Mbushen me dhe gropat që dëmtuan arkeologjinë tek “Veliera”, pas raportimit të Amfora.al

VËZHGIM/

Përpara dy ditësh, në pjesën e sipërme të projektit “Veliera”, punëtorët e firmës private që po zbaton projektin, hapën disa gropa me thellësi 1-1.5 metër, që krahasuar me thellësinë e zbulimit të murit rrethues të qytetit apo varreve mesjetare, është e konsiderueshme.

Këto punime, i bënin të paligjshme disa prej vendimeve të gjykatave të Durrësit, të cilat njëzëri, shkallë pas shkalle, u shprehën për ndalimin e punimeve në pjesën e sipërme të projektit “Veliera”. Kjo edhe pas kërkesës së prokurorisë, e cila vendosi sekuestro preventive (të përkohshme) për firmën private.

Por nga vëzhgimet e Amfora.al, rezultoi se një prej kamionëve të Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal të bashkisë Durrës, po transportonte palmat. Kështu ky institucion ishte në dijeni të kësaj veprimtarie, ndërsa drejtuesi i gërmimeve arkeologjike, pohoi se ata i kanë përfunduar ato, duke lënë të kuptohet se kantieri i ndërtimit nuk është në monitorimin e përditshëm të arkeologëve.

Pas raportimit të Amfora.al për këtë veprimtari të paligjshme, nga vëzhgimet e kryera mbrëmjen e sotme, rezultoi se gropat e hapura për mbjelljen e palmave, janë rimbushur me dhe.

Por ky veprim nuk e rikthen dëmtimin e shtresave nëntokësore me pasuri të shumta arkeologjike. Siç paraqitet edhe në videon e mëposhtme, realizuar me datë 18 maj, gropat e hapura kanë hasur në copa të shumta qeramike, që mund të jenë dëmtuar nga gërmimi me kazëm.

Vetë pjesa e sipërme e projektit është e paligjshme, pasi sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, të vitit 2011-të, Për miratimin e rregullores “Për administrimin e zonës arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Durrësit”, shkruhet se;

“Vendosja e konstruksioneve të lehta, dru, xham, plastikë, metal me lartësi maksimale 3 m, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara. Konstruksionet vendosen dhe përdoren nga institucionet shtetërore të specializuara, duhet të jenë të lëvizshme dhe që në asnjë rast nuk dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin, në funksion të ruajtjes, ekspozimit, informimit publik dhe nevojave të tjera që lidhen me veprimtarinë arkeologjike në veçanti dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi”.

Përdorimi i blindave që ngulen shumë metra nëntokë, betonit dhe konstruksioneve prej çeliku, si edhe ndërtimit pranë fragmentit të murit rrethues të qytetit, me status Monument Kulture Kategoria I, e bën tërësisht të paligjshëm pjesën e sipërme të projektit “Veliera”.

Por mbjellja e palmave, që sakrifikoi shtresat arkeologjike, duket shumë larg kërkesave të qytetarëve durrsak për një projekt modern, pasi ata protestuan mbi 4 herë me një kërkesë të vetme, “Projekti të vijojë duke mos i dëmtuar zbulimet arkeologjike”. Ndërkohë pak muaj pas ngritjes së zërit qytetar, atyre ju vu kazma, ndërsa strukturat murale të zbuluara që në krye të herës, janë lënë të “pluskojnë” mbi ujërat e zeza.