Eksporti i mbetjeve të rrezikshme: 9 persona në burg, organizatorët në kërkim
Gjykata e Durrësit vlerësoi masat e sigurisë për 33 persona të dyshuar në skemën e transportimit të mbetjeve të rrezikshme nga kompania “Kurum International” drejt Tajlandës. Masat u zbatuan për 20 persona, ndërsa organizatorët kryesorë të dyshuar nga kompanitë private vijojnë të jenë në kërkim.
Policia e Durrësit. Foto: Media Amfora
Gjykata e Durrësit vlerësoi masat e sigurisë për të ndaluarit lidhur me transportimin dhe kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum International”, të që operon në Elbasan dhe i nxorri jashtë vendit këto mbetje përmes Portit të Durrësit.
Pas një seance që zgjati nga paraditje deri pasditen e së premtes, gjykata zbuti masat e kërkuara nga prokuroria për 33 persona, ndërsa të dyshuarit kryesorë nga kompanitë private të përfshira vijojnë të jenë në kërkim policor.
Masat e sigurisë mundën të jepen vetëm për 20 persona, 9 prej të cilëve “arrest në burg”, për 4 të tjerë “arrest në shtëpi”, ndërsa për 7 të tjerët “detyrim paraqitje” dhe ndalim i daljes jashtë vendit.
Drejtuesit e autoriteteve publike, si Arta Dollani, ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, aktualisht drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Marjeta Përlala, drejtuesja aktuale e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Masat për 33 persona kanë si bazë dyshimin për shpërdorim detyre, kontrabandë, falsifikime, menaxhim mbetjesh dhe dyshohen si të përfshirë në rastin e dërgimit të 2800 tonë mbetjeve të rrezikshime në vitin 2024 nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Ndërsa në kërkim vijojnë të jenë ata që dyshohet si organizatorët e transportit të paligjshëm të mbetjeve, si Erdal Demir, administratori i “Kurum International”, Yusuf Sezai Kurum, administrator me prokurë, Harun Sarica, drejtori i prodhimit të çelikut, Mujo Ilazaj, drejtori i transportit dhe Arif Shkalla, drejtues në kompaninë “Kurum”.
Përveç kompanisë Kurum në kërkim mbetet edhe Mbarime Koroci, aksionere e kompanisë “Alliance Resource”, Petrit Qosja, “Person Fizik” në tregtinë e mbetjeve dhe zyrtarët publikë, si
Xhulio Golgota, inspektor i Autoritetit Portual Durrës, Dritan Seferaj, punonjës në drejtorinë e Inspektim-Kontrollit në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Po ashtu në kërkim mbeten drejtuesit e kompanive të dyshaura si të përfshira, Doni Sokolaj, administrator i kompanisë “D.o.o Minerals”, Gjovana Sokolaj, pronare e kompanisë “Sokolaj”, Olizana Pemati, Ish-administratore e kompanisë “Sokolaj” dhe Ingo Hesse, administrator i kompanisë EMS APO.
Mbetjesh industriale u dërguan përmes kontejnerëve nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, duke u deklaruar si materiale të padëmshme, ndërsa autoritetet dyshojnë për përmbajtjen e tyre si të dëmshme dhe ngarkesa u kthye në Shqipëri dhe u sekuestrua, duke u vendosur në zonën e Porto-Romanos.
Masat e sigurisë sipas kategorizimit:
ARREST NË BURG:
- Florian Çimo – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO – I dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
- Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO – I dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
- Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” – I dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
- Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës – I dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
- Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës – I dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
- Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum” – I dyshuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.
- Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë “Bajrami N” – I dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
- Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N” – I dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
MASA E SIGURISË ARREST SHTËPIAK:
- Kejdi Ahmetaj – Drejtoria e Inspektimit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit – Dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
- Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” – I dyshuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar ose të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.
- Shkëlqim Jakupi – Dega e Doganës Durrës – I dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
- Helidon Lila – Dega e Doganës Durrës – I dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
- Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj” – E dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
NDALIM I DALJES JASHTË SHTETIT DHE DETYRIM PARAQITJE:
- Iva Musa – Inspektore e Autoritetit Portual Durrës – E dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
- Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) – E dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
- Arta Dollani – Ish-drejtoresha e Përgjithshme e AKM-së – E dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
- Julian Kapedani – Dega e Doganës Durrës – I dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;
- Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM – E dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
DETYRIM PARAQITJE:
- Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM-së – E dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.