Nga “Veliera te Pameba”, eksplozivët shënjestrojnë mjediset pranë Vangjush Dakos
Policia e Durrësit njoftoi se një sasi e dyshuar si lëndë shpërthyese u gjet mbrëmjen e së shtunës në një vazo lulesh, në ndërtesën e ish-hotel “Pameba”. Objekti në pronësi të familjarëve të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, prej vitesh është i mbyllur për publikun, por frekuentohej shpesh prej tij dhe bashkëpunëtorëve.

Ndërtesa e ish-Hotel Pamebës, ku u vendos lënda eksplozive. Foto: Media Amfora
Policia e Durrësit njoftoi mbrëmjen e së shtunës se në mjediset e një ndërtese të private ishte gjetur një sasi lënde shpërthyese, që mendohet të jetë montuar në mënyrë artizanale.
“…në një nga vazot e luleve është gjetur një sasi e dyshuar lëndë plasëse…”, sqaroi Policia e Durrësit për median.
Ndërtesa që dikur shërbente si “Hotel Pameba” gjendet në lagjen numër 1 të qytetit, pranë amfiteatrit të periudhës romake dhe sipas burimeve të konfirmuara të Medias Amfora është në pronësi të familjarëve të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Megjithëse ndërtesa i ka dyert e mbyllura prej vitesh për klientët, aty shihej të shkonte shpesh ish-kryebashkiaku Dako, familjarë të tij dhe bashkëpunëtorë të politikës dhe biznesit, për takime që qëndronin gjithnjë larg syrit të publikut.
“Grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e llojit të lëndës së gjetur, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, sqaroi Policia e Durrësit në deklaratën e saj.
Më herët në muajin maj edhe pranë ndërtesës ku banon Dako, në shkallët e Sheshit “Veliera”, që është edhe një nga zonat më të frekuentuara në Durrës, policia gjeti dhe çaktivizoi një minë me celular, por pa sqaruar asnjëherë nëse ngjarjet kishin si objektiv përcjelljen e mesazheve kriminale ndaj tij apo personave të tjerë.
Vetë ish-kryebashkiaku Dako nuk reagoi për këto ngjarje pas një kërkese për koment të drejtuar nga Media Amfora, duke shpjeguar me shkrim se nuk donte të prononcohej për këtë temë.