Piktorët e njohur bashkojnë penelat me fëmijët me aftësi të veçanta në Peshkopi
Nisma “Alfabeti i ngjyrave” mblodhi në Peshkopi artistë të njohur, të cilët pikturuan përkrah fëmijëve me aftësi të veçanta, veprat e të cilëve do të ofrohen në një ankand ku marrin pjesë klubet “Rotary” të Shqipërisë dhe të Kosovës, të ardhura që do të shkojnë për shkollimin e fëmijëve.
Një grup piktorësh shqiptarë u bashkuan me fëmijët me aftësi të veçanta në Peshkopi, për t’i dhënë ngjyra ëndërrave të tyre mbi telajo.
Mbi 10 fëmijë me aftësi të veçanta dhe 20 bashkëmoshatarë të tyre pikturuan përkrah artistëve të njohur, si Artan Shabani, Ardit Boriçi, Ylli Drishti, Lysien Koçi dhe Robert Përmeti.
“Arti i të pikturuarit me katër duar është një gjuhë jashtëzakonisht e fortë dhe konsiderohet një mjet komunikimi universal, i drejtpërdrejtë, spontan, instiktiv dhe pa asnjë filtër”, komentoi piktori Artan Shabani.
“Arti është një mjet unik për të ndihmuar njerëzit dhe veçanërisht fëmijët, të cilët me punimet e tyre artistike mund të ri zbulojnë potencialin krijues”, shtoi Shabani.
Ai dhe kolegët vendosën firmën e tyre përbri pikturave që u realizuan në Qendrën Kulturore Peshkopi, ku fëmijët me artistët sollën në telajo peizazhe nga qyteti, natyrën, njerëzit e dashur apo ëmbëlsirat e preferuara, si akullorja.
Aktiviteti jofitimprurës synonte që fëmijët me aftësi të veçanta dhe bashkëmoshatarët të përdornin artin si një formë sensibilizuese për talentin e fshehur të gjithëkujt prej tyre.
Nisma u ndërmor në bashkëpunim me “Shoqatën Ndërkombëtare së Bashku ne Mundemi”, “Klubin Rotary Durrës” dhe “Klubin Rotaract Durrës”, duke synuar më tej që pikturat e realizuara nga artistët dhe fëmijët të ofrohen në një ankand, të ardhurat e të cilit do t’i kthehen fëmijëve dhe familjeve të tyre.
“Pikturat e realizuara do të paraqiten në muajin qershor në konferencën e klubeve ‘Rotary’ të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku do të marrin pjesë rreth 300 persona, të cilët do të njihen me ëndërrat e fëmijëve me aftësi të veçanta dhe të piktorëve, të bashkuara në një tablo”, u shpreh iniciatori i aktivitetit “Alfabeti i ngjyrave”, arkitekti nga Durrësi, Indrit Hamiti.
“Të ardhurat nga shitja e pikturave do t’i dhurohen familjeve të fëmijëve, me qëllim financimin e shkollimit dhe blerjen e mjeteve të nevojshme”, shtoi Hamiti për Median Amfora.
Ankandit do t’i shtohen edhe veprat e artistëve pjesëmarrës, si Artan Shabani dhe disa vepra në pikturë nga koleksioni i Luçiana Shabanit.
Në Shqipëri në të kaluarën në fushën e ilustrimeve në letërsinë për fëmijë kontribuan piktorët Safo Marko dhe Agim Faja, të njohur edhe si ilustratorët e parë që ja kushtuan jetën e tyre kësaj gjinie të pikturës.