Nxjerrja e gurëve dekorativë në Tomorr, masa sigurie për zyrtarët e mjedisit dhe të policisë
Gjykata e Beratit firmosi 4 masa sigurie për zyrtarët e mjedisit dhe të policisë që dyshohet se kanë lejuar shfrytëzimin e Malit të Tomorrit për nxjerrjen e gurëve dekorativë. Ata dyshohet se lejuan persona të paautorizuar për shfrytëzimin e Malit të Tomorrit, të cilët u kapën në flagrancë në nëntor 2024.

Gurore për nxjerrjen e materialeve inerte. Foto ilustruese nga Media Amfora
Gjykata e Beratit firmosi katër masa sigurie për zyrtarët e mjedisit dhe të policisë që dyshohet se kanë lejuar shfrytëzimin e Malit të Tomorrit për nxjerrjen e materialeve që shërbejnë si gurë dekorativë.
Si përgjegjës për lejimin e personave të paautorizuar për shfrytëzimin e gurit dekorativ u gjetën, Fatos Nako, drejtor në Administratën e drejtorisë së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Berat, Servet Hoxha dhe Ledjan Hasanaj përgjegjës pranë kësaj drejtorie, të cilët dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Për ta gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, si përgjegjës për ndërhyrjet e paligjshme në Parkun Kombëtar Mali i Tomorrit. Ndërsa për specialistin policisë së zonës, 58 vjeçarin me iniciale G. Z., që punonte në komisariatin e Skraparit, u caktua masa e “Detyrim paraqitje”.
Ky rast lidhet me ndalimet në muajin nëntor 2024, ku pas kontrollit në Malin e Tomorrit, policia arrestoi administratorin e një subjekti, vëllain dhe kushëririn e tij, pasi u kapën duke larguar 1 mjet ekskavator me të cilin dyshohet se kishin nxjerrë gurë dekorativë. Gjithashtu u shpallën në kërkim 5 administratorë të tjerë subjektesh dhe u referuan materialet në Prokurori për drejtorin dhe një përgjegjës të AdZM Berat.