Rindërtohet “Mozaiku me Hipokamp” në Durrës
“Mozaikut me Hipokamp” është rindërtuar në pavijonin e Muzeut Arkeologjik Durrës, pranë monumenteve më të rëndësishme të zbuluara ndër vite, në 1/4 e sipërfaqes së tij reale. Restauratorët Qazim Kërtusha dhe Ivo Moja, në vitin 2018 rindërtuan një pjesë të mozaikut që ka sipërfaqe rreth 50 metër katror dhe aktualisht gjendet nëntokë, në lagjen numër 5 të qytetit të Durrësit.
Mozaiku u zbulua në vitin 1947 nga arkeologu Vangjel Toçi dhe pas konservimit të tij, ai ka qëndruar për shumë vite i mbuluar me rërë. Në fund të viteve’ 80, mozaiku u rihap nga arkeologu Moikom Zeqo, i cili ka kryer dokumentimin dhe mbulimin e tij.
Në vitin 2016 Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës njoftoi se mozaiku u mor në mbrojtje, me qëllim që të shpallej monument kulture pasi rrezikohet nga ujërat nëntokësore dhe nevojitet një investim për përmirësimin e gjendjes së tij.
Mozaiku me motive marine i përket shekullit I Para Erës Sonë dhe sot ende nuk janë marrë masa konkrete për hapjen e tij, verifikimin e gjendjes dhe ndërhyrjes për drenazhimin e ujërave nëntokësore që sipas ekspertëve janë me trysni të lartë në Durrës dhe mund të kenë dëmtuar një pjesë të mozaikut.