Poli i ri arkeologjik surprizë për Durrësin, përballë pikëpyetjeve për të ardhmen 

Kujdesi i Bashkimit Evropian për të kontrolluar më parë territorin ku do të ndërtohet Gjimnazi Gjergj Kastrioti, krijoi mundësinë që arkeologët të zbulojnë një pol të ri arkeologjik, unik për Durrësin dhe më gjerë. Në fund të projektit të gërmimit paraprak, pikëpyetje ngrihen nëse zbulimi do të mbijetojë apo nëse do të harrohet në themelet e ndërtimit të ri.

Gërmimi arkeologjik për njohjen e gjurmës së ndërtimit të mundshëm të Gjimnazit Gjergj Kastritoti në Durrës po shkon drejt fundit, duke ekspozuar pjesërisht të paktën 2 mozaikë, struktura arkeologjike dhe mbetje afreskesh, të rralla në hapësirën shqiptare.

Profile sipërfaqësore të mureve antike të zbuluara. Foto: Media Amfora

Zbulimet arkeologjike datohen që prej periudhës qytetare ilire, deri në ndërtimet urbane më të zhvilluara përgjatë ndikimit të periudhës romake, ku spikat kujdesi ndaj detajeve dhe krijimi i kushteve për një jetesë luksoze. E gjitha kjo pasohet nga popullimi në shekujt e mëvonshëm.

Strukturë arkeologjike e ndërtuar më vonë pranë mozaikut të rrallë. Foto: Media Amfora

“Kjo konsiston në ndërtime me një aritekturë të zhvilluar, e faktuar së fundmi edhe nga dalja në dritë e gjurmës të një pishine të brendshme të një vile të periudhës romake…”, njoftoi më herët Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).

Gjurmë të afreskeve. Foto: Media Amfora

“…e para e llojit të saj e zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Shqipëri, e cila është e dekoruar në të gjithë sipërfaqen e saj me afresk të një niveli të lartë artistik shumëngjyrësh”, vijoi njoftim në faqen zyrtare të IKTK-së në “Facebook”.

Mozaiku me motive gjeometrike dhe floreale. Foto: Media Amfora

Mozaiku i parë i zbuluar është i punuar në formë qilimi, duke kombinuar teserat e gurit në ngjyrë të bardhë dhe të zezë, me motive floreale dhe gjeometrike, që ngjasojnë me hojzat e bletëve. Kjo teknikë punimi e daton ndërtimin e vilës midis shekullit I Para Erës Sonë dhe shekullit II të Erës Sonë.

Mozaiku me motive gjeometrike dhe floreale. Foto: Media Amfora

“Me rëndësi është fakti që mozaikët me këto motive në perandorinë romake janë të përhapura kryesisht në Itali, si në Pompei ose Ostia dhe shumë rrallë në lindje”, shpjegoi IKTK.

Ky stil ndërtimi dëshmon për lidhjet e ngushta ekonomike dhe kulturore që qyteti i Durrësit ka pasur me qendra të rëndësishme të antikitetit. 

Mozaiku i dytë i zbuluar, i rrallë për Shqipërinë. Foto: Media Amfora

Megjithëse gërmimi arkeologjik nuk ka shkuar në thellësi të themeleve të strukturave, ekspozohen kanale për ujërat e vilës dhe të shiut, si edhe infrastruktura mbështetëse. E gjitha kjo e shoqëruar me gjetje të pasura objektesh prej materialesh të ndryshme.

Kanal për drenazhimin e ujërave. Foto: Media Amfora

Këto zbulime arkeologjike janë të rralla në këtë pjesë të qytetit dhe dëshmojnë për një organizim urban të panjohur më parë, që ka qenë e dedikuar për shtresat elitare të parisë së Dyrrahut antik.

“…e faktuar së fundmi dhe nga dalja në dritë e gjurmës të një pishine të brendshme të një vile të periudhës romake, e para e llojit të saj e zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Shqipëri, e cila është e dekoruar në të gjithë sipërfaqen e saj me afresk…”, shpjegoi për publikun IKTK.

Pjesë e dyshemesë së strukturave antike. Foto: Media Amfora

Zbulimet arkeologjike në kantierin e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti” erdhën pas planit për rindërtimin e tij. Ndërtesa u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe nevojitej rindërtimi sipas parametrave të Bashkimit Evropian.

Kanal për largimin e ujërave të përdorura nga vila. Foto: Media Amfora

Gërmimi arkeologjik u zhvillua vetëm në 1197 m2, nga 4367 m2 që është territori i shkollës, duke ekspozuar kështu vetëm një pjesë të potencialit të jashtëzakonshëm arkoelogjik që ka zona. 

Kolonë e dekoruar në ambientet e vilës. Foto: Media Amfora

Gërmimi ndjek gjurmën e projektit dhe situata u përmbys në favor të arkeologjisë kur shkolla që gjendej e ndërtuar mbi një kodër të butë, u vendos që të kishte një kat nëntokësor dhe projekti u parapri nga kontrolli arkeologjik, që gjeti së pari gjurmët e mozaikut dhe pak struktura antike.

Pamje 3D e projektit të rindërtimit të gjimnazit. Burimi: Koncepti i gërmimit arkeologjik

Ky zbulim i ri arkeologjik sipas studiuesve dëshmon për ekzistencën e një potenciali edhe më të madh në këtë territor, një kompleks edhe më masiv, që hap më tej një kapitull të ri për këtë zonë të Durrësit, e njohur ndryshe edhe si “Kodra e Gjergjit”.

Gërmimi që po realizohet nga arkeologu Luan Përzhita u mbështet nga Bashkia Durrës dhe pritet që të përfundojë në fund të muajit qershor, për të vijuar me vendimmarrjen në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, që pritet të vendosi nëse shkolla do të rindërtohet totalisht mbi zbulimet arkeologjike apo nëse do t’i hapet rruga zbulimit të një poli të ri historik.

Jo të gjitha shkollat e rindërtuara pas tërmetit kanë pasur të njëjtin fat për kontrollin paraprak të territorit. Shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” në lagjen 11 të qytetit të Durrësit u rindërtua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por megjithëse ishte pranë zbulimeve të rëndësishme në qytet, gërmimet nuk u monitoruan në mënyrë efektive nga arkeologët.

Në të shkuarën Durrësi ka njohur zbulime po kaq të jashtëzakonshme, si në rastin e zbulimit të një lagjeje të plotë të periudhës romake, e cilësuar si “Pompei shqiptar”. Në vendin që njihet si ish-Lulishtja 1 Maji, sot është ndërtuar një kompleks pallatesh dhe vetëm një sipërfaqe shumë e vogël e zbulimit është ruajtur në bodrumin e një pallati, duke betonizur pjesën më të madhe të lagjes antike që u zbulua.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109