Propaganda për Sigurimin e Shtetit gjatë komunizmit

Figura e Sigurimit të Shtetit përfaqëson një nga format më të qarta të ndërhyrjes ideologjike në median dhe kulturën vizive shqiptare gjatë regjimit komunist. Narrativa zyrtare e kohës e paraqiste institucionin si garant të rendit dhe mbrojtës të popullit, duke fshehur represionin politik, survejimin dhe dhunën sistematike.

Sigurimi i Shtetit njihej si një nga shërbimet sekrete më të rrepta dhe më të frikshme në Evropën Lindore, duke u renditur krahas “UDB”-së jugosllave (shërbimi sekret i Jugosllavisë), shërbimit sekret rumun “Securitate”, “STASI”-t gjermano-lindor (shërbimi sekret i Gjermanisë Lindore) dhe shërbimit sekret sovjetik “KGB”.

Megjithëse Sigurimi i Shtetit arriti të frikësonte dhe të izolonte popullin shqiptar për 45 vite, media e shtypur dhe ajo radiotelevizive e asaj periudhe e përcolli rolin e tij përmes dezinformimit. Gjatë komunizmit, media shqiptare, duke përfshirë librat, artikujt, gazetat, revistat, programet radiotelevizive, fotografitë dhe filmat, luante një rol të qartë në rishkrimin e figurës së Sigurimit të Shtetit në mënyrë dezinformuese ndaj popullit shqiptar.

Në media, oficerët e tij shfaqeshin si heronj të përkushtuar dhe të pakorruptueshëm, ndërsa persekutimi politik dhe dhuna sistematike trajtoheshin me heshtje ose racionalizoheshin si “nevojë për rend dhe siguri”.

Filmat, serialet dhe librat e kohës nuk tregonin kurrë viktimat e arrestuara, të torturuara apo të ekzekutuara, duke e normalizuar dhunën dhe duke e bërë Sigurimin të dukej si një institucion i zakonshëm, pa pasoja morale apo shoqërore.

Ky riformulim mediatik krijoi një narrativë të fuqishme që mbeti në kujtesën kolektive dhe e bëri të vështirë për brezat e rinj të dallonin mes realitetit historik dhe propagandës vizive e letrare të asaj kohe.

Pas krijimit të Kinostudios “Shqipëria e Re” në korrik të vitit 1952, kinematografia shqiptare u vendos nën kontroll të plotë ideologjik dhe u shndërrua në një mjet të rëndësishëm propagande të regjimit komunist.

Nën udhëzimet e drejtpërdrejta të Enver Hoxhës, u prodhuan filma dokumentarë, historikë dhe policorë, ku Sigurimi i Shtetit paraqitej si mbrojtës i rendit “popullor” dhe garant i stabilitetit ideologjik në Shqipëri. Brenda këtij konteksti, filmi i parë që trajtoi drejtpërdrejt këtë temë ishte “Detyrë e posaçme” (1963), me regjisor Kristaq Dhamon, i cili vendosi modelin narrativ të këtij zhanri për vitet ’50.

Në dekadat pasuese, gjatë viteve ’70 dhe ’80, kjo temë u zhvillua dhe u përsërit në një seri filmash që ndërtuan një imazh të qëndrueshëm dhe të idealizuar të Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1970 u realizua filmi “Gjurma”, pasuar nga “Shpërthimi” (1974), “Përballimi” (1976) dhe “Fije që priten” (1976), të cilët konsoliduan zhanrin e filmit policor me ngarkesë të fortë ideologjike.

Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80 u prodhuan “Mysafiri” (1979), “Një ndodhi në port” (1980) dhe “Gëzhoja e vjetër” (1980), ku narrativat e sabotimit dhe agjenturave të huaja u përdorën për të justifikuar ndërhyrjen e vazhdueshme të aparatit shtetëror në jetën e shqiptarëve të zakonshëm.

Ky cikël vazhdoi me filmat “Kërcënimi” (1981), “Gracka” (1983) dhe “Dora e ngrohtë” (1983), duke e forcuar figurën e oficerit të Sigurimit të Shtetit si hero i heshtur dhe moralisht i pastër. Në mesin e viteve ’80 u realizuan “Vendimi” (1984) dhe “Asgjë nuk harrohet” (1985), filma që përforcuan idenë e vigjilencës së përhershme ndaj “armiqve të brendshëm dhe të jashtëm”.

Këto prodhime kinematografike jo vetëm deformuan ngjarje reale, por ndërtuan edhe një kujtesë kolektive ku dhuna politike dhe persekutimi normalizoheshin si pjesë e domosdoshme e mbrojtjes së shtetit socialist.

Filmat dokumentarë dhe kronikat zyrtare pasqyronin gjithashtu rolin e Sigurimit të Shtetit në fusha të ndryshme të jetës publike, nga historia dhe kultura te organizimi shoqëror dhe zhvillimet teknologjike.

