Manastiri i “Shën Kozmait” në Fier, kujtimi i shenjtorit që u sakrifikua aty
Midis dy kishave, objekteve arkeologjike të ekpozuara në oborr, ngrihet Manastiri i Shën Kozmait, në fshatin Kolkondas të Fierit. Kompleksi monumental ju dedikua shenjtorit që u sakrifikua në këtë zonë duke përhapur fjalën e shenjtë.

Pamje nga Manastiri i Shën Kozma, në fshatin Kolkondas, Fier. Foto: Media Amfora
Në rrafshinën e ulët të Myzeqesë, jo larg nga Fshati Kolkondas dhe buzë Lumit Seman, i fshehur pas një kurore të gjelbër gjendet Manastiri i Shën Kozmait.
Në një zonë të pasur me kisha dhe manastire, pozicioni i tij gjeografik është gati unik. Ai mendohet se u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga Ali Pashai i Tepelenës.

Manastiri është një bashkim i strukturës për murgjit, 2 kishave dhe objekteve arkeologjike që janë ekspozuar në pjesë të ndryshme të tij, duke kulmuar me festimin e Ditës së Martirizimit të Apostullit Kozma.
Manastiri që mban emrin e shenjtorit është klasifikuar si monument i trashëgimisë kulturore që prej vitit 1963. “Shën Maria” është kisha më e vjetër që është konservuar si rrallë monumente në vend, duke ekspozuar ende afresket dhe basorelievet. Ngjitur me të ngrihet në gjendje shumë të mirë kisha e “Shën Kozmait”.

Si një nga thesaret e çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, manastiri mendohet të jetë ndërtuar nga banorët e zonës me kontributin financiar të Ali Pashë Tepelenës. Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ai u ngrit në kujtim të murgut Kozma, nga Etiolia, i cili i përshkoi dy herë këto krahina, në vitet 1777 dhe 1779.

Manastiri shërben si atraksion shpirtëror për besimtarët ortodoks dhe jo vetëm. Çdo 24 gusht aty kremtohet “Dita e Shën Kozmait” të Kolkondasit.

Në këtë ditë, në vendin ku gjendet kenotafi (varri imagjinar) i shenjtorit dhe një kopje e afreskut të murgut Kozma, kryet liturgjia hyjnore panegjirike nga Metropolia e zonës.
Sipas historisë së transmetuar nga Kisha Autoqefale Shqiptare, më 24 gusht të vitit 1779, Shën Kozmai u vra në fshatin Mujalli të Myzeqesë, nga njerëzit e Ahmet Kurt Pashës, sundimtarit të Beratit dhe Lumi Seman e dërgoi trupin e tij pranë vendit ku u ngrit manastiri, në fshatin Kolkondas dhe ai u varros pranë absidës të kishës së Shën Marisë.

Që mbrëmjen e datës 23 gusht, kryet mbrëmësorja e shenjtorit në fshatin Mujalli, aty ku ai u martirizua, tek kryqi i ngritur në kujtim të shenjtorit.

Dy letra të Ali pashë Tepelenës drejtuar të krishterëve të Nahijes së Beratit dhe një mbishkrim i gdhendur mbi një pllakë guri në apsidën e kishës, dëshmojnë për kontributin e Pashait të Janinës në ngritjen e manastirit.

Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, manastiri u braktis dhe ato pak pjesë të konakëve, që kishin mbijetuar pas vërshimit të Lumit Seman në fillim të shekullit XX, u shkatërruan në vitin 1986.
Pas punimeve për restaurimin e kishës dhe të plotësimit të nevojave të saj, të kryera nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, manastiri rifitoi vlerat e tij dhe u kthye në një qendër pelegrinazhi.