Frikësim masiv dhe abuzim me burimet shtetërore, konstatoi paraprakisht OSBE/ODIHR
Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë i OSBE/ODIHR prezantoi gjetjet e raportit paraprak për zgjedhjet, duke evidentuar abuzimet me burimet shtetërore, frikësimin masiv dhe praninë e personave të paautorizuar, duke theksuar se Shqipëria nuk do të shkojë në BE pa zgjedhje cilësore.

Misioni i OSBE/ODIHR gjatë prezantimit të gjetjeve. Foto kortezie nga video e transmetimit të drejtpërdrejtë
Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR prezantoi këtë të hënë gjetjet e raportit paraprak për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke evidentuar abuzimet me burimet shtetërore nga Partia Socialiste që drejton qeverinë, si edhe mungesën e medias së pavarur gjatë raportimit zgjedhor.
“Ndërsa zgjedhjet u menaxhuan mirë, dëshmitarët afatgjatë dëshmuan frikësim masiv dhe abuzim të burimeve shtetërore gjatë fushatës elektorale”, deklaroi për mediat ambasadori Lamberto Zannier, kreu i misionit për këto zgjedhje.
Ai evidentoi personat e paautorizuar, që sipas vëzhgimeve të pavarura në një pjesë ishin anëtarë të krimit të organizuar, duke shpjeguar se ata nuk i jepnin llogari për praninë e tyre as vëzhguesve zgjedhor ndëkombëtar.
“Kur kam vizituar Qendrat e Votimit kam pyetur se kush ishin personat. Kemi parë edhe raste kur personat largoheshin. Ne monitorojmë procesin, kur ka persona që rrijnë më larg e kemi të vështirë, se ne nuk kemi mandat që të hetojmë”, shpjegoi Zannier.
Për të procesi elektoral u zhvillua në kushte të pabarabarta mes mazhorancës dhe opozitës, pasi Partia Socialiste në pushtet përdori mjetet ligjore për të krijuar një avantazh të padrejtë në raport me konkurrentët.
“Ne kemi dëgjuar vazhdimisht shqetësime për presione nga nëpunës të administratës publike, përdorim të burimeve shtetërore, që u pa edhe nga monitoruesit në shumë raste ku u shpallën programe të mëdha edhe një ditë para zgjedhjeve apo falja e gjobave”, komentoi Zannier.
Ne raportin paraprak kritika të forta nga vëzhguesit shkuan në drejtim të medias. “Mjedisi mediatik ishte shumë pengues, me pavarësinë, larmishmërinë dhe integritetin e përmbajtjes së lajmeve të minuar nga financimet jotransparente, përqendrimi i pronësisë, ndërhyrja në autonominë editoriale dhe ndikimi politik”, shkruante raporti.
Michael Gahler, vëzhgues i OSBE-ODIHR deklaroi se Shqipëria nuk do të futet në BE kështu siç është sot dhe i rekomandoi të gjithë aktorëve përkatës që t’i marrin rekomandimet seriozisht.
“Ky vend nuk do të futet në BE kështu siç është sot, ama ka shumë gjëra që mund të përmirësohen dhe zgjedhjet janë të rëndësishme. Unë rekomandoj me forcë të gjithë aktorëve përkatës t’i marrin rekomandimet seriozisht”, tha ai.
Ndërsa vëzhguesi i OSBE/ODHIR, Björn Söder, theksaoi se disa prej rekomandimeve të bëra prej kohësh mbeten të paadresuara. “Kjo nuk është thjesht një çështje e moszbatimit teknik, por çështje e përforcimit të integritetit demokratik dhe është urgjente duke pasur parasysh rrugën e Shqipërisë në negocimin me BE”, theksoi ai.
Ata gjithashtu vlerësuan rolin e SPAK-ut në hetimin e krimeve zgjedhore në Shqipëri, duke theksuar se përveç ndjekjes penale, është vërejtur edhe një efekt frenues ndaj këtyre krimeve.