Posteri propagandistik i një filmi të komunizmit. Burimi: Gerhard Mema

Përveç filmave shqiptarë, një tjetër mjet i rëndësishëm për forcimin e figurës së Sigurimit të Shtetit në propagandën komuniste ishin fotografitë dhe posterat propagandistikë, të cilët u riprodhuan gjerësisht për të ndërtuar një imazh të idealizuar të këtij institucioni.

Këto imazhe synonin ta paraqisnin Sigurimin jo si aparat represiv, por si pjesë organike të shoqërisë socialiste. Një nga posterat më të njohur të kësaj periudhe paraqiste figurën e një ushtari të përgjysmuar që mbante një pushkë, i rrethuar nga simbole të komunizmit si kazma, sëpata, drapëri, pushka dhe flamuri shqiptar i shoqëruar me yllin komunist.

Në pjesën tekstuale të posterit shkruhej slogani kryesor “Për popullin, me popullin”, i shoqëruar me një citim të Enver Hoxhës: “Sigurimi i Shtetit është arma e mprehtë dhe e dashur e Partisë sonë, sepse ajo mbron interesat e popullit dhe të shtetit tonë socialist kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm”.

Kjo formulë synonte të fshihte natyrën reale të institucionit përmes një gjuhe bashkuese dhe paternaliste.

Logoja e Sigurimit të Shtetit, e pranishme në shumë prej këtyre materialeve vizive, mbartte gjithashtu një ngarkesë të fortë simbolike. Ajo kombinonte elemente të mbrojtjes dhe vigjilencës, duke e paraqitur institucionin si mburojë të shtetit socialist dhe të rendit ideologjik.

Përmes kësaj simbolike, Sigurimi ndërtohej si një forcë e padukshme, por e përhershme, që vepronte në emër të popullit dhe nën autoritetin absolut të Partisë. Ky konstrukt vizual ndihmoi në normalizimin e pranisë së Sigurimit në jetën e përditshme dhe në legjitimimin e veprimeve të tij represive si domosdoshmëri historike dhe politike.

Përveç logos zyrtare të Sigurimit të Shtetit, në revista, artikuj, botime propagandistike dhe libra të zhanreve të ndryshme u ndërtuan imazhe të shumëfishta të oficerëve dhe drejtuesve të këtij institucioni.

Arsyeja e këtij përfaqësimi të vazhdueshëm ishte legjitimimi moral dhe shoqëror i institucionit, duke e paraqitur atë jo si aparat kontrolli dhe represioni, por si figurë të përkushtuar ndaj rendit, stabilitetit dhe “mbrojtjes së popullit”.

Oficeri i Sigurimit shpesh përshkruhej si i disiplinuar, i qetë, inteligjent dhe i sakrifikuar; një figurë që vepronte në heshtje për të garantuar sigurinë e shtetit socialist. Në shumë raste, ai paraqitej si njeri familjar, i ndershëm dhe me integritet të lartë moral, duke krijuar kontrast të fortë me figurën e “armikut”, i cili portretizohej si sabotator, kriminel, borgjez, tradhtar ose agjent i huaj.

Një shembull i veçantë i këtij konstruksioni narrativ shfaqej në gazetat dhe revistat e periudhës së monizmit, si edhe në veprat e diktatorit Enver Hoxha, si Rreziku Anglo-Amerikan në Shqipëri (1982), Veprat e Zgjedhura Volumi I–VI (1983) dhe publikime të tjera.

Në librin Veprat e Zgjedhura: Volumi I (1983), Enver Hoxha theksonte se Sigurimi i Shtetit duhej të vepronte gjithmonë nën drejtimin e Partisë dhe kurrë mbi të. Në teori, ky model krijonte përshtypjen e një strukture të kontrolluar, ku Partia e Punës kontrollonte organet e Sigurimit dhe ku kritika e autokritika përdoreshin si mekanizma korrigjues.

Megjithatë, e vërteta historike dëshmon një pamje tjetër. Ndërsa Sigurimi i Shtetit paraqitej si institucion i organizuar dhe i kontrolluar në duart e PPSH-së, në praktikë ai funksiononte si një aparat i gjerë survejimi dhe ndëshkimi politik. Frika nga hetimi, përgjimi apo denoncimi ishte e përhapur në jetën e përditshme, por kjo atmosferë rrallëherë pasqyrohej në faqet e botimeve zyrtare.

Në përfundim, mënyra se si Sigurimi i Shtetit u transmetua përmes mediave dhe kulturës vizuale përbën një nga rastet më të qarta të dezinformimit ideologjik gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Nga paraqitja heroike në filmat shqiptarë deri te portretizimet në shtyp, revista dhe literaturë zyrtare, u ndërtua një imazh i unifikuar ku Sigurimi shfaqej si garant i rendit dhe mbrojtës i popullit.

Kjo narrativë qëndronte në kontrast të fortë me realitetin e përjetuar nga individët, ku hetimet, burgimet dhe izolimi përbënin pjesë themelore të sistemit. Media nuk synonte të pasqyronte kompleksitetin e kësaj periudhe, por të formësonte një perceptim kolektiv ku çdo kundërshti interpretohej si kërcënim për stabilitetin kombëtar.