndërtim pa leje.

Prokuroria e Shkodrës la më tej të kuptohej se komentet publike të kryeministrit Rama perceptoheshin si presion dhe dëmtonin besimin e publikut tek drejtësia.

“Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë”, shkruhej më tej në reagimin e saj.

Ndërhyrja në kulmin e sezonit turistik përtej habisë së turistëve i la një pjesë të tyre pa një çati për të kaluar natën, pasi autoritetet shembën befas strukturat akomoduese ku ata kishin rezevuar qëndrimin në Alpet Shqiptare, aq sa një pjesë u bashkuan simbolikisht me protestën, në një situatë të pakuptimtë sipas tyre.

Banorët e zonës i kanë trashëguar tokat në bazë të së drejtës zakonore, brez pas brezi dhe një pjesë e madhe e atyre që punojnë në sektorin e turizmit, rezultojnë me procedime penale për “ndërtime pa leje” sepse autoritetet nuk kanë zgjidhur regjistrimin e pronave dhe kanë bllokuar lejet e ndërtimit sipas kategorizimit të zonës si Park Kombëtar.