Ndërtoi tek monumenti “Ura e Vashës”, policia arreston banorin e fshatit

Policia arrestoi një 44-vjeçar që u kap duke ndërtuar një objekt të paligjshëm tek “Ura e Vashës” në Mat, një Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1983.  E frekuentuar nga turistë vendas dhe të huaj, zona përreth saj prej vitesh po përballet me ndërtime shërbimi që cenojnë peizazhin dhe vlerat historike.

Pamje nga ndërtimi i paligjshëm tek "Ura e Vashës". Foto kortezie nga Policia e Shtetit

Policia e Shtetit arrestoi një banor të fshatit “Fshat” në Klos, pasi u kap gjatë natës duke ndërtuar një objekt të mbivendosur në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”.

Megjithëse një urë mesjetare pjesë trashëgimisë kulturore të Kategorisë së Parë, ndërtimi i ri është lidhur me monumentin ekzistues dhe po tentonte të krijonte një urë të dytë në miniaturë.

“Kreu ndërhyrje në monumentin e kulturës ‘Ura e Vashës’ dhe ndërtoi pa leje një objekt pranë saj, arrestohet 44-vjeçari”, njoftoi për mediat Policia e Shtetit.

Pamje nga ndërtimi i paligjshëm tek "Ura e Vashës". Foto kortezie nga Policia e Shtetit
Pamje nga ndërtimi i paligjshëm tek “Ura e Vashës”. Foto kortezie nga Policia e Shtetit

“Ura e Vashës”, me gjatësi 11 metra u shpall monument në vitin 1983 dhe ndodhet mbi Lumin Mat, poshtë Rrugës së Arbrit, midis Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë. Këmbët e urës mesjetare me qemer janë vendosur mbi dy brigje shkëmbore, me një hark në krahun e djathtë dhe një dritare shkarkuese.

Policia njoftoi se 44 vjeçari me iniciale M. S. dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i veprave kulturore” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u kap në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa u pajisur me leje, si edhe duke kryer ndërhyrje dhe punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”. 

"Ura e Vashës" përpara ndërhyrjes. Foto: Media Amfora
“Ura e Vashës” përpara ndërhyrjes. Foto: Media Amfora

Megjithëse një objekt kulture i Kategorisë së Parë, pranë saj vitet e fundit janë ndërtuar objekte shërbimi bar-restorant, duke rrezikuar edhe peizazhin e monumentit, që frekuentohet përgjatë gjithë vitit dhe në verë turistë të shumtë shijojnë ujërat e kristalta të Lumit Mat.