“Keqpërdorim serioz” me 33 milionë euro, korrupsioni bllokoi të ardhmen e IPARD III

Keqpërdorimi i 33 milionë eurove të Bashkimit Evropian që ishin ndihma për sektorin e bujqësisë në vend, ka bërë që Zyra Kundër Mashtrimit në BE, OLAF, t’i rekomandojë Komisionit Evropian bllokimin e paketës së radhës, me vlerë 112 milionë euro, deri në sigurimin e kushteve nga autoritetet shqiptare që të shmangin korrupsionin dhe abuzimin.

Zyra e Bashkimit Evropian Kundër Mashtrimit, e njohur si OLAF, njoftoi së fundmi zyrtarisht se në Shqipëri u keqpërdorën 33 milionë euro nga fondet e sjella si ndihmë për sektorin e bujqësisë. 

Ky abuzim do t’i kushtojë Shqipërisë bllokimin e paketës së radhës, me vlerë 112 milionë euro. OLAF njoftoi se është rekomanduar bllokimi i mbështetjes së radhës sepse nuk janë marrë masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. 

Një prej parregullsive të identifikuara ka qenë “kërkesa që u bëhej aplikuesve për të paguar një pjesë domethënëse të grantit tek një kompani vendëae konsulence”, si edhe “kontrata të dhëna pa garë ose me garë të falsifikuar” apo “çmime të inflacionuara dhe shkelje të kontratave”. 

GJETJET KRYESORE TË OLAF:
1. Aplikantëve u kërkohet t’i paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale;
2. Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen);
3. Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.

Ky rast abuzimi lidhet me ndihmat e dhëna nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Asistencës së fazës së Para Anëtarësimit (IPARD II). Hetimi i OLAF nxorri në pah dyshimet  se aplikuesve u kërkohej të paguanin një përqindje të lartë të grantit tek kompani që lehtësonin realizimin e kontratave me Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Shqipëri, një institucion shtetëror, që i shpërndante më tej fondet. 

“Pas një serie hapash hetimore, përfshirë kërkime forensike digjitale [teknikat shkencore për hetimin e krimit] të dokumenteve të lidhura me përfituesit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve”, shkruhej në njoftimin zyrtar të OLAF.

Ata i kanë rekomanduar Komisionit Evropian që të shpalli thirrjet një dhe dy të programit IPARD II si të pavlefshme. Në total fondi këtyre dy thirrjeve arrin në 33 milionë euro. Në vitin 2018 AZHBR-ja u akreditua për Programin IPARD II, për të shpërndarë grante përmes buxhetit me vlerë 94.6 milionë euro, prej të cilave 71 milionë euro janë kontribut nga Komisioni Evropian dhe 23.6 milionë euro janë kontribut kombëtar nga shteti shqiptar.    

Por edhe një investigim i Medias Amfora zbuloi më herët disa skema abuzimi më këto fonde, duke favorizuar këdo, përveç fermerëve dhe blegtorëve që i kanë kushtuar jetën këtij aktiviteti. Hetimi gazetareskt u shtri në Maqedoninë e Veriut, ku abuzimet ishin sporadike dhe në Shqipëri zbuloi 6 skema kryesore abuzimi. 

  • Kompani përfituesve të zyrtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin;
  • Kompani të reja, pa eksperiencë, që u krijuan sapo nisi programi; 
  • Skema përfitimi familjare; 
  • Përfitues të lidhur me politikën; 
  • Kompanitë e mëdha që përfituan megjithëse nuk kishin asnjë lidhje me sektorin; 
  • Kompani që mashtruan dhe i ndryshuan destinacionin fondeve. 

Investigimi zbuloi gjithashtu se agjencia përgjegjëse në Shqipëri, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), kishte krijuar pengesa për aplikantët dhe nuk i kishte trajtuar në mënyrë të drejtë ankesat. 

Inxhinieri Romeno Nazarko ishte një prej aplikantëve që u përball me pengesa dhe pasi nuk mori zgjidhje nga AZHBR-ja vuri në lëvizje hetyesit e OLAF, pasi kishte tentuar të niste më herët aplikimin për të mbjellë drurë arrorë në vendlindje, Ersekë.  

OLAF i rekomandoi Komisionit Evropian që të ndalojë programin IPARD III me vlerë 112 milionë euro, “deri sa të merren masa për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale”.

Sipas tyre një kopje e gjetjeve të raportit janë dërguar tek autoritetet shqiptare për shkak të “aktiviteteve të mundshme kriminale” të zbuluara gjatë hetimit. Nisur nga këto konstatime, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë.  


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109