Rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik Durrës, ende larg përfundimit
Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një nga më të rëndësishmit në vend për objektet që datojnë nga prehistoria deri në mesjetë dhe që po rikonstruktohet. Por teksa po mbushet gati një vit nga nisja e punimeve, ato kanë ecur me ritme të ulta. UNOPS, organizata që po zhvillon projektin nuk ju përgjigj një kërkese për koment.
Disa pirgje me zhavorr të hedhura në oborr, janë dëshmia e vetme që në Muzeun Arkeologjik të Durrësit po punohet, pas dëmtimeve që pësoi struktura nga goditjet e tërmetit të 26 nëntorit.
Kontejnerët ku janë zhvendosur punonjësit e “Qendrës Muzore Durrës” janë pranë portës së hekurit që qendron e mbyllur me zinxhirë. Ndërsa i gjithë objekti është i rrethuar dhe brenda tij në këtë fund shtatori nuk shihen lëvizje punëtorësh.
Më 28 shtator të vitit të kaluar u deklarua nisja e punimeve për restaurimin total të objektit dhe pikërisht kjo datë ishte edhe dita e fundit që priti vizitorë, pasi godina të nesërmen u mbyll.
Restaurimi i Muzeut Arkeologjik po realizohet me një fond 348 milion lek ose rreth 3.2 milion euro. I financuar nga Bashkimi Evropian, zhvilluesi i projektit është Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve, e njohur si UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
Sipas tabelës informuese të vendosur në hyrje të objektit, punimet nisën në nëntorin e vitit 2022 dhe do të përfundojnë pas 17 muajsh. Por kur kanë kaluar gati 11 muaj nga nisja e ndërhyrjeve, ato duken ende larg përfundimit.
Media Amfora ju drejtua zyrës së UNOPS në Shqipëri për të mësuar më shumë rreth ecurisë së punimeve dhe respektimit të afateve, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Përfaqësues të ndryshëm të institucioneve të kulturës së Durrës bënë me dije se deri më tani punimet janë në fazën gati fillestare, që lidhet me rehabilitimin e rrjetit elektrik, hidraulik dhe me forcimin e strukturës së ndërtesës.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka statusin “muze kombëtar” dhe është një nga objektet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, që po restaurohet në kuadër të projektit “EU4Culture” (Bashkimi Evropian për Kulturën), i financuar nga BE-ja dhe që po zbatohet nga UNOPS-i, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
Muzeu u ndërtua në vitin 2002 dhe është më i madh në vend për sa i përket koleksionit të tij, i cili tashmë është magazinuar për të vijuar punimet e rikonstruksionit. Ai numëron mbi 3000 artefakte të zbuluara në Durrës, që dëshmon zhvillimin e qytetit nga antikiteti deri në mesjetë.
Pas rikonstruksionit të ndërtesës tre katëshe, muzeu parashikohet të ofrojë përdorimin e teknologjisë dhe të mjeteve multimediale, për të njohur më tej historinë dhe trashëgiminë kulturore.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit ju nënshtrua një restaurimi të mëparshëm në vitet 2011-2013, me një investim gati 1 milion dollarë nga qeveria shqiptare.
Ai u hap për herë të parë në mars 1951, nga arkeologu Vangjel Toçi, i njohur dhe si “babai i arkeologjisë durrsake”. Objektet e para u vendosën në një vilë dykatëshe që u kthye në një muze të improvizuar dhe që gjendej pak minuta larg atij të sotmit.