Pas rifillimit të “Velierës”, rrafshohet shumica e zbulimeve arkeologjike

Rifillimi i punimeve për ndërtimin e projektit ‘Veliera’ në Durrës javët e fundit, ka lënë pas vetëm një pjesë të mureve të zbuluara, pasi pjesa tjetër u shemb me mjete të rënda, për shkak se vijimi i projektit parashikonte ndërtimin e njërës prej këmbëve të “Velës” mbi to.

Në mungesë të monitorimit arkeologjik në ditët e para, punimet e Bashkisë Durrës sollën shkatërrimin e pjesshëm të ndërtesës së periudhës osmane, që u përdor edhe si konak për Princ Vidin, megjithëse është parashikuar që projekti që po vijon t’i integrojë duke i ruajtur zbulimet arkeologjike.

Muret përmbanin gurë monumental, pjesë altari dhe kapitele që ishin marrë nga pjesë të ndryshme të qytetit, gjatë ndërtimit të themeleve dhe datojnë të paktën që në periudhën romake.

Hapësira ku gjendeshin muret e zbuluara në vitin 2017

Më 23 shkurt Gjykata Administrative e Apelit vendosi në dhomë këshillimi t’i hapë rrugën përfundimit të projektit “Veliera”, duke pushuar gjykimin e çështjes. Prokuroria Durrës po ashtu nuk gjeti vepër penale gjatë zbatimit të projektit që dëmtoi objektet arkeologjike dhe shkeli Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Rregulloren e Administrimit të Zonës Arkeologjike A dhe B në Durrës, që nuk lejon ndërhyrjet nëntokë dhe kërkon monitorimin e arkeologëve.

Projekti i shumë debatuar solli një valë protestash nga qytetarët, që kërkuan ndalimin e vijimit të projektit mbi zbulimet arkeologjike dhe një pjesë e ekspertëve të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjisë e kundërshtuan projektin me sipërfaqe 12 mijë metra katrorë dhe një kosto prej më shumë se 4 milionë euro.

Ditën e sotme Gjykata Administrative e Apelit pushoi shqyrtimin e gjykimit të çështjes administrative me nr.8 vendimi, të datës 31.01.2018, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës, duke përmbyllur kështu vendimet e gjykatave që i hapën rrugën rifillimit të punimeve.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109