Këshilli Bashkiak i hap rrugën rrafshimit të pyjeve për resortin e ri në Gjirin e Lalzit

Ndryshimi i kategorisë për një sipërfaqe pyjore në zonën e Gjirit të Lalzit është miratuar në Këshillin Bashkiak të Durrësit, duke i hapur rrugën ndërtimit të një kompleksi të ri në zonë që do të rrafshojë një pjesë të fondit pyjor me sipërfaqe 8000 metra katrorë.

Resortet në Gjirin e Lalzit. Foto Media Amfora

Mesditën e së mërkurës u mblodh Këshilli Bashkiak në Durrës për muajin prill, ku me 31 vota pro këshilltarët votuan për projektvendimin e propozuar nga Bashkia Durrës, për ndryshimin e kategorisë së një sipërfaqe pyjore 8000 metra katrorë në zonën e Gjirit të Lalzit, e cila tashmë do t’i hapi rrugën ndërtimit të një kompleksi turistik.  

Këshilltarët e Partisë së Lirisë i bashkuan votat me ato të këshilltarëve të majtë dhe me 31 vota pro, projektvendimi mori miratimin. Ndërsa këshilltarët e djathtë ishin vetëm 3 prezentë në mbledhje dhe ata votuan kundër. Ndërtimi i resortit turistik “Lura 5”, pjesë e një serie resortesh në zonë me të njëjtin emër, ka marrë më parë aprovimin e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT). 

Këshilltarët Ardian Muka dhe Dritan Burgija u shprehën në fjalën e tyre në këshill se nuk ishin kundër zhvillimit, por bregdeti i Durrësit është betonizuar dhe një tjetër resort do të përkthehet në më pak gjelbërim.  

Këshilltarët e majtët thanë se kompleksi pritet t’i japë një hov më të madh zhvillimit të turizmit dhe në të do të punësohen dhjetëra punonjës. Por me gjithë debatet ky projektvendim tashmë i hapi rrugën një tjetër resorti në një nga zonat më të lakmuara turistike në Gjirin e Lalzit.