Organizatat e medias kritikojnë Kryeministrin Rama pas përplasjes me gazetarët

Organizata vendase dhe rajonale të gazetarëve kanë reaguar pas incidentit në një konferencë për shtyp të Kryeministrit Edi Rama me gazetaren Ambrozia Meta. Ato paralajmërojnë se përjashtimi i gazetarëve dhe retorika ndaj mediave kritike mund të krijojnë precedent për kufizimin e aksesit në informacion publik.

Një përplasje mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe gazetares Ambrozia Meta gjatë një konference për shtyp në Tiranë më 13 mars 2026 ka nxitur reagime nga organizata të gazetarëve në Shqipëri dhe rajon, të cilat shprehin shqetësim për trajtimin e gazetarëve dhe përjashtimin e tyre nga aktivitetet zyrtare.


“Ndërsa debati i fortë mes gazetarëve dhe zyrtarëve publikë është pjesë e kontrollit demokratik, incidentet e përsëritura që çojnë në përjashtimin e gazetarëve ose në stigmatizimin e mediave kritike rrezikojnë të krijojnë një precedent që minon aksesin e barabartë në informacion publik dhe dobëson llogaridhënien publike”, shkroi në një reagim rrjeti i gazetarëve “SafeJournalists Network”.
Rrjeti shprehu gjithashtu shqetësim për retorikën e përdorur ndaj mediave kritike gjatë konferencës, përfshirë përdorimin e termit “tenxhere”, si dhe për akuzat publike se disa media janë të përfshira në aktivitete kriminale si pastrim parash apo evazion fiskal pa u paraqitur prova.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi për incidentin, duke e cilësuar përjashtimin e gazetares si një zhvillim që cenon standardet e komunikimit institucional me median dhe respektin ndaj punës së gazetarëve.
“AGSH dënon përjashtimin përgjithmonë të gazetares Ambrozia Meta të Syri tv, nga konferenca për shtyp, një veprim që përbën një precedent të rrezikshëm për kufizimin e aksesit të gazetarëve në informacion publik dhe përjashtimin selektiv të mediave nga aktivitetet institucionale”.

Incidenti ndodhi gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Kryeministri, ku një shkëmbim i tensionuar mes kryeministrit dhe gazetares Ambrozia Meta çoi në ndërprerjen e aktivitetit. Sipas deklaratave publike, pas debatit kryeministri i komunikoi gazetares se ajo nuk do të lejohej më të merrte pjesë në konferencat e tij për shtyp. Në të njëjtën situatë, edhe gazetarit Isa Myzyraj iu kërkua të largohej nga salla pas një shkëmbimi verbal.

Incidenti i fundit vjen pas një përplasjeje të mëparshme mes kryeministrit dhe gazetares Ambrozia Meta, kur në vitin 2024 kamerat filmuan momentin kur ai e preku në fytyrë gjatë një debati për pyetje mbi projekte me interes publik, një veprim që u dënua nga organizatat e gazetarëve si cenim i integritetit fizik të saj.

Në reagimin e tij, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) theksoi se përplasjet e tilla në konferenca për shtyp rrezikojnë të dëmtojnë komunikimin institucional dhe të krijojnë klimë presioni ndaj gazetarëve që kërkojnë përgjigje për çështje me interes publik.

“UGSH dënon vendimin përjashtues të kryeministrit ndaj gazetarëve, të cilët këmbëngulin për përgjigje specifike dhe transparencë”, shkruhej në deklaratë.
Unioni u bëri gjithashtu thirrje gazetarëve për më shumë solidaritet profesional dhe respektim të standardeve etike në komunikimin publik.

Organizatat e gazetarëve i kanë bërë thirrje autoriteteve publike që të garantojnë akses të barabartë për gazetarët në aktivitetet zyrtare dhe të shmangin përjashtimin selektiv të mediave nga konferencat për shtyp, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve demokratike dhe të lirisë së medias.