Gjykata Kushtetuese shprehet në favor të menaxhimit të Butrintit përmes fondacionit
Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve të opozitës për shfuqizimin e marrëveshjes midis qeverisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), për dhënien në menaxhim të Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vite.
Me shumicë votash Gjykata Kushtetuese vendosi për rrëzimin e kërkesës së deputetëve të opozitës për shfuqizimin e marrëveshjes për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe i hapi rrugën marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Në njoftim e shpërndarë nga gjykata më 24 prill, ajo shpjegoi se ka arritur në përfundimin se ka juridiksion për shqyrtimin e ligjit miratues të marrëveshjes, me numër 50/2022, për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit të nën-zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor.
“Për sa i përket marrëveshjes për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, pavarësisht natyrës jo normative të këtij akti, Gjykata pranoi juridiksionin e saj për shqyrtimin e tij”, u shpreh Gjykata Kushtetuese.
“Në këtë drejtim, Gjykata pati parasysh jo vetëm se ky akt ka veshje formale me ligj për shkak të miratimit nga Kuvendi, por edhe natyrën kushtetuese të pretendimeve të ngritura nga kërkuesi, të cilat ajo i ka konsideruar si përcaktuese të juridiksionit kushtetues”, shtoi arsyetimi.
Në lidhje me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese reagoi deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, që e ka ndjekur këtë çështje në vijimësi. Në një postim në “Facebook” ajo u shpreh se kjo çështje tregoi kapjen e kësaj gjykate nga ana e politikës.
“Gjykata Kushtetuese sot vuri kapakun mbi kapjen e saj politike edhe shërbimin pa asnjë skrupull të aferave të qeverisë edhe kur ato bien ndesh haptazi me kushtetutën, me interesin publik, me interesin kombëtar, me mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore”, komentoi Zhupa në postimin e saj.
Zhupa u shpreh se çështja për menaxhimin e Butrintit nuk mbyllet këtu. “Hapi i rradhës është SPAK”, shkroi ajo në postimin e saj.
Gjykata Kushtetuese sipas vendimit vlerësoi se, “nuk ka juridiksion për shkak të natyrës individuale të këtij akti për cenimin e parimit të ligjshmërisë, për shkak të dhënies së statutit partner strategjik të AADF-së me një akt nënligjor”.
Në vendin e gjykatës thuhet se është gjetur haptazi i pabazuar pretendimi për cenimin e parimit të kontrollit të financave publike, duke arritur në përfundimin se, “nuk vihet në diskutim ushtrimi i kompetencës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH për të kontrolluar financat publike, pavarësisht llojit të entitetit që i administron ato”.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese hap rrugën menaxhimit të një tjetër aseti siç është Parku i Butrinit, në duart e partneritetit publik-privat.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit u krijua me një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës në atë kohë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, një korporatë jofitimprurëse e regjistruar në Shtetet e Bashkuara, i cili ka mbështetur edhe hartimin e planit të biznesit për menaxhimin e Butrintit. Marrëveshja mes Ministrisë dhe këtij fondacioni parashikon lënien në menaxhim të Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vite.
Lidhur me cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, është vlerësuar se argumentet e paraqitura kanë të bëjnë me përplasje mes akteve ligjore në fuqi, e për rrjedhojë nuk bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues.
Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar në themel vetëm pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore, duke vërejtur se janë mbështetur në Konventën e Parisit.
Sipas saj “shteti duhet të ruajë rolin e tij parësor për mbrojtjen dhe konservimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore”, e parë kjo edhe në këndvështrimin se Parku Kombëtar i Butrintit bën pjesë jo vetëm në trashëgiminë kulturore kombëtare nga për rrjedhojë është pjesë e identitetit kombëtar, por edhe në fondin e pasurisë së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Megjithëse marrëveshja e Butrinit shkaktoi polemika në Komisionet Parlamentare dhe në Kuvend, për shkak të kalimit të kompetencave tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrinit, gjykata është shprehur se shteti vijon të ruajë atributet e tij mbi këtë pasuri.
“Pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane, për sa kohë që ruan pronësinë dhe administrimin indirekt mbi këtë pasuri”, u shpreh gjykata.
Si argument të dytë Gjykata Kushtetuese paraqiti si mekanizëm garantues faktin se, “fondacioni në fjalë është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore, duke mos u përjashtuar nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor lidhur me marrjen e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, të përcaktuara sipas marrëveshjes”.
Garant sipas gjyaktës, “është edhe përcaktimi në marrëveshje që detyron fondacionin për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit që të mund të ushtrojë kontroll për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë”.