Manastiri i 40 Shenjtorëve, monumenti me arkitekturë unike në Shqipëri
Një manastir që përkujton 40 shenjtorë përshkruhet si një pikë e rëndësishme pelegrinazhi përgjatë historisë, që mblidhte besimtarë nga Adriatiku dhe Ballkani. Me një pamje piktoreske, nga monumenti mendohet se mori emrin qyteti i Sarandës.

Nga rrënojat e manastirit shihen ishujt bregdetarë. Foto: Media Amfora
Në majë të një kodre në lindje të Sarandës, gjenden rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve, që konsiderohet një nga monumentet me arkitekturë më unikale në vendin tonë.
Vetëm 4 kilometra larg qendrës së Sarandës, në Kodrën e Gjashtës sot gjenden mbetjet e ambienteve të manastirit nga ku duket “në pëllëmbë të dorës” qyteti, Korfuzi dhe të gjithë ishujt përgjatë bregdetit. Vetë qyteti modern i Sarandës mendohet se e mori emrin nga manastiri.

“Arkeologu italian, Luigi Maria Ugolini, i cili e ka studiuar atë në mesin e viteve 1920, shprehet se kisha ishte një prej më të mirave, në mos më e bukura që kishte parë në Shqipëri”, shkruan tabela informuese për monumentin.

Bazilika është ndërtuar në Antikitetin e Vonë si qendër peligrinazhi që i kushtohej kultit të 40 Shenjtorëve, për besimtarë të krishterë nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe nga brigjet e Adriatikut.

“Ajo shërbeu si manastir dhe ka pasur edhe ambiente të tjera ndihmëse për pritjen e pelegrinëve, të cilët filluan ta braktisnin me kalimin e kohës, por kisha vetë vazhdoi të përdorej deri në shekullin XIX, nga një komunitet i vogël murgjish”, shkruhet në tabelën e Ministrisë së Kulturës.

Pas kësaj periudhe objekti i kultit u braktis dhe filloi gradualisht të rrënohej, por muret e saj ishin në këmbë deri në vitet ’40, kur u rrëzuan nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.
“Gërmimet arkeologjike të kryera në vitet e fundit kanë zbuluar të dhëna të reja për baptisterin, i cili është një kompeks i përbërë nga mjedise të ndryshme me 9 vaska individuale apo kolektive pagëzimi dhe dy pishina”, përshkruhet monumenti